Agim XHAFKA
(Tregimi i së dielës.)
E kujtoj shpesh Temen,se kështu i thërrisnim të gjithë. Ishte fqinji ynë i katit të parë. Babai i Çimit,Faikut,Ajetit,Gales dhe Norës. Plot pesë fëmijë,tre çuna e dy vajza. Gruaja ishte e mira dhe e qeshura Hajrie. Shtatë frymë jetonin në një hapësirë 35 metër katror. Sa gjysma e garazhit që unë kam në USA. Dhe me banjo atje thellë në krye të apartamentit,pa dritare e pa ajrim. Ndaj gjithë kohës dera e tyre rrinte hapur,se ndryshe mund të asfiksoheshin të gjithë.
Et’hemi dhe Hajria punonin në fabrikën e qelqit. Një herë kur isha në fillore na çoi zysha për të parë si bëheshin gotat. Atje më doli Et’hemi para,me një shkop të gjatë që kishtë zjarr në krye e sa i frynte ai zjarri bëhej tollumbace. Pastaj Et’hemi e përkëdhelte me një shufër hekuri e fap delte një kanë uji,ose një gotë para syve tanë. Si magjistar dukej kur frynte bulçitë e sytë i delnin para me kokërdhokët që shihnin plot çudi. Një jetë atje punuan të dy,me turne dhe nuk ndjeheshin se ishin në shtëpi a në punë.. Djemtë ishin shokët tanë më të mirë. Nuk kuptoj ende se si mund të thuhet se një prind sa më i shkolluar të jetë aq më të edukuar i ka fëmijët. Et’hemi në pallatin tonë ishte me më pak klasë të mbaruara,por fëmijët e tij asnjë nuk i kishte aq të qeshur,të mirëkuptueshëm e të dashur. Asnjë. Ata hanin bukë veç.
Poshtë dritares së Et’hemit rrinim çdo mëngjes e mbasdite. Ishte si shtabi i kalamajve. Atje uleshim e bënim tifo kur kishim futboll me lagjen tjetër,e atje edhe kur rrëfenim histori nga shkolla. Pra si një zgjua blete ishte ai vend. Tmerr ishte kur bëhej gol nga tanët. Tundej pallati. E ndodhte që Et’hemi sa kishte rënë të flinte,se sa kishte mbaruar turnin. Por ne nuk donim t’ja dinim,siç nuk donte t’ja dinte as ai. Dilte në dritare dhe…bertiste për skuadrën tonë. Pa le kur goli vinte. Et’hemi gati binte nga dritarja. Kaq e merrte pasioni i topit sa gjumin e shtynte për të nesërmen. Kur ndaheshim në darkë sejcili në shtëpi të vet,më vinte në mendje pyetja e babait tim:
-Nuk kuptoj se si i nxe ajo shtëpi të gjithë. Apo nuk e mbyllin derën natën.Dikush fle gjysëm jashtë e gjysëm brenda.
Kështu nëpër ditë deri sa u rritëm dhe nisëm shah e domino atje,poshtë dritares. Sërish Et’hemi na mësonte si të lëviznim gurët,si të fitonim. Hajrija na bënte një pjatë me bukë të thekur e djathë të bardhë që kaq më shijonte sa dashurinë për djathin e kam marrë qysh nga ato mote.
Sot në atë pallat kanë ndërruar jetë të gjithë prindërit tanë. Të çdo kati. Jeton vetëm Et’hemi,i dashuri dhe i miri ai. I kaloi të 90-tat. Mbahet mirë dhe na gëzon të gjithëve shëndeti i tij. Ndjehemi sikur kemi gjallë babain. Se ai ishte dhe shoku e miku ynë.
Kur e takoj them se zoti po i plotëson borxhet që i ka. Ne i morëm atij gjithë ato orë e orë gjumi që po i kthehen në vite e vite jetë. Ka ditët e veta,që atëhere na i dhuroi ne e sot me urimet tona do duam që ai ta kalojë njëqind. Se është jeta e tij,por dhe i meriton prej dashurisë pa kushte që na fali. Et’hemi më bën më shumë njeri…Kur isha i vogël sa doja të më quanin Et’hem. Të isha mirësi…
Kulturatv.com