INTERVISTË ME LUMTURI RISVANIN, PINJOLLEN E FAMILJES SË NJOHUR STRUGANE
STRUGA DUHET TA NJOHË DHE TA SHKRUAJË HISTORINË E SAJ TË BUJSHME
-Intervistë e Lumturi Risvanit, pinjolle e familjes së njohur strugave të Nuri Murat Sojliut – firmëtar i Aktit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, e personalitetit të shquar Ibrahim Temo e të tjerë, dhënë gazetarit të karierës, Xhemi HAJREDINI në Strugë, zv./kryeredaktor i “Gazeta e Alpeve” për Maqedoninë e Veriut –
(Vijon nga numri i kaluar)
Gazeta e Alpeve: – Si ndodhi që jeni shpërngulur sa andej-këtej?
Lumturi Risvani:- Veprimtaria dhe ngjarjet politike të kohës, atdhedashuria bënë këtë lloj shpërndarje të pjestarëve të këtij fisi. Fadil Nuri Sojliu u largua në vitin 1920 në SHBA, sepse nuk pranonte të ishte pjesë e ushtrisë serbe. Ky largim mbeti një plagë e hapur për të gjithë: nënës, babait, motrave, vëllezërve. Nëna ime ishte 8 vjeçe kur u largua ai dhe e pa për herë të parë dhe të fundit mbas 47 vitesh kur të dy u takuan në Stamboll, ndërsa unë me vëllain Ivzi, në vitin 2011, kam takuar të birin e tij Robert Fadil Sooley, për herë të parë dhe deri tani e fundit në Ohër, kur ai kishte ardhur për të takuar pjestarë të familjes. Daja im Aliriza Nuri Soylu, duke mos qenë pro qeverisë serbe dhe regjimit të Millosheviçit, me gjithë dëshirën e madhe për të ardhur në Shqipëri, e detyruan të linte “Strugën e bukur mbi Drin” ashtu si shprehej Dr. I. Temo, të merrte familjen dhe nënën e tij të moshuar e të instalohesh në Turqi. Shumë pjestarë të fisit si nga gjinia mashkullore apo femërore u martuan me shqiptarë dhe një pjesë jeton në Shqipëri, Strugë, Ohër ose u larguan në kohë të ndryshme nga Struga.
Gazeta e Alpeve: – Pra edhe familja e babait tënd që jetonte në Strugë u detyrua të largohet nga vendlindja?
Lumturi Risvani:- Gjithmonë pjestarë të familjes së babait tim Shyqyri Përnaska dhe vetë babai im ka jetuar së bashku me nënën, motrat, vëllezërit edhe në Korçë, Pogradec, Strugë, e më pas në Tiranë. Një nga hallat e mija, u martua në Veleshtë ku edhe sot janë pasardhësit e saj. Në periudhën e krijimit të Prefekturës së “Tokave të Lira”, babai im u instalua në Strugë. Unë kam lindur në Strugë, dy vëllezërit e mi, Remzi dhe Ivzi, qenë nxënës në shkollën fillore me mësim në gjuhën shqipe në Strugë. Në Strugë ka vdekur edhe një vëlla: ilmiu. Përsa i takon pjesës pse u larguam nga Struga, përgjigjja është e thjeshtë fare. Babai punonte furrxhi së bashku me dajën tim Aliriza. Do të bëhej nga qeveria serbe regjistrimi i popullsisë. Një ditë vjen në furrë njëi njohur serb i babait. Ai e këshillon se kur të vijnë tek ty për regjistrimin, mos u shkruaj nënshtetas shqiptar por thuaj se je nënshtetas turk thjesht sipas fesë që ke, sepse po u shkruajte shqiptar do të kesh pasoja dhe do të vuash shumë. Babai iu përgjigj:“Unë jam e do të mbetem shqiptar dhe do të shkoj pranë familjes sime.” Ky ishte shkaku dhe arsyeja që ne u kthyem në Korçë.
Gazeta e Alpeve: – Cili është kontributi i antarëve të njohur të familjes së Murat Bakallit (Sojliu) dhe pasardhësve të tyre?
Lumturi Risvani: – Do të shprehem shkurtazi, sepse kontributi i tyre është i shumanshëm, si politik shoqëror, apo profesional dhe mjaft i gjërë në kohë. Pjestarë të fisit Ed’hem (Bakalli, Sojliu etj) jo vetëm nga familja e Muratit, janë të shpërndarë në shtete e kontinente të ndryshme. Në histori njihet kontributi i paraardhësve të Muratit, stërgjyshit tim. Vetë Murati njihet si mjek popullor dhe që shkonte në fshatrat e largëta për të t’u gjendur pranë të sëmurëve, gjë që i shërbente edhe për aktivitetin e tij në fushën politike. Ai kishte çetën e luftëtarëve të tij ku pjestarë kishte edhe të birin Abdullah Murat Sojliu dhe djemtë e tij: Abdurrahim, Xhemal dhe Sami, si dhe pjestarë të tjerë dhe vepronin në fshehtësi të madhe. Samiu, shërbente si korrier dhe ndërlidhës jo vetëm në mes çetave, por edhe në shpërndarjen e librave shqip që dërgoheshin në Strugë nga Dr. Ibrahim Temo. Çeta e Muratit, e lidhur edhe me çetën e Dibrës, të udhëhequr nga Elez Isufi, dhe me çetën e Njazi Resnjës dhe me çeta të tjera, ka marrë pjesë në shumë luftime kundra serbëve, në kryengritjet përpara dhe pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Atij i është bastisur shtëpia dhe është arrestuar herë pas here së bashku me të dy djemtë Abdullain dhe Nuriun, si në vitin 1898, 1901, 1902, 1907, 1908, etj. Por duke mos u gjetur materiale komprometuese, falë edhe mbështetjes nga populli i Strugës, të detyruar i kanë liruar. Po kështu së bashku me popullin e Strugës dhanë kontributin në rrëzimin nga froni të Sulltan Abdyl Hamidit. Nuriu i dërgon një telegram vëllait të tij Dr. Ibrahim Temos në Kostancë: ”Nga Struga ju japim sihariqin për fitoren e Hyrietit. Në emër të degës Nuri Sojliu, gjë që tregon aktivitetin dhe kontributin e shoqërisë ”Bashkim dhe Përparim” në Strugë.
Për veprimtarinë e Muratit dhe bijve të tij, Murati u zgjodh “Kryetar Nderi” në themelimin e shoqërisë “Bashkimi” në Strugë në gjysmën e dytë të nëntorit 1908. Shoqëritë “Bashkimi” ishin vazhdimësi e Komiteteve të fshehta “Për Lirinë e Shqipërisë”. Kryetar aktiv ishte Rexhep Hajdar Aga; sekretar për shqipen, Abdullah Gojëdrini (pseudonim L.R), sekretar për turqishten, Muhedin Ballhuta, Nuri Sojliu u zgjodh arkëtar- sekretar. Në shtëpinë e Muratit dhe të Beqir Agës u hapën shkollat e fshehta për gjuhën shqipe, gjithashtu u bënë përpjekje për hapje shkolle. Anëtarët e këtij klubi morën pjesë në të gjitha kongreset dhe kuvendet për idenë kombetare si: Dibër, Manastir, Elbasan, i kanë mbështetur vendimet e tyre dhe i kanë zbatuar ato. Djali madh, Abdullai, ka marrë pjesë jo vetëm si antar i çetës së babait të tij që njihet si çeta e Muratit ose çeta e Abdullait dhe në luftrat e zhvilluara, por edhe në Kongresin e Elbasanit, Manastirit, Triestes, etj. Ai shkruante osmanisht dhe shqip dhe fliste edhe në bullgarisht, maqedonisht dhe sërbisht. Ka vdekur në Tiranë, ku ishte vendosur pas Kongresit të Lushnjes. Adullai, me djemtë e tij Abdurrahimin dhe Xhemalin, si pjestarë të çetës, kanë shoqëruar Nuriun dhe shoqëruesit e tij në rrugëtimin për Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë më 28.11.1912. Ka marrë pjesë edhe me çetat e tjera, në të gjitha luftimet e bëra në Strugë, rrethinat e saj dhe më gjerë.
Djali tjetër Ibrahim Murat Temo, pasi ndoqi shkollën e Strugës, vajti dhe mbaroi Universitetin në Stamboll për mjek ushtarak dhe u specializua për okulistikë në Francë. Jeta dhe vepra e tij vlerësohen me përmasa ballkanike, ndërsa Profesor Gazmend Shpuza e vlerëson punën e tij si ajo e Sami Frashërit. Në një ditë maji të vitit 1889, së bashku me Abdullah Xhevdetin, Isak Sykytin dhe me Mehmed Reshidin, themeluan shoqërinë “Bashkim dhe Përparim”. Veprimtaria politike e tij është mjaftueshëm e njohur nga kujtimet e tij për këtë shoqëri rezultat i së cilës u arrit përmbysja e “Sulltanit të Kuq” Abdylhamid. Në këtë lëvizje për përmbysjen e “Sulltanit të Kuq” Abdyl Hamid, pjesmarrësit në të nuk ishin vetëm shqiptarë, por edhe nga kombësi të tjera. Në këtë lëvizje kanë marrë pjesë shumë figura të rëndësishme dhe tepër të njohura si: Ismail Qemali, Dervish Hima, Nexhip bej Draga, Shahin Kolonja, Hoxhë Kadriu, Jashar Erebara, Hamdi Ohri etj. Është arrestuar 1898 në Strugë, disa herë në Stamboll, dhe gjithë jetën e ka ndjekur vendimi i Portës së Larte Osmane për dënimin e tij me vdekje, tentuar edhe për ta helmuar. Ka patur lidhje e korespondencë me shumë figura të rëndësishme dhe tepër të njohura të kohës si shqiptarë dhe të huaj. Ndiqej nga “Porta e Lartë” gjë që e detyroi të largohet nga Stambolli ku punonte si mjek okulistik ushtarak. U arratis nga Stambolli dhe më 1 nëntor 1895 zbret në Kostancë, shkon në Bukuresht e më pas në Mexhidie e në fund në Kostancë. Aktivitetin e tij politik për përmbysjen e Sulltan Abdyl Hamidit nuk e ndali për asnjë arsye. Lidhjet dhe veprimtaria e tij me Strugën dhe shqiptarët ka qënë e pandërprerë. Është hartues proklamatash, memorandumesh, thirrjesh, drejtuar shteteve të ndryshme, për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Një ndër hartuesit e thirrjes “Të zgjohemi” që ishte dhe programi i Lidhjes Shqiptare të Pejës etj. Në tetor të v. 1912 organizoi pritjen që iu bë Ismail Qemalit në portin e Kostancës dhe e shoqëroi për në Bukuresht, ku u pritën nga një numër i madh shqiptarësh. Mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit me Ismail Qemalin lidhur me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Ka ardhur në Shqipëri edhe në v.1914 në kohën e qeverisë së Princ Vidit, ku ishte emëruar Drejtor i përkohëshëm i shëndetësisë në krye të një grupi sanitar të Kryqit të Kuq të Rumanisë. Në qeverinë e Princ Vidit ishte emëruar Drejtor i përkohshëm i shëndetësisë dhe së bashku me Dr. Halit Bërzeshta kishin hartuar më përpara, Programin “Për zhvillimin e shëndetësisë në Shqipëri”, në të cilën kishte bërë plotësime Jashar Erebara. Meqë mungonte Hasan Prishtina, në vend të tij me grupin për bisedimet me Haxhi Qamilin u caktua dhe mori pjesë Dr. Ibrahim Temo. Gjithashtu dha ndihmesën e tij për luftimin e sëmundjeve infektive dhe sidomos ndaj malarjes. Ai ishte pjesmarrësnë Konferencën e Paqes në Paris në 1919, si delegat dhe përfaqësues me kompetenca të plota, i kolonive shqiptare në Rumani. Në këtë konferencë ishte dhe Parashqevi Qirjazi, të cilën e vlerëson shumë për zgjuarësinë e saj. Edhe në Rumani ai përsëri vazhdonte veprimtarinë e tij si në fushën politike ashtu edhe sociale. Në Rumani ai u bë edhe Kryetar i Bashkisë së Mexhidies, madje në vitin 1920 zgjidhet anëtar i Senatit Rumun. Veprimtaria e tij është mjaft e gjerë jo vetëm për shqiptarët por edhe popujt që ishin nën sundimin Osman. Ka lënë amanet që trupi i tij të varrosej në Lin të Pogradecit, për të patur përballë Strugën e tij të bukur mbi Drin. Edhe fëmijët e tij vazhduan shkollat e larta. I madhi Skënderi mbaroi për agronomi dhe u sistemua në Stamboll ku edhe sot janë pasardhësit e tij, Ridvani mbaroi studimet në Zvicër dhe mirëmbante vreshtat e të atit, Naimi mbaroi për mjekësi dhe u specializua si i ati në okulistikë dhe jepte mësim si mësues i higjenës në Medresenë e Mexhidies. I biri Alban Naim Temo është inxhinier dhe banon në SHBA. Senia Ibrahim Temo ka qënë martuar me Mehmet Ferhat nga Hirsova që ishte inspektor finance në Kluzha të Transivalnisë. Kanë jetuar në Bukuresht. Kanë djalin Givan, i cili ka një vajzë të quajtur Xhansu. Në vitin 1985 Senia erdhi në Shqipëri në familjen e babait tim. Ka mbetur shumë e kënaqur kur një ditë përpara se të largohej nga Shqipëria, unë e shoqërova për të vizituar Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë dhe pse ishte ditë e diel dhe Muzeu nuk punonte. Posa e mori vesh Drejtori i saj Z. Burhan Çiraku, e priti, e shoqëroi dhe i spjegoi stendë pas stende përmbajtjen e tyre dhe në fund biseda e ngrohte në zyrën e tij. U ndanë duke përgëzuar punën e bërë dhe kënaqësinë që ndjenë.
Djali i tij Nuri Murat Sojli, njëlloj si pjestarët e tjerë përpara tij dhe pasi mbaroi Fakultetin e Ekonomisë në Stamboll, ka punuar si financier në administratën osmane, në vitin 1905 ishte në Shkup, ndërsa në 1908 duke qënë financier në Starovë pushohet nga puna për aktivitet patriotik. Ka patur lidhje me figura të njohura si L. Gurakuqi, H. Prishtina, A. Xhuvani, Kol Bojaxhiun (i ati i Nënë Terezës), Qenan Beun (i shoqi i Alije Hanmit, vajza e Ismail Qemalit) të cilët banonin në Strugë, Mihal Gramenon, Ahmet Daklin, Lef Nosin, Aqif Pashë Elbasani, Nexhip Draga, etj. etj. Ai, së bashku me Myrteza Strugën dhe Zyhdi Ohrin, u zgjodhën delegatë, përfaqësues të Ohrit dhe Strugës dhe morën pjesë në Vlorë më 28.11.1912 dhe firmosën Aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Nuriu, bën pjesë në Grupin e Firmëtarëve të Dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntor 1912”, dekoruar me Urdhërin “Nderi i Kombit”, me motivacionin “Për meritat e tyre historike, si figura të shquara të kombit dhe rolin e tyre madhor në krijimin dhe shpalljen e shtetit të lirë e të pavarur shqiptar, si finalizim i luftës dhe përpjekjeve të pareshtura të popullit liridashës shqiptar në rrjedhë të historisë”. Dekorata “Nderi i Kombit” e dhënë për të 40 firmëtarët e Dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë u vendos nga Presidenti Bamir Topi në festën e organizuar, më 27.06.2012, në qytetin e Vlorës, në Muzeun e Pavarësisë. Komuna e Strugës vendosi që në 100 vjetorin e Pavarësisë t’i ndërtonte një varr të ri. Ndërtimi i varrit të ri u sposorizua dhe u realizua nga një familje patriote shqiptaree Z. Metali Malo me djemtë Festim, Nderim dhe Kazafer (nga fshati Ladorisht, Strugë), gjest i të cilëve i nderon të gjithë shqiptarët. Ne pasardhësit e Nuriut dhe fisit Sojli e vlerësojmë dhe i nderojmë.
Vijon në numrin e ardhshëm