Gjermani; Pandemia/ Kushtetuesja rrëzon vendimin e Qeverisë. Muslimanëve u njihet e drejta e faljes në grup

Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë rrëzon vendimin e Qeverisë dhe u njeh të drejtën besimtarëve myslimanë të kryejnë ritet fetare, transmeton ARD.

Që nga koha kur epidemia e nCovid-19 u përhap me shpejtësi nga viset e largëta të Kinës në mbarë botën, shumë qeveri ndërmorën një sërë masash drastike izolimi, duke përfshirë edhe pezullimin e riteve dhe shërbesave fetare në grup, me arsyetimin se të tilla grumbullime mund të ndikonin në përhapjen e virusit.

Një vendim i tillë ka ndeshur në jo pak raste me pakënaqësinë e besimtarëve të feve të ndryshme në shumë vende të botës, një pjesë e të cilëve i kanë cilësuar vendimin në fjalë si shkelje e të drejtave themelore të njeriut, ku përfshihet edhe liria e besimit dhe liria e ushtrimit të riteve fetare, dhe u janë drejtuar gjykatave.

Një hap të tillë ndërmori së fundi edhe një shoqatë besimtarësh muslimanë në Saksoninë e Poshtme, Gjermani. Pas rrëzimit të çështjes nga Gjykata Rajonale të Saksonisë së Poshtme, e cila mbajti anën qeverisë, siç raporton ARD, shoqata e besimtarëve muslimanë e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

 Kjo e fundit, mbasi mori në shqyrtim çështjen, doli mbrëmjen e të mërkurës me vendim, i cili i jep të drejtë besimtarëve, duke theksuar se “pezullimi i riteve dhe i shërbesave fetare përbën shkelje të të drejtës së besimit”, arsye për të cilën, “në disa raste duhet të bëhen përjashtime”, me kushtin që organizatorët “të marrin masat e duhura e të mjaftueshme për parandalimin dhe uljen e rrezikut të përhapjes së epidemisë”, të tilla si pajisja me maska dhe ruajtja e rregullave të distancimit social.

Duke qenë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë precedent me vlerë ligjore për mbarë territorin e Republikës Federale të Gjermanisë, falë këtij hapi të shoqatës së besimtarëve muslimanë përfituan dhe besimtarët e feve të tjera, për shkak se ky vendim vlen jo vetëm për xhamitë, por edhe për kishat dhe sinagogat. 

Krahas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës Federale Gjermane, edhe Gjykata e Lartë e Teksasit mori të njëjtin vendim në lidhje me çështjen “Hotze”, e cila është e njëjtë në thelb, ndërkohë që çështje të njëjta në thelb janë çuar dhe priten të shqyrtohen nga gjykatat e shumë shteteve të tjera të SHBA-së.