Taxh el-Arus: Mbi përsosjen e shpirtit – Ibn Ataullah el-Sekenderi
Por vetëm ai që e di vlerën e një sendi është i lumtur prej tij. Kështu, nëse do të hidhnit një smerald në një tufë kafshësh, vështirë se do të preferohej prej tyre. Prandaj vëreni: cilit grup i përkisni? Nëse pendoheni, ju jeni ndër të dashurit. Nëse jo, ju jeni ndër keqbërësit. Zoti thotë: “Dhe kushdo që nuk pendohet, ata janë ndër keqbërësit”. [49: 11].
Kushdo që pendohet fiton dhe e anasjellta. Mos u dëshpëro, duke thënë: “Sa shpesh pendohem dhe gjithnjë e kundërshtoj pendimin tim”. Sepse i sëmuri shpreson tek të vazhduarit së jetuari për sa kohë që shpirti i tij mbetet në të.
Kur një person pendohet, shtëpia e tij në Xhenet, qiejt, toka dhe (madje) Profeti (a.s.) gëzohet për të. Në të vërtetë, Allahui nuk është i kënaqur [vetëm] nga gjendja juaj e të dashuruarit të Tij, por përkundrazi nga gjendja jote e të qenurit i dashuruar nga Ai. Dhe si mund të krahasohet ai që është i dashuruar nga dikush me atë që thjesht dashuron?
Mjerë mbi atë që e njeh mirësinë e Bamirësit por ka këllqe që të mos i bindet Atij. Pastaj përsëri, ai që preferon të mos i bindet Atij nuk e njeh vërtet mirësinë e Tij. Ai që nuk është i ndërgjegjshëm për Të nuk e njeh fuqinë e Tij. Dhe ai që e preokupon veten me tjetër përveç Tij, nuk do të përparojë. Një person i tillë e di se vetja e dërgon drejt shkatërrimit, por përsëri e ndjek. Ai e di që zemra e drejton drejt udhëzimit por, gjithsesi, e kundërshton atë. Ai e njeh staturën e të Vetmit që ai nuk i bindet, por gjithsesi e shfaq mosbindje para Tij. Nëse një person i tillë do të dinte madhësinë e madhështisë së Tij, ai nuk do ta kundërshtonte haptas Atë. Por ai e di se sa i afërt është Zoti i Tij dhe se Ai e sheh atë; megjithatë ai nxiton të bëjë atë që Ai e ndalon. Ai i di efektet e mëkatit, në këtë botë dhe në tjetrën, fshehurazi dhe në mënyrë të dukshme; prapëseprapë ai nuk tregon turp para Zotit të tij. Nëse një person i tillë do ta dinte se ishte në kontrollin e Tij, ai nuk do t’i shkelte hapur urdhërimet e Tij.
Dije se mëkati nënkupton prishjen e besëlidhjes, prishjen e lidhjes së dashurisë dhe preferimin e diçkaje tjetër mbi Zotëriun; kjo nënkupton nënshtrimin ndaj pasionit të padisiplinuar, flakjes së rrobave të modestisë dhe të përballurit në mënyrë mospërfillëse me Zotin duke kryer atë për të cilën Ai nuk është i kënaqur. Pa përmendur këtu efektet jashtme [që kjo mobindje] ka mbi mëkatarin, siç janë shfaqja e lodhjes në gjymtyrë, zbehtësisë në vështrim, letargji në të shërbyerit plot ëmbëlsi [ndaj Zotit], humbja e respektit për të shenjtën, të barturit e një pamjeje të atij që është i konsumuar nga dëshirat mishore, si edhe humbja e kënaqësisë nga veprimet e bindjes.
Sa për efektet e brendshme, këto përfshijnë ngurtësimin e zemrës, intransigjencën e nefsit, ngërçin e kraharorit me dëshira mishore, humbjen e ëmbëlsisë që shoqëron normalisht bindjen, duke u përmbytur nga shpërqendrimet që pamundësojnë flakërimat e ndriçimit shpirtëror dhe ardhjen në fuqi të perandorisë së pasionit të padisiplinuar. Shto këtu edhe shtimin e dyshimeve dhe pavëmendjen ndaj fundit përfundimtar të (secilit) individ dhe thellësive të llogaritjes (që e presin).
Sikur të mos kishte asgjë në mosbindje përveç një ndryshimi të emrit, kjo do të mjaftonte. Kur je i bindur, quhesh nxitës energjik i së mirës; por kur je i pabindur, quhesh nxitës kokëfortë i së keqes. Kjo është çështja në lidhje me ndryshimin e emrit. Sa shumë do të jetë ndryshimi në realitet, nga ëmbëlsia e bindjes deri tek ëmbëlsia e mosbindjes, nga këndshmëria e shërbimit ndaj Zotit, deri tek shijimi i shërbimit ndaj epsheve mishore? Kjo është çështja në lidhje me ndryshimin në realitet. Sa shumë do të jetë ndryshimi në përshkrim? Pasi të jesh përshkrur para Zotit si një person me cilësi të mira, çështja kthehet mbrapsht dhe përshkruhesh si një person i gjendjeve të liga. Kjo është çështja në lidhje me ndryshimin në përshkrim. Sa shumë do të jetë ndryshimi në gradë? Pasi të kesh qenë ndër të drejtët para Zotit, bëhesh një nga të korruptuarit. Dhe pasi të kesh qenë ndër të devotshmit, do të bëhesh një nga tradhtarët.
Nëse mëkati manifestohet hapur para teje, kërko ndihmën e Zotit dhe riparimin e Tij. Hidh dhé në kokën tënde dhe thuaj: “O Zot, më dërgo nga përulja e mosbindjes drejt nderit të bindjes”. Vizito varret e evlijave dhe njerëzve të mirë dhe thuaj në lutje: “O Më i Mëshirshmi i të Mëshirshmëve”.
A mos është qëllimi yt ta angazhosh veten në betejë, ndërsa e forcon atë duke ushqyer dëshirat e saj trupore deri në pikën që ata ju mbizotërojnë? A nuk je injorant? Zemra është një pemë që ujitet me ujin e bindjes. Frytet e saj janë gjendjet emocionale. Fryti i syrit është vëzhgim i kujdesshëm. Fryti i veshit është dëgjimi i Kuranit. Fryti i gjuhës është kujtimi i Zotit. Dhe fryti i duarve dhe i këmbëve të ecurit në ndjekje të së mirës. Por, kur zemra thahet, këto fruta bien. Prandaj, sa herë që thatësira të rritet, shtoi lutjet tua në përkujtimin e Zotit. Dhe mos u bë si i sëmuri që thotë: “Unë nuk do ta trajtoj sëmundjen time derisa të gjej kurën përfundimtare.” Sepse do t’ju thuhet: “Nuk do ta gjesh kurën përfundimtare derisa të vendosni të kuroni sëmundjen tuaj”. Nuk ka ëmbëlsi në xhihad; ka vetëm skaje të mprehta të shpatave. Kështu që ndiqeni xhihadin (përpjekjen) kundër vetvetes [në përmirësim të saj]. Ky është xhihadi më i madh.
Dije që një nënë që është në zi nuk ka asnjë arsye për të festuar. Festimi është thjesht për atë që e mposht veten. Nuk ka festë përveçse për atë që vë nën kontroll siç duhet fuqitë e tij. Njëri prej tyre kaloi pranë një manastiri të një murgu dhe e pyeti: “O murg, kur është dita e festimit të këtyre njerëzve?” Ai u përgjigj, “Dita që Zoti i fal ata”.
Kur preokupoheni me veten tuaj, nuk jeni ndryshe nga një burrë që e gjen gruan e tij në tavernën e një shitësi të verës, e cila ka sjellë me vete veshjet sensuale dhe gatimet më të mira. Dhe kur ajo nuk arrin ta kryejë namazin, pronari i tavernës e ushqen atë me ushqimin më të mirë dhe kënaqësitë më të mëdha.
Duke jetuar në këtë botë, je si një individ që shkon në një kullotë dhe punon shumë dhe ruan ushqimin baze. Ti mbledh atë që të sjell përfitime këtu dhe tani. Por kur ruan gjarpërinjtë e dëshirës trupore dhe akrepat e mosbindjes, shkatërron veten tënde. Sa injorant që je! Njerëzit i ruajnë elementët kryesorë për kohën e tyre të nevojës, ndërsa ti thjesht ruan atë që të dëmton, domethënë akte mosbindjeje! A sheh ndonjë që sjell gjarpërinj helmues në shtëpinë e tij dhe i rrit? Kjo është ajo që ti bën
Gjëja më e dëmshme nga të cilat duhet të kesh frikë për veten janë gjynahet e vogla që i nënvlerëson. Sepse mund të vlerësosh peshën e gjynaheve të mëdha dhe të pendohesh për to. Por ti nuk i kushton rëndësi gjynaheve të vogla dhe për pasojë nuk pendohesh për to. Ngjashmëria jote këtu është ajo e një personi që përballet me një luan nga i cili Zoti e shpëton. Pastaj përballet me pesëdhjetë ujqër që e kapin atë. Zoti tha: “Ju këtë e merrnit për gjë të lehtë, por para Allahut kjo ishte një shkelje e madhe”. [Kuran 24: 15] Mëkatet e mëdha (në vetvete) mund të bëhen të papërfillshme falë hirit të Zotit. Por kur vazhdon të bësh një mëkat të vogël, ai bëhet i madh. Helmi, edhe në sasi të vogla, mund të të vrasë. Mëkati i vogël është si një shkëndijë zjarri. Dhe një shkëndijë e vetme mund të djeg një qytet të tërë.
Përktheu: Rezart Beka
Erasmusi.org