Gjysma e qytetarëve nuk planifikojnë të shkojnë në pushim vjetor këtë verë, tregon hulumtimi më i ri i mendimit publik që për Detektorin e ka realizuar Instituti për Hulumtime Politike- Shkup.
Sipas sondazhit, 47.1 për qind e të anketuarve thonë se nuk planifikojnë të shkojnë për pushime sivjet, derisa 33.7 për qind thonë se do të shkojnë për pushime.
Prej tyre të cilët do të shkojnë në pushime, 32.9 për qind, madje thonë se atë do ta bëjnë në Maqedoni, derisa 28.8 për qind jashtë vendit.
Një pjesë e qytetarëve, apo 9.6 për qind thonë se do të shkojnë për pushime në Ohër. Shtatë për qind planifikojnë pushime në Greqi, 4.2 për qind në Shqipëri, nga 2.3 për qind në Turqi dhe Dojran, ndërsa 2.1 për qind në Strugë.
Duke pasur parasysh krizën me virusin korona, 46.8 për qind e qytetarëve thonë se këtë vit nuk do të kenë para të shkojnë në pushime, derisa 34.9 për qind konsiderojnë se do të gjejnë mjete financiare për pushim veror.
Lidhur me problemet që i shkaktoi virusi, 16.1 për qind e qytetarëve kanë frikë se këtë vit nuk do të jenë në mundësi të marrin pushim vjetor, derisa 28.5 për qind thonë se nuk do të kenë problem me këtë.
Megjithatë, pushimi i qytetarëve sipas anketës së Detektorit shumë varet nga masat që patjetër duhet të respektohen. Dhe kështu, 60.8 për qind e qytetarëve thonë se nuk do të shkojnë për pushime nëse ende duhet të vlejnë masat për distancë sociale dhe mbajtje të maskës, ndërsa për 21.4 për qind kjo nuk do të jetë problem. Ndërkohë, 78.6 për qind e qytetarëve thonë se nuk do të shkonin për pushime nëse pas kthimit patjetër të kalojnë në vetizolim ose karantinë në Maqedoni, derisa 11.6 për qind thonë se as kjo nuk do të ndalonte pushimin e tyre.
Ndryshe, sondazhi është realizuar me telefon gjatë periudhës prej 13 deri 14 maj të këtij viti në bazë të ekzemplarëve reprezentativ të 1108 anketuesve me margjina të gabimeve plus- minus 3 për qind.