Taxh el-Arus: Mbi përsosjen e shpirtit – Pjesa e 6

Taxh el-Arus: Mbi përsosjen e shpirtit – Pjesa e 6

Ibn Ataullah el-Sekenderi

Është e padrejtë për ty që flokët të të thinjen ndërsa ti vazhdon të mbetesh i mitur dhe fëmijë në intelekt, duke mos kuptuar atë që dëshiron Zoti për ty. Nëse je inteligjent, qaj mbi veten para se të tjerët të të qajnë ty. Fëmijët e tu, gruaja jote, shërbëtorët dhe miqtë tu nuk qajnë (me të vërtetë) për ty kur vdes. Ata thjesht qajnë për atë që nuk mund të gëzojnë më prej teje. Pra, paraprijuni atyre në lidhje me këtë, dhe thoni: “Është më e përshtatshme që unë të qaj për pasurinë që kam humbur tek Zoti para se të gjithë të më qajnë mua “.

Është shenjë e mjaftueshme injorance për ty që Zoti të trajton në një mënyrë që flet për besnikëri, ndërsa ti e trajton Atë në atë mënyrë që të reflekton përçmim.

Një njeri i vërtetë nuk është thjesht ai që është në gjendje të ngre zërin mes njerëzve në tubime. Një njeri i vërtetë është ai që është në gjendje të ngre zërin kundër vetvetes dhe ta kthejë përsëri atë drejt Zotit.

Kushdo që rëndohet nga shqetësimet e kësaj bote dhe braktis shqetësimin për jetën e përtejme është si një person që po ikën nga një luan që dëshiron ta hajë, por më pas pickohet nga një plesht dhe e humb vëmendjen nga rreziku i luanit. Kushdo që është gafil (i pavëmendshëm) ndaj Zotit e preokupton veten me gjëra të vogla. Dhe kushdo që nuk është gafil (i pavëmendshëm) ndaj Tij, e preokupton veten vetëm me Të. Kështu që, gjendja më e mirë në të cilën mund të jesh është ajo në të cilën heq dorë nga vaniteti i kësaj bote në mënyrë që të arrish Jetën e Përtejme. Por sa shpesh Jeta e Përtejme të shpëton duke ndjekur kotësitë e kësaj bote!

Sa e turpshme është frika e ushtarit; sa të turpshme janë gabimet gramatike tek gramaticieni; dhe sa i turpshme është ai që shtiret si asket për të ndjekur kotësitë e kësaj bote!

Burri i vërtetë nuk është ai që të stërvit (shpirtërisht) me thëniet e tij. Njeriu i vërtetë është ai që ju stërvit (shpirtërisht) thjesht duke e vështruar atë. Sheh Ebu el-Abbas el-Mursi (vd. 686h/1287) ka thënë: “Nëse breshkat përkujdesen/mbrojnë pasardhësit e tyre thjesht duke i vëzhguar, ngjashëm edhe mjeshtri shpirtëror duhet të përkujdeset/mbrojë dishepujt e vet. Breshkat hedhin vezët e tyre në tokë, pastaj drejtohen për tek brigjet e lumenjve dhe para se të hyjnë në ujë e drejtojnë shikimin nga vezët e tyre. Pastaj Zoti i rrit të vegjëlit e tyre për ta thjesht si virtyt i faktit që breshkat hedhin vështrimin mbi to”.

Mos guxoni ta lini këtë vendbanim pa shijuar ëmbëlsinë e dashurisë së Tij. Dhe ëmbëlsia e dashurisë së Tij nuk është në ushqim ose pije sepse edhe jobesimtarët dhe kafshët joracionale e përjetojnë këtë. Përkundrazi, bashkohuni engjëjve në shijimin e ëmbëlsisë së përkujtimit të Zotit dhe soditjes së patrazuar të Tij. Sepse shpirtrat (e pastër) nuk mund t’i rezistojnë spërkatjeve (të papastra) nga vetja. Në të vërtetë, kur zhyt veten në kënetën e vdekur të kësaj bote, bëhesh i papërshtatshëm për bashkim me Zotin. Sepse, ata që janë njollosur nga papastërtia e mosbindjes nuk mund të vijnë në praninë e Zotit. Pastroje zemrën nga defektet dhe dera për të fshehtën do të hapet. Pendohu tek Zoti dhe drejtoju Atij me pendesë dhe përkujtim, dera do të hapet për këdo që vazhdon të trokasë. Në fakt, po të mos ishte çështja e ruajtjes së edebit (etikës me Zotin) nuk do ta shpjegonim çështjen në këtë mënyrë. Në të vërtetë, është siç ka thënë Rabi‘ah el-Adeuijeh (185/801): “Kur u mbyll dera ndonjëherë sa që të ketë nevojë të hapet? “