Taxh el-Arus – Mbi Përsosmërinë e Shpirit

Taxh el-Arus – Mbi Përsosmërinë e Shpirit

Pjesa e 4

Ibn Ataullah el-Sekenderi

Mosbindja shoqërohet gjithnjë nga poshtërimi. A do t’i bindesh Atij, ndërsa Ai të nderon? Përkundrazi, Ai e ka lidhur nderimin me bindjen dhe poshtërimin me mosbindjen. Kështu që, bindja ndaj Tij bëhet dritë, nder dhe ngritje e velit, ndërsa e kundërta e saj është mosbindja, errësira, poshtërimi dhe një perde midis teje dhe Atij. Ty të ndalohet nga të dëshmuarit (këtë realitet) për shkak të mosrespektimit tënd të kufijve të duhur dhe si pasojë e preokupimit tënd me këtë ekzistencë tokësore.

Nëse fëmija nuk bindet, disiplinojeni atë sipas ligjit fetar. Por mos e këpusni atë. Përkundrazi, i hidhërohuni me të, në mënyrë që të heqë dorë nga mosbindja. Kur besimtari nuk bindet, gjëja që më së shpeshti bie mbi të është ankthi shqetësues, d.m.th., që miqtë e tij ose do ta skandalizojnë atë në sy të të tjerëve ose do ta përqeshin. Por mjerisht, kur ata e bëjnë këtë, edhe ata gabojnë.

Kur një besimtar nuk bindet, ai bie në një dilemë të madhe. Por mënyra se si të veprosh me të është të bësh atë që bëni në rastin e fëmijës tuaj kur ai nuk ju bindet: për së jashtmi i kthen atij shpinën ndërsa për së brendshmi ndjen keqardhje për të dhe fshehurazi lutesh që ai të rikthehet në gjendjen e mëparshme.

Është injorancë nga ana jote që të kesh zili njerëz për gjëra të kësaj bote dhe të lejosh që zemra jote të preokupohet me atë që ata zotërojnë. Kjo të bën ty më të paditur se ata. Sepse, ndërsa ata janë të preokupuar me atë që ju është dhënë, ti je i preokupuar me atë që nuk e zotëron.

Kur të infektohen sytë nxiton për ti trajtuar ato. Dhe arsyeja e vetme për këtë është se përmes tyre arrin të shohësh kënaqësitë e kësaj bote. Kështu që ti nxiton për ti kuruar ato në mënyrë që asnjë nga këto kënaqësi botërore të mos ti shpëtoj shikimit tënd. Por, shikimi jot i brendshëm është prekur nga sëmundja për dyzet vjet dhe ti nuk ke bërë asgjë për ta trajtuar.

Dije që një jetë vitet e hershme të së cilës janë janë shkuar kot, meriton të ruhet në vitet e saj të mëvonshme, si një grua që ka dhjetë fëmijë nëntë prej të cilëve vdesin dhe njëri prej tyre mbijeton. A nuk do të ishte dashuria e saj për fëmijën e mbetur shumë herë më e madhe? Ti ke humbur pjesën më të madhe të jetës. Kështu që ruaje pjesën tjetër; sepse ajo që ka mbetur është vetëm një gisht ujë në një gotë, përndryshe, të zbrazur. Për Zotin, jeta jote nuk fillon ditën kur ke lindur; ajo fillon ditën kur të njohësh Zotin.

Çfarë ndryshimi ka midis njerëzve të lumturisë dhe njerëzve të mjerimit. Kur njerëzit e lumturisë shohin një person të angazhuar në mosbindje ndaj Zotit, për së jashtmi ata e qortojnë atë ndërsa për së brendshmi luten për të. Njerëzit e mjerimit, nga ana tjetër, e qortojnë atë publikisht në ndjekje të vetë-kënaqësisë, dhe ata madje mund të shkojnë deri aty sa të vënë në dyshim karakterine tij. Besimtari është ai që është i sinqertë ndaj vëllezërve të tij në privat dhe kërkon të mbulojë gabimet e tyre në publik. Sidoqoftë, njerëzit e mjerimit janë e kundërta e kësaj: kur shohin një person të përfshirë në mosbindje, ata ia përplasin derën e pendimit në fytyrë dhe e skandalizojnë atë (para njerëzve). Vizioni i brendshëm i këtyre njerëzve është i pandriçuar dhe ata janë tejet larg Zotit.

Nëse dëshiron të vlerësosh intelektin e një njeriu, vëzhgoje atë kur në sy të tij përmendni të tjerët. Nëse e gjeni atë duke u përpjekur për të gjetur çdo arsyetim të ligë (karshi personit tjetër) deri në atë pikë sa të thotë, “Harroje kështu dhe ashtu; ai ka kryer kaq e aq vepra të këqija”, atëherë dije se qenia e brendshme e tij është e shkretuar dhe se ai nuk ka dije. Por nëse shihni se ai i përmend njerëzit në mënyrë të favorshme ose se ai u referohet veprimeve të tyre të dënueshme duke u përpjekur të gjej arsyetime të favorshme mbi ta, duke thënë gjëra të tilla si: “Ndoshta ata thjesht kanë bërë një gabim të vogël ose ndoshta kanë pasur një justifikim të vlefshëm”, dhe përjashtime të ngjashme, dijeni që qenia e tij e brendshme është e mbushur me jetë. Arsyetimi i besimtarit procedon mbi supozimin se vëllezërit e tij muslimanë janë njerëz të nderuar.