Luftë dhe sëmundje: në Jemenin pa Corona, vdekjet që po shkaktohen nga mushkonja

Të paktën 50 njerëz në Jemen (ku s’ka asnjë problem nga koronavirusi) kanë vdekur nga sëmundjet e shkaktuara nga mushkonjat. Një zyrtar pa emër i qeverisë së Jemenit deklaroi se 50 njerëz vdiqën në qytetin Aden nga ethet e Chikungunya-s të transmetuara nga mushkonjat, duke shtuar se më shumë se 3000 njerëz u sëmurën.

Midis të vdekurve është dhe guvernatori i qarkut Sheikh Othman në Aden në Jemenin jugor. Sëmundja besohet të jetë shkaktuar nga ligatinat që u shfaqën pas përmbytjeve të mëdha në 21 prill. Tetë njerëz u vranë gjatë përmbytjeve, duke përfshirë katër fëmijë, ndërsa shumë shtëpi u shkatërruan.

Qeveria jemenase ka shpallur kryeqytetin e përkohshëm të Adenit një zonë katastrofash. Chikungunya është një sëmundje virale e transmetuar nga mushkonja Aedes aegypti, e cila është një bartëse e virusit Zika dhe virusit Dengue.

Njerëzit e infektuar me virusin e Chikungunya-s ndjejnë një dobësi të përgjithshme, përzierje në stomak, kanë temperaturë të lartë, dhimbje të forta dhe ënjtje të nyjeve.