Mbi 3 mijë persona kanë firmosur një peticion online që i drejtohet Kryesisë së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Peticioni ka si kërkesë hapjen e dyerve të xhamive për besimtarët dhe qytetarët. Aktivitetet me natyrë tubuese në xhamitë e vendit janë pezulluar që prej datës 22 prill me vendim të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Kërkesa vjen në një kohë kur besimtarët e komunitetit myslimanë janë në muajin e Ramazanit. Në peticion thuhet se, në një kohë kur gjatë dy javëve të ardhshme qeveria parashikon hapjen e pothuajse të gjitha aktiviteteve ekonomike e shoqërore, përfshirë edhe ato që deri para pak ditësh konsideroheshin me rrezikshmëri të lartë, duhet të merret në konsideratë dhe hapja e xhamive.
Organizatorët i referohen dhe një rasti në Gjermani, ku pas kërkesës së një shoqate myslimane, gjykata kushtetuese e Lower Saxony (Saksonia e Ulët), ka rrëzuar vendimin e autoriteteve për të ndaluar çdo veprimtari fetare.
“Ndërkohë që bashkësitë fetare në vendin më të madh të Evropës kanë detyruar qeverinë federale të ulet në bisedime për të përcaktuar rregullat për hapjen e objekteve të kultit, është e papranueshme që Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH), i cili i ka mbyllur me vendimin e tij të pavarur xhamitë në të gjithë vendin, të mos i hapë dyert e tyre”, thuhet në peticion.