
Njerëzit të cilët nuk kanë simptoma të koronavirusit të ri rrallë e përhapin infeksionin, deklaroi epidemiologia e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Maria Van Kerh.
“Bazuar në të dhënat që i kemi, duket se rrallë herë një person pa simptoma e transmeton (virusin) tek një person tjetër. Ajo në të cilën ne duam të fokusohemi më tej, është ndjekja e rasteve me simptome”, theksoi ajo.
Van Kerh vuri në dukje se OBSH merr raporte nga vende, që i ndjekin detajisht kontaktet e të infektuarve, përfshirë rastet asimptomatike dhe ato vende nuk kanë zbuluar që transmetimi vazhdon me rastet e tilla, transmeton MIA.
Van Kerh tha që njerëzit që nuk kanë simptoma të Kovid-19 shpesh zhvillojnë një formë të butë të sëmundjes, njoftoi Si-En-En. Në të njëjtën kohë, ajo përsëriti se virusi përhapet përmes pikave, të cilat lëshohen kur dikush kollitet ose teshtin.
