Gripi paraqet një sëmundje akute të rrugëve të frymëmarrjes të cilën e shkakton virusi i influencës të tipit A dhe B, që zakonisht paraqitet në numër të madh ose në formë epidemie gjatë periudhës së dimrit. Në këtë periudhë të shpeshta janë edhe infeksionet me viruse të tjerë respiratorë të cilët kanë simptoma të njëjta ose të ngjashme me ato të gripit.
Në praktikë është e vështirë të bëhet dallimi nëse bëhet fjalë për grip ose për një ftohje të zakonshme duke u bazuar vetëm në simptomat e manifestuara dhe pa u bërë analizë laboratorike, gjegjësisht vërtetim mikrobiologjik i shkaktarit të sëmundjes.
Prandaj, pa diagnozë të sigurt këto sëmundje emërtohen “sëmundje të ngjashme me gripin” (influenza like illnesses – ILI) ose klasifikohen si infeksione respiratore akute (IRA).
Gripi është i rëndësishëm nga dy aspekte:
- regjistrimi i numri të madh të të sëmurëve dhe i rasteve të vdekjes si pasojë e gripit,
- mungesave në punë, rënie e produktivitetit, ngarkim dhe rritje e shpenzimeve të shërbimeve shëndetësore dhe shërbimeve sociale (efekti ekonomik).
Mendohet se gjatë një viti rreth 3-5 milionë njerëz në mbarë botën sëmurën nga forma të rënda të gripit, ndërsa 250-500 mijë prej tyre vdesin.
Shkaktari i sëmundjes
Ekzistojnë më shumë lloje të viruseve të influencës (Tipi A, B dhe C), por për njeriun më me interes janë viruset e tipit A dhe B, sepse ato shkaktojnë sëmundje tek popullata humane.
Mënyra e përhapjes
Gripi është sëmundje infektive që përhapet nga një njeri tek tjetri, kryesisht nëpërmjet pikave të vogla të cilat i spërkat personi i infektuar gjatë teshtitjes dhe kollitjes, ose në mënyrë të tërthortë përmes kontakteve me sekrete (lëngje) respiratore të personit të sëmurë me të cilat janë ndotur duart e tij ose sipërfaqet me të cilat ka qenë në kontakt, ose me gjësendet që ka përdorur.
Simptomat e sëmundjes paraqiten 1-4 ditë pas depërtimit të virusit në trupin e njeriut. Pjesa më e madhe e njerëzve mund tua përcjellin virusin të tjerëve 1 ditë para shfaqjes së simptomave dhe 5-7 ditë pas manifestimit të sëmundjes. Kjo do të thotë se një person mund ta përcjellë virusin edhe para se të dijë se është i infektuar.
Si manifestohet?
Sëmundja ka një fillim të papritur me temperaturë të lartë trupore, dhimbje koke, plogështi të përgjithshme, kapitje, dhimbje të muskujve dhe nyjeve, gjembje të fytit, lotim të syve dhe sekrecion nga hundët, kollë e cila në të shumtën e rasteve është kollë e thatë dhe pa sekret. Nuk është e thënë që secili person i sëmurë nga gripi ti ketë të gjitha simptomat, e ndodh që një pjesë e të infektuarve sëmundjen ta kalojnë edhe pa simptoma ( sipas disa studimeve rreth 20-30 % e të infektuarve mund ta tejkalojnë sëmundjen pa simptoma), ose me simptoma të një ftohjeje të lehtë.
Si vërtetohet diagnoza?
Për vërtetimin e diagnozës së gripit, me strishio merret material nga fyti dhe hunda dhe dërgohen në laborator të specializuar ku në materialet e dërguara vërtetohet prania e virusit ose pjesëve të tij. Në një kohë kur gripi është i përhapur gjerësisht në komunitet dhe ka një vërtetim laboratorik për këtë, diagnostikimi i çdo rasti në veçanti nuk është i domosdoshëm, por diagnoza caktohet mbi bazë të shenjave dhe simptomave klinike.
Si trajtohet?
Trajtimi i gripit, njësoj si edhe ftohjes, është simptomatik, domethënë trajtohen simptomat, e jo vetë sëmundja. Zbatohet një regjim i caktuar i higjienës dhe të ushqyerit (pushim, konsumim i sasive më të mëdha të lëngjeve, ushqim i lehtë, vitamina dhe minerale), ndërsa me rekomandim të mjekut dhe në varësi nga rëndësia e sëmundjes, mund të jepen edhe disa barna antivirale. Terapia me antibiotikë jepet vetëm në raste të infeksioneve bakteriale sekondare të cilat e përkeqësojnë rrjedhën dhe rezultatin e sëmundjes, gjegjësisht për të trajtuar ndërlikimet nga gripi, por vetëm me rekomandim nga mjeku.
Masat specifike për parandalim – vaksinimi
Si masë më e mirë për parandalim është vaksina kundër gripit, e cila posaçërisht rekomandohet për personat mbi 65 vjet, personat me sëmundje kronike dhe me imunitet të kompromentuar, si dhe për fëmijët nën moshën 2 vjeçe. Vaksinimi kundër gripit nuk paraqet një garancë 100% se personi i vaksinuar nuk do të sëmurët, por që do e kalojë atë në një formë më të butë dhe me një rrezik dukshëm më të ulët nga ndërlikimet e mundshme. Përdorimi i barnave për parandalim të gripit ose sëmundjeve të ngjashme me gripin nuk rekomandohet.
Masat e përgjithshme për parandalim
Masat e përgjithshme për mbrojtje nga gripi janë masa që merren për të gjitha sëmundjet respiratore akute dhe mund të jenë mjaft të dobishme, posaçërisht nëse zbatohen gjatë gjithë periudhës së dimrit:
- Të evitohen tubimet dhe qëndrimet në mjedise ku qëndrojnë më shumë persona, dhe posaçërisht të evitohen kontaktet me personat e sëmurë ose të cilët kanë simptoma të sëmundjes – kolliten, teshtinë, kanë temperaturë të lartë trupore!
- Duart të lahen sa më shpesh me ujë dhe sapun dhe me mjet për dezinfektim!
- Ambienti dhe mjediset ku qëndrohet gjatë ditës të ngrohen dhe të ajrosen më shpesh!
- Rekomandohet të vishen disa shtresa me rroba, të bëhet dush me ujë të ngrohtë!
- Të konsumohen pije të ngrohta (çaj, supë), lëngje të freskëta, ujë me limon.
- Të konsumohen produkte të pasura me vitamina dhe minerale, kryesisht fruta dhe perime të cilat janë të domosdoshme për organizmin.
Posaçërisht rekomandohen produktet e pasura me vitaminën C (agrumet,limoni, portokalli, speci). Nëse nuk keni produkte ushqimore të freskëta, atëherë mund të përdorni edhe preparate multivitaminoze.
- Si mjete shtesë mund të përdoren preparate si propolis, ehinacea, mjaltë, xhenxhefil, hudhër, etj.
- Të praktikohet një mënyrë e shëndetshme e të jetuarit dhe shprehi të shëndetshme, gjumë dhe pushim i mjaftueshëm, të konsumohet ushqim i shëndetshëm, të bëhen aktivitete fizike dhe mentale për të zvogëluar nivelin e stresit. Imuniteti i fortë do ju ndihmojë të jeni të shëndetshëm, ose së paku më lehtë ta përballoni gripin dhe sëmundjet e ngjashme me gripin.
Megjithatë, edhe sikur të gëzoni shëndet të plotë dhe të keni imunitet të fortë, ju përsëri mund të sëmureni nga gripi dhe sëmundjet e ngjashme me gripin!
Çfarë duhet të bëj nëse sëmurem nga gripi? Si ti mbroj të afërmit?
Nëse sëmureni nga gripi ose nga ndonjë infeksion tjetër virusal të ngjashëm me gripin, atëherë duhet t’ju përmbaheni rekomandimeve në vazhdim:
- Qëndroni në shtëpi dhe mos shkoni në punë, në shkollë ose në vende ku ka shumë njerëz!
- Pushoni dhe konsumoni mjaft lëngje dhe ushqime të lehta!
- Evitoni kontaktet me personat me të cilët jetoni, mos pranoni vizita gjatë kohës që jeni sëmurë!
- Mbuloni gojën dhe hundën me maskë ose fasuletë kur kontaktoni me të afërmit tuaj, kur kolliteni ose kur teshtini!
- Lajini duart me ujë të ngrohtë dhe sapun – shpesh dhe mirë, sidomos pasi të jeni kollitur ose të keni teshtirë!
- Përdorni fasulet të lagëta që përmbajnë alkool ose ndonjë preparat tjetër për dezinfektim të duarve!
- Mos i prekni sytë, hundën dhe gojën me duar!
- Mënjanoni ose dezinfektoni gjësendet e ndotura nga mjedisi!
- Mjedisin ku qëndroni gjatë kohës që jeni sëmurë ajroseni sa më shpesh!
- Mirëmbani pastërtinë e mjedisit ku qëndroni – gjësendeve, sipërfaqeve me preparate për higjienë!
- Nëse jeni mbi 65 vjet ose vuani nga ndonjë sëmundje kronike, ose nëse simptomat e sëmundjes sa vjen e përkeqësohen, ose zgjasin për më shumë ditë me radhë – kërkoni ndihmë nga mjeku juaj!