Taxh el-Arus: udhëzime për rafinimin e vetvetes – Ibn Ataullah el-Skenderi

Taxh el-Arus: udhëzime për rafinimin e vetvetes – Ibn Ataullah el-Skenderi

Falënderimi i qoftë Allahut, Zotit të të gjithë qenies dhe ardhjes në ekzistencë. Përshëndetjet e Tij qofshin mbi Muhamedin tonë shembullor, familjen e tij dhe mbi të gjithë sahabët. Ky është libri, “Taxh el-Arus: udhëzime për rafinimin e vetvetes”, nga Shehu, Imami dhe bashkuesi i dy shkencave, sheriatit (i cili rregullon sjelljen e jashtme) dhe hakikatit (i cili adreson realitetin e brendshëm) Taxh el-Din Ebu el-Abbas Ahmed b. Ataullah el-Sekenderi, Zoti e mëshiroftë! Dhe bekimet dhe përshëndetjet e Tij qofshin mbi Muhamedin tonë shembullor dhe të gjithë sahabët e tij. Amin.

O robërit e Allahut, kërkoni në çdo kohë nga Allahu frymëzimin dhe fuqinë për t’u penduar. Në të vërtetë, Zoti ju ka ftuar në këtë, duke thënë: “Dhe pendohuni Zotit, të gjithë ju, O Besimtarë, mbase mund të keni sukses.” [24:31] Dhe Ai tha, “Me të vërtetë Zoti i do ata që pendohen vazhdimisht, dhe Ai i do ata që pastrojnë vetveten”. [2: 222] Dhe Profeti tha: “Në të vërtetë, i pendohem Zotit shtatëdhjetë herë në ditë”.

Tani, nëse dëshiron të arrish pendim, në asnjë moment të jetës nuk duhet të privohesh nga reflektimi. Reflekto për ato që ke bërë gjatë ditës. Nëse e sheh se i je bindur Allahut, falënderoje Zotin për këtë. Nëse e sheh se ke qenë i pabindur, qortoje veten, kërkoji Allahut falje dhe drejtoju Atij me pendim (teube). Në të vërtetë, nuk ka audiencë më të dobishme me Zotin se sa ajo në të cilin je kritik ndaj vetes. Por mos e qortoni veten duke qenë në gjendje gazi dhe të qeshure. Përkundrazi, qortoni veten duke qenë në një gjendje serioziteti dhe ndershmërie, duke qenë të ngrysur, me një zemër të rëndë, kokëulur dhe të turpëruar. Nëse e bëni këtë, Zoti do ta zëvendësojë trishtimin tuaj me lumturi, turpërimin tuaj me dinjitet, errësirën që ju ka përfshirë me nur, si dhe velin që pengon shikimin tuaj të brendshëm me zbulim shpirtëror (keshf).

Në bazë të autoritetit të Sheh Makin el-Din el-Esmer (vd. 692/1293), i cili ishte një nga shtatë kutbet: “Në fillim të të jetës sime, kam pas qepur për të siguruar jetesën. I shënoja fjalët e mia gjatë ditës dhe natën e merrja veten në llogari. Zbulova që fjalët e mia ishin të pakta. Kurdoherë që gjeja fjalë të mira, e lavdëroja Zotin dhe e falënderoja. Kur gjeja përveç kësaj, u pendoja para Zotit dhe kërkoja faljen e Tij. ” Ai vazhdoi ta bënte këtë derisa u bë kutb, Zoti qoftë i kënaqur me të.

Dije se nëse ke një agjent që e merr veten në llogari dhe e quan veten përgjegjës, nuk do të keni nevojë t’i kërkoni llogari, sepse ai e bën atë vetë. Por nëse ai është neglizhent, ju do ta merrni në llogari, do ta konsideroni përgjegjës dhe madje edhe do ta ekzagjeroni në çështjen. Në një mënyrë të ngjashme, të gjitha veprimet e tua duhet të ndjekin interesat e Zotit. Dhe nuk duhet të mendosh se do të bësh ndonjë gjë për të cilën Zoti nuk do të të thërras për të dhënë llogari dhe të të konsideroj përgjegjës.

Kur një person kryen një gjynah, kjo shoqërohet me errësirë. Në të vërtetë, mosbindja është si zjarri dhe errësira është tymi i saj. Është si dikush që ndez zjarrin në një dhomë për shtatëdhjetë vjet. A nuk mendon se çatia e asaj dhome do të nxihet? Në të njëjtën mënyrë, zemra është nxirë nga mosbindja. Dhe asgjë nuk e bën atë të pastër përveç pendimit ndaj Zotit. Poshtërimi, errësira dhe të pasurit një perde ndërmjet teje dhe Zotit janë shoqërues të natyrshëm të mosbindjes. Por kur pendohesh para Zotit, efektet e këtyre mëkateve zhduken.

Neglizhenca nuk mund të gjej asnjë rrugë për tju kapluar përveçse përmes pakujdesisë suaj në ndjekjen e shembullit të Profetit. Dhe nuk do të lartësoheni para Zotit, përveç nëse ndiqni shembullin e Profetit. Tani, ndjekja e shembullit të tij, merr dy forma: të jashtme dhe të brendshme. Forma e jashtme është në çështje të tilla si namazi, agjërimi, zekati, haxhi, xhihadi dhe të ngjashme. Forma e brendshme është që lutja juaj të karakterizohet nga një lidhje me Zotin dhe recitimi juaj i Kuranit të jetë një soditje rreth Tij. Pra, kur kryeni një veprim bindjeje siç është namazi ose recitimi dhe nuk gjeni as lidhje e as reflektim, dijeni që jeni të prekur nga ndonjë sëmundje e brendshme, qoftë ajo arrogancë, mendjemadhësi ose ndonjë sëmundje e ngjashme. Në të vërtetë, Zoti thotë: “Do t’i largoj prej shenjave të Mia ata që sillen me arrogance në Tokë, kështu që edhe kur të shohin çfarëdo shenje, nuk do ta besojnë atë “. [7:146] Në raste të tilla, do të ngjasosh me një person që është i mbështjellë me ethe, në gojën e të cilit sheqeri merr një shije të hidhur. Por (edhe në këtë kontekst), mosbindja në një gjendje turpërimi dhe njohja e nevojës së dikujt për udhëzim është më mirë sesa bindja në një gjendje mendjemadhësie dhe arrogance.

Allahu thotë, në lidhje me thënien e Ibrahimit, Mikut Intim të Zotit, mbi të dhe mbi Profetin tonë Muhamed qofshin më të mirat e përshëndetjeve dhe paqes më të plotë, ” Ai që më pason mua, është i fesë sime”. [14: 36] Kjo nënkupton që kushdo që nuk e ndjek atë nuk është prej tij. Zoti tha, në lidhje me thënien e Nuhut, paqja dhe paqja qoftë mbi të dhe mbi Profetin e përzgjedhur, “Me të vërtetë djali im është nga familja ime”. [11: 45] Këtij Zoti iu përgjigj, ” O Nuh, ai nuk është nga familja jote, ai ka bërë punë të keqe ”. [11: 46] Kështu, veprimi i ndjekjes së dikujt e bën ndjekësin sikur të ishte një pjesë e atij që ndiqej, edhe nëse nuk është i lidhur me gjak, siç ishte rasti me Selman el-Farisiun, siç tregohet nga thënia e Profetit: “Selmani është një anëtar i familjes sonë.” Dihet, natyrisht, që Selmani ishte një Persian. Por për shkak të angazhimit të tij për të ndjekur Profetin, Profeti shprehu këto fjalë fisnike për të, në mënyrë që të na udhëzojë në këtë drejtim. Ashtu siç ndjekja e dikujt krijon një lidhje, mungesa e saj rezulton në shkëputje.

Allahu e ka mbledhur tërë mirësinë në një shtëpi dhe e ka bërë çelësin e saj ndjekjen e Profetit. Pra, ndiqni Profetin duke qenë i kënaqur me atë që ju ka siguruar Zoti, duke evituar dhe kufizuar kënaqësitë e kësaj bote dhe duke lënë atë që nuk ju shqetëson, prej fjalëve dhe veprave. Kujtdo që i hapet dera e ndjekjes se Profetit, kjo është një tregues i dashurisë së Zotit. Në të vërtetë, Zoti thotë: “Thuaj, (O Muhamed) nëse e doni Zotin, atëherë më ndiqni; Zoti do t’ju dojë dhe do t’ju falë mëkatet tuaja. Dhe Zoti është falës, i mëshirshëm. ” [3: 31] Pra, nëse doni të kërkoni tërë mirësinë, thoni, “O Zot, unë të kërkoj dhuratën e ndjekjes së të Dërguarit tënd, në fjalët dhe veprat e tij”. Dhe kushdo që e dëshiron këtë, duhet të braktisë padrejtësinë ndaj shërbëtorëve të Zotit, si për nderin ashtu edhe për prejardhjen e tyre. Në të vërtetë, nëse njerëzit do të gëzonin siguri nga padrejtësitë e njëri-tjetrit, të gjithë do të shpejtonin te Zoti. Por atyre iu është penguar ta bëjnë këtë, si një debitor, lëvizja e të cilit është e kufizuar nga frika e mbledhësve të borxheve.

Dije që nëse do të merrje favoret e një mbreti dhe do të jepej akses i ngushte tek ai dhe më pas dikush, të cilit i ke borxh para, vjen duke ti kërkuar ato, do të bezdisesh, edhe nëse shuma do të ishte e vogël. Atëherë, si e imagjinoni veten kur të vini në Ditën e Gjykimit dhe qindra mijëra vijnë duke kërkuar dëmshpërblim për shkeljet e ndryshme që keni bërë kundër tyre në mënyrën e marrjes së parave të tyre, duke kundërshtuar nderin e tyre, ose të tjera gabime të tilla? Cila do të jetë gjendja juaj?

I pikëlluari me të vërtetë është ai që mëkatet dhe pasionet e tij mishore e shkatërrojnë atë deri në atë pikë sa ta shndërrojnë atë si një pagure bosh. Ky është mjerani patetik ushqimi dhe dëshirat trupore të të cilit nuk janë hiç më shumë se mbushja e tualetit të tij dhe kënaqja e bashkëshortit. Kjo do të ishte kështu edhe nëse gjithë kjo do të ishte prokuruar dhe ekzekutuar në mënyrë të ligjshme!

Kështu, stacioni i parë është pendimi. Dhe asgjë që bëhet më pas nuk pranohet në mungesë të pendimit.

Një person i cili merret me sjellje mëkatare është si një tenxhere krejt e re nën të cilën një flakë ndizet për një periudhë kohore, si rezultat i së cilës fundi i saj nxihet. Nëse nxitoni ta lani atë, kjo nxirje do të pastrohet. Por nëse e lini atë dhe gatuani në të vazhdimisht, kjo nxirje do të bëhet pjesë e saj deri në atë pikë sa të zë shtresë dhe larja nuk do të jetë më e dobishme. Pendimi është ai që largon blozën nga zemra, aq sa prej saj shfaqen vepra që bartin aromën e të qenit të pranuara nga Zoti. Prandaj, vazhdimisht drejtoju Zotit me pendim. Dhe nëse e arrini këtë, koha juaj do të shpenzohet mirë. Sepse kjo është një dhuratë nga Zoti që Ai e vendos në këdo që të dëshirojë midis shërbëtorëve të Tij. Një shërbëtor i lodhur, i përulur mund ta arrijë atë ndërsa zotëria e tij jo; një grua mund ta arrijë atë ndërsa burri i saj jo; një i ri mund ta arrijë atë, ndërsa ai i avancuar në vite jo. Pra, nëse e arrini pendimin, (ta dini se) Zoti ju ka bërë juve objektin e dashurisë së Tij, në përputhje me thënien e Tij, “Me të vërtetë Zoti i do ata që pendohen vazhdimisht dhe Ai i do ata që pastrohen.” [2: 222]

Përktheu: Rezart Beka

Erasmusi.org