REALITETET POLITIKE DHE DËSHIRAT TONA.

Xhafer SADIKU

Ka kohë që shprehjen e Edi Ramës “Fajin e ka Saliu” e përdorin disa ish të persekutuar në komente apo statuse të tyre, madje numri i tyre po shtohet çdo ditë. Pa dashur të bëjmë këtu as rolin e kritizerit, as të avokatit, ja vlen të hedhim një vështrim mbi zhvillimet historike të pas vitit 1990, për të ndriçuar mendjet e atyre që janë të rinj apo të tjerëve që kanë kujtesën e shkurtër.

Në zgjedhjet e 31 marsit 1991 për Kuvendin Popullor, Partia e Punës së Shqipërisë fitoi 67 për qind të votave, ndërsa Partia Demokratike rreth 30 për qind. Duke kontrolluar më shumë se dy të tretat e deputetëve, PPSH (që në qershor do të ndryshonte emrin në PS) aprovoi ligje të rëndësishme që do të përcaktonin zhvillimet politike dhe ekonomike të së ardhmes.

Në prill 1991, Kuvendi Popullor zgjodhi Ramiz Alinë si President i Republikës dhe aprovoi ligjin mbi Dispozitat Kryesore Kushtetuese, duke e shfuqizuar kushtetutën e vitit 1976.

Në 19 korrik 1991, aprovoi Ligjin 7501 “Për tokën”, ndërsa komisionet për ndarjen e tokës filluan punën në terren. Ishte ligji më i rëndësishëm gjatë këtyre 30 viteve. Çuditërisht, ligji për tokën, faktikisht, mbështetej në kushtetutën e shfuqizuar të vitit 1976, e cila e trajtonte tokën si pronë shtetërore.

Në të njëjtin muaj u krijua edhe Agjensia Kombëtare e Privatizimit ndërsa në 29 gusht, qeveria përcaktoi detyrat e të drejtat e agjensisë. U privatizuan kështu sektorët e shërbimit, në mënyrë të veçantë rrjeti tregtar që ishte në duart e besnikëve të regjimit. Ata morën edhe kredi bankare të favorshme dhe qysh atëherë do të zotëronin tregun, për të krijuar më pas klasën kapitaliste.

Dukej sheshit që nomenklatura e regjimit komunist ja kishte arritur qëllimit. Ajo kishte përfituar nga ndryshimi i sistemit, ndërsa ish të burgosurit dhe te persekutuarit mbetën në kategorinë më të diskriminuar.
Pas një greve urie të ish të burgosurve politikë, në shtator 1991, Kuvendi Popullor aprovoi Ligjin nr.7514, datë 30.09.1991 “Për pafajsinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”.

Në zgjedhjet e 22 marsit 1992, PD fitoi 57, 3 për qind të votave, ose 92 mandate, por pa mundur të kontrollonte dy të tretat e kuvendit, për vetëm dy vota. Ajo nuk mund të bënte reforma kushtetuese dhe as të ndryshonte ligjet kryesore të miratuara nga PPSH (PS).

Gjendja do të vështirësohej edhe më shumë, kur disa deputetë u larguan dhe krijuan Aleancën Demokatike, një parti kjo që u pozicionua në aleancë me komunistët dhe në opozitë me elektoratin nga i cili kishte marrë votat. Kjo e pamundësoi edhe më shumë bërjen e reformave kushtetuese.

Në ato kushte, PD aprovoi ligje të thjeshta dhe akte normative në ndihmë të shtresave të shtypura të popullit, kryesisht të persekutuareve politikë. Kështu, në fushën e arsimit të lartë, mijëra djem e vajza, që regjimi komunist u kishte mohuar të drejtën e arsimit, vazhduan studimet në universitete. Me qindra ishin ata që përfunduan studimet në degë të preferuara, madje shumica me bursë shteti. Të panumërt ishin ata që u përfshinë në administratën shtetërore, madje edhe në sistemin e drejtësisë. Që nga polici më i thjeshtë, drejtorë, prefektë, deputetë, ministra dhe deri në krye të Kuvendit të Shqipërisë, të persekutuarit ishin me mijëra.

Një pjesë e konsiderueshme e të burgosuve dhe internuarëve iu dhanë banesa falas në qytete. Po kështu, filloi dëmshpërblimi i të burgosurve politikë të cilët nderoheshin nga shteti dhe shoqëria.
Ndërkohë u morën masa për zyrtarët e lartë të regjimit komunist qe kishin shkelur te drejtat e njeriut, duke u burgosur për krime kundër njerëzimit dhe vepra të tjera penale. Akti normativ 24/1 i përjashtoi nga funksionet zyrtarët e regjimit që kishin shtypur popullin
.

Por, çuditërisht, një pjesë e vogël e ish të persekutuarëve, në 5 gusht të vitit 1994, organizoi një grevë urie ku morën pjesë 287 ish të burgosur e persekutuar politikë. Midis 10 kërkesave, më e rendësishmja ishte që: brenda vitit 1996 të përfundonte dëmshpërblimi. Nga ana e saj qeveria pretendonte se nuk i kishte mundësitë financiare brenda kësaj periudhe, pasi që duheshin 15, 3 miliard lekë që, sipas saj, ishin sa tre buxhete vjetore të Mbrojtjes, Arsimit, Kulturës dhe Shëndetësisë.

Greva u shpall e paligjshme nga gjykata e Tiranës, në 8 gusht, ndërsa përmbaruesit gjyqësorë i dorëzuan shoqatës së ish të burgosurve politikë vendimin për pezullimin e grevës. Vendimi u ekzekutua në mënyrë të detyruar dhe grevistët u nxorën nga forcat e policisë.

Kur kriza u thellua, pushteti deklaroi se greva bëhej me nxitjen e Sigurimit të Shtetit dhe se nga 287 pjesëmarrës në grevën e urisë, 65 ishin informatorë apo agjentë të ish Sigurimit të shtetit dhe 35 të dënuar ordinerë. Çuditërisht, në atë grevë u përfshi edhe Azem Hajdari, që një vit më parë i kishte denigruar ish të burgosurit e të persekutuarit politikë gjatë një debati në Kuvendin e Shqipërisë. Interesante ishte se greva u organizua tre muaj para referendumit për kushtetutën, i cili u rrëzua.

Greva e urisë ndikoi më shumë në radhët e ish të persekutuarëve politikë, kryesisht të atyre që ishin në administratën shtetërore, pasi një rikthim i komunistëve në pushtet do të dëmtontë ata vet. Mirëpo, ata nuk kishin zë, pasi vepronin disa shoqata dhe shumica e tyre ishin uzurpuar nga grupe individësh pa ideale.

Grupi i grevistëve të gushtit 1994 do të bashkohej me komunistët dhe kriminelët e të gjitha kallëpeve, në kryengritjen e Vlorës të vitit 1997, që do ti vinte zjarrin Shqipërisë.

Me rikthimin e komunistëve në pushtet, disa nga organizatorët e grevës së urisë dhe pjesëmarrësit e kryengritjes së 1997 përfituan privilegje, ndërsa për mijëra ish të persekutuar filloi përsëri persekucioni i revanshistëve komunistë duke kontribuar edhe një herë banditë nga radhët e ish të persekutuarëve që kishin vite që bashkëpunonin me komunistët. Merret vesh, në errësirë, fijet ua tërhiqnin operativet e Sigurimit të Shtetit.

Ata krijuan edhe parti politike, por u diskredituan përfundimisht. Shumica e ish të persekutuaraëve politikë u mbetën besnikë idealeve të lirisë. Ata e dinë shumë mirë se fajtorë për vuajtjet e tyre janë kriminelët e regjimit komunist dhe revanshistët e quajtur socialistë apo rilindas. Bashkë me ta, edhe renegatët e korruptuar dhe pa moral politik nga radhët e ish të persekutuarëve. Koha i ka ndarë përfundimisht.
Jane realitete qe ata vet i sollen ne kete gjendje perkunder deshirave te mira te shumices se tyre. Kulturatv.com