Qindra njerëz u mblodhën në Romë për një protestë të paparalajmëruar kundër masave kufizuese në Itali, më të gjatat në Evropë, për të nxjerrë në pah gjendjen e njerëzve që përballen me pasojat ekonomike të bllokadës.
Protestuesit që u mblodhën në kryeqytetin italian pas marrëveshjes në rrjetet sociale, bërtisnin se “virusi (COVID-19) është një mashtrim i krijuar për të provokuar një krizë”, se “ka njerëz që nuk kanë marrë rrogë për katër muaj” dhe se janë të uritur.
“Ka njerëz që nuk kanë asgjë për të ngrënë. Ata na lanë të vdesim”, tha një grua me origjinë nga Bergamo.
Policët ndërhynë për të parandaluar lëvizjen e tyre të mëtejshme nëpër rrugë.
“Ne do të qëndrojmë këtu, do të pushtojmë Piazza Venezia (në Romë) dhe do të vendosim tenda. Qeveria na ka tradhtuar”, tha njëri nga protestuesit me një altoparlant.
Koronavirusi ka marrë më shumë se 33,000 jetë në Itali dhe ka shkaktuar një bllokadë nga e cila Italia po tenton lehtësimin gradual nga masat kufizuese.
Italia është vendi i parë në Evropë që prezantoi masa të rrepta karantine në të gjithë territorin në fillim të marsit, dhe siç u njoftua, më 3 qershor, ajo do të hap kufijtë rajonalë dhe shtetërorë për mbërritjet nga vendet e Shengenit. /Teshehi/