
Shkruan:
Bexhet Asani
SHUKRI ZYBERI NJË TALENT I (PA) HARRUAR NË MUZIKË
Shukri Zyberi u lind në vitin 1947 në fshatin Zagraçan të Strugës. Shkollën fillore dhe tetëvjeçaren e kreu në vendlindje, kurse Normalen dhe ShLP drejtimi Biologji – Kimi, në Universitetin e Shkupit. Gjithë kohën punoi si arsimtar i lëndëve Biologji – Kimi, në tetëvjeçaren e Dollogozhdit dhe të Zagraçanit gjersa doli në pension. Pas pensionimit për një kohë punoi e jetoi në Nju Xherzi të ShBA. Sot jeton në fshatin e tij të lindjes. Shukri Zyberi edhe pse ishte arsimtar i lëndëve Biologji – Kimi ai kishte pasion muzikën. Shukriu nuk ndoqi ndonjë shkollë apo kurs për muzikë, por ishte autodidakt. Ai i luan në fizharmonikë apo harmonikë siç i thonë në anët tona. Ishte aktiv me harmonikën e tij në korin e shkollës kudo që punoi. Jo vetëm në shkollë por edhe në aktivitetet kulturore që mbaheshin vitet shtatëdhjetë në Zagraçan e më gjerë. Për këtë kam shkruar te libri “Orbita e fjalës” 2018 me titullin “Gjimnazistët entuziastë”. Shkas për këto pak fjalë për këtë talent të harruar u bë një emision dokumentar që e ka bërë TV Shkupi në vitin 1976. Në kët emision shihet arsimtari Shukri Zyberi duke i rënë harmonikës, ulur në karrige, me korin e shkollës së Dollogozhdit. Aty nga mesi i viteve gjashtëdhjetë, te shtëpia e tij mblidheshin djemtë e katundit, ai i binte harmonikës ndërsa Selim Murati këndonte këngën “A kanë ujë ato burime”, ne i dëgjonim si fëmijë të vegjël që ishim. Kam përshtypjen se edhe Selimi mund të bëhej një këngëtar i dëgjuar. Por talenti i tij u shua shumë shpejtë. Kure Shukriu për tërë jetën talentin e tij në muzikë pothuaj e mbajti të ndrydhur! Falë emisionit dokumentar për Dollogozhdin, mund të dëgjohet e të shihet talenti i rrallë i Shukriut në muzikë. Harmonika ishte dhe është pjesë e talentit dhe jetës së tij. Për të jeta dhe muzika pa harmonikën e tij të dashur nuk ka kuptim!
Nju Xherzi,
më 14 maj 2020

