Prof. Dr. Petrit Pollozhani: Ekonomia në pandemi dhe pritshmëritë pas përfundimit të saj

Rregullimi i ekonomisë nga shteti është jo efikas, me fjalë tjera korniza ligjore për aktivitetet ekonomike nuk arrin ti japin nxitje zhvillimit ekonomik. Korrupsioni, nepotizmi, gjyqësori joefikas dhe selektivë janë poashtu prezente dhe i marrin frymën rritjes ekonomike. Disavantazhet e cekura më sipër na tregojnë se ekonomia e brishtë e Maqedonisë së Veriut vështir del nga krizat

Nga Petrit POLLOZHANI

Shtetet e BE, ato Ballkanike si dhe shumë vende tjera të globit, duke paralajmëruar përfundimin e pandemisë, kanë filluar të lehtësojnë masat shtrënguese dhe ti hapin kufijtë. Opinionin e gjerë e intereson për pasojat ekonomike që solli pandemia dhe cilat janë pritshmëritë pas përfundimit të saj.

VETIT E KRIZËS EKONOMIKE

Në ekonomi janë të njohura ecuritë e cikleve biznesore, të cilat lëvizin herë drejt rënies herë drejt rritjes. Disa nga këto cikle rezultojnë me rënie të thella dhe krijojnë tronditje të mëdha ekonomike. Një nga to është dhe kriza e fundit e shkaktuar nga virusi Covid 19. Kriza më e thellë ekonomike, është ajo e depresionit të thellë e viteve 1929/33, dhe e historisë më të re është ajo e viteve 2007/09. Kriza aktuale si pasojë e korona virusit ka filluar që nga muaji mars dhe akoma vazhdon. Ajo dallon nga krizat e cekura më sipër sepse ka specifikat e veta, të cilat janë: Së pari është shumë e shpejtë dhe e ashpër, madje pa asnjë paralajmërim, së dyti, e goditi rrufeshëm kërkesën dhe ofertën agregate, së treti, ka më shumë elemente pasigurie saj përket kohëzgjatjes sepse varet nga veprimi i virusit. Në shumë shtete të botës të infektuarit janë reduktuar dukshëm por ka dhe shtete në të cilat ajo merr hovë, si psh në ato të Amerikës Latine, Rusi, aktualisht ka tendencë rritje në Itali, Maqedoninë e Veriut dhe disa shtete tjera. Derisa të zbulohet vaksina kundër Covid 19 pasiguria është prezente. Së katërti, për ndryshim nga krizat tjera (1929/33 dhe 2007/09) kjo e fundit nuk e ka origjinën nga sektorët bankar dhe financiar, dhe si të tillë ato janë më likuidë dhe ekonomisë mund ti japin më shumë mbështetje në para dhe së pesti, ka të ngjarë që kjo krizë të jetë më e shkurtër krahasuar me krizat tjera por me goditje shumë më të fuqishme.

Ekonomia botërore në proceset globalizuese aktuale funksionon gati si një ekonomi kombëtare. Rritja ekonomike e shteteve të zhvilluara tërheqin si vagon dhe rritjen e ekonomive jo mjaft të zhvilluara. Ashtu psh. rritja ekonomike e ShBA, si ekonomi e cila ofron ¼ e prodhimeve dhe shërbimeve të globit, rezulton dhe me rritje ekonomike të gjitha shteteve tjera. Në 3 mujorin e parë të vitit aktual sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar ekonomia e SHBA për shkak të pandemisë shënoi tkurrje të PBB prej 1.2 %, ndërsa ekonomia e globit u tkurr me 3 %. Trende negative kanë shënuar gati gjitha shtetet e globit dhe jemi dëshmitarë se shfaqja e krizës ishte pa paralajmërim, shumë e shpejtë dhe tepër e fuqishme. Sa do vazhdon ajo, ngel për të shikuar, por një është e sigurt ajo merr formën e një recesioni të ashpër duke prek gati të gjithë sektorët ekonomik.

BASHKIMI EVROPIAN

Ekonomia e BE e cila ofron po ashtu ¼ e prodhimeve dhe shërbimeve të globit gjatë pandemisë, në tremujorin e I, krahasuar me tremujorin e vitit paraprak shënoi tkurrje ekonomike 3 herë më të lartë nga ajo SHBA (3.8 %). Franca me Italinë si fuqia e II respektivisht e III në BE patën tkurrje mbi mesataren (5.8 respektivisht 4.7 %,) ndërsa Gjermania si ekonomia më e fuqishme e BE pati tkurrje prej 2.3 %. Çdo tkurrje ekonomike rezulton me rritjen e papunësisë e cila gjatë tremujorit të parë në BE u rrit me 0.2 % ose shprehur me numra absolut humbja e mbi gjysëm milioni vende pune, tendencë e cila pritet të vazhdojë. Pandemia goditi gati të gjithë sektorët ekonomik duke filluar nga industria si bartëse e zhvillimit mandej, shërbimet, turizmi, komunikacioni etj. Ecurit e tilla ekonomike logjikisht rezultojnë dhe me tkurrjen e të hyrave publike. Për shkak të izolimeve dhe masave tjera shtrënguese u tkurrën këmbimi i mallrave dhe shërbimeve. Në tremujorin e parë të këtij viti krahasuar me tremujorin e vitit paraprak në BE eksportet u tkurrën për 20 % dhe importet për 18 %