Liderët janë udhëheqës kompanish apo biznesesh të ndryshme, por kemi edhe liderë politikë, të cilët qëllim parësor kanë suksesin dhe arritjet e mëdha. Liderët janë maja e piramidës në përbërjen e një biznesi, janë njerëz që kanë vizion dhe bëjnë punë të palodhshme. Liderët janë zemra e trupit të punës, që vendosin në funksion organet e biznesit – punëtoret.
Lider mund të jetë çdokush që ka aftësi për udhëheqje, që ka vullnet për punë dhe që është i gatshëm të bëhet një, bashkë me pasuesit dhe punëtorët e tij. Por, që të jesh një lider i suksesshëm është më e vështirë, e këtë peshë të rëndë nuk mund ta mbajë gjithsecili. Kjo barrë shtohet edhe më shumë gjatë kohës së krizave të ndryshme. Madje, mund të themi se kjo periudhë nëpër të cilën po kalojmë, është një sprovë për të kuptuar se sa është i gatshëm dhe i denjë një lider për ta tejkaluar këtë periudhë, me sa më pak pasoja? Mbase, liderët duhet të jenë paraprakisht të përgatitur për këso situatash. Duhet të kenë një plan që ta lehtësojnë ose tejkalojnë këtë periudhë krize.
Meqë krizat janë të papritura e të paparashikueshme, siç është gjendja aktuale e shkaktuar nga pandemia e virusit Covid-19, atëherë liderët duhet të jenë shumë të kujdesshëm ndaj të punësuarve. Ata, të cilët e largojnë shumicën e punëtorëve nga puna ose ata që ua imponojnë qëndrimin në vendet e punës me kushte të papërshtatshme dhe me rrezikshmëri të lartë për përhapje të këtij virusi, nuk mund të quhen liderë. Sepse, në këtë gjendje arma më e fortë që lideri i vërtetë duhet ta përdorë për të luftuar të keqen, është komunikimi i vazhdueshëm me pasuesit, të punësuarit dhe publikun në rrethana të krizës. Sidomos, komunikimi i brendshëm në një situatë krize është shumë i rëndësishëm.
Për të qenë në gjendje të kontrollojnë një krizë, pasuesit duhet të kenë informacione saktësisht se çfarë është duke ndodhur. Fundja, kriza është një rrezik, por mbi të gjitha edhe një sfidë dhe një mundësi për një fillim të ri. Një qasje proaktive do të thotë një vendim i rëndësishëm për çdo organizatë në krizë. Lideri duhet të mendojë se si do ta ruajë imazhin e organizatës në publik, apo do t’i lejojë mediat që ta përshtatin atë? Jetojmë në një kohë kur vetëm lajmet e këqija përbëjnë ‘lajmin e mirë’, prandaj këtë etje mediatike do të duhet shuar me një komunikim të planifikuar. Dhe, kjo duhet para krizës, ngase kjo është gjëja më e rëndësishme. Ashtu siç bëri Martin Luther Kingu në Uashington, në vitin 1963, i cili me anë të fjalimit të tij historik e shndërroi përgjithmonë SHBA-në në vendin e barazisë dhe të demokracisë.
Një lider i mirë duhet t’i bëjë pasuesit të besojnë në atë që ai thotë. Të kontribuojë që gjendja të qetësohet dhe gjithçka. Duhet të jetë shpresëdhënës dhe të punojë fort që gjendja të rregullohet. Duhet të jetë i qetë dhe jo të përhapë panik dhe të mos gabojë në vendimmarrje. Kjo do t’i ndihmojë organizatës apo biznesit që ai drejton. Përgjithësisht, lideri duhet të jetë i kujdesshëm për gjithçka dhe në çdo situatë të jetë i gatshëm për t’u përballur me sfida. Sjellja e liderit ndikon në sjelljen e pasuesve në menaxhimin e krizave. E kjo është thelbësore për të arritur qëllimet strategjike të organizatës.
Dhe, në fund, roli i një lideri është i rëndësishëm, por më i rëndësishëm se kurrë është në kohë krizash të ndryshme, sepse ai është vija e hollë, që e ndan suksesin nga dështimi.
Shpresa Dibra, absolvente, Komunikim ndërkombëtar