Vetmia është një shpikje moderne. Të kuptuarit e asaj historie mund të na ndihmojë të kalojmë përmes kësaj pandemie

Saint Jerome, 1537. Found in the Collection of Art History Museum, Vienne. (Photo by Fine Art Images/Heritage Images/Getty Images)

Vetmia është një shpikje moderne. Të kuptuarit e asaj historie mund të na ndihmojë të kalojmë përmes kësaj pandemie

Fay Bound Alberti

https://time.com/5828736/loneliness-coronavirus-history/

Vetmia është bërë një “murtajë”, një “epidemi” ose “pandemi” që prek njësoj të rinj dhe të moshuar. Kryqëzimi i tij me një tjetër pandemi – COVID-19 – po krijon një alarm të gjerë. Ndërsa puna nga shtëpia bëhet një normë e re, me shkollat, baret dhe dyqanet e mbyllura dhe lëvizja e kufizuar, është ngritur shqetësimi për pasojat e karantinimit për shëndetin mendor. Më shumë se kurrë më parë, njerëzit janë të vetëm dhe të vetmuar, të privuar nga shoqërimi i të tjerëve, nga prekja dhe lidhja njerëzore. Vetmia në karantinim shpjegohet lehtësisht nga ata që vërejnë se, siç e thoshte neuroshkencetari shumë i cituar John Cacioppo, ne jemi të ndërtuar për intimitet. Njerëzit kanë një nevojë biologjike për të qenë në grupe shoqërore dhe vetmia na thotë se kemi një nevojë fizike për kontakt njerëzor.

Megjithatë, kjo qasje biologjike injoron historitë e trupit dhe emocionet. Anashkalon faktin se vetmia nuk është një gjendje universale njerëzore, por një fenomen historik. Para 1800, vetmia nuk ishte as ndonjë fjalë e përdorur rregullisht në gjuhën angleze. Aty ku përdorej, kishte kuptumin e termit të zakonshëm “vetmi”, d.m.th. gjendja e të qenurit vetëm. Pemët ishin të vetmuara, rrugët ishin të vetmuara, madje edhe retë – siç vuri në dukje William Wordsworth në poezinë e tij të famshme. Por kjo vetmi nuk ishte njësoj si vetmia e sotme, si shkëputja midis marrëdhënieve që kemi dhe atyre që duam të kemi.

Sigurisht, njerëzit ishin të vetmuar para shekullit të 19-të. dhe, siç e ka thënë Robert Burton (1628) në librin e tij “Një anatomi e melankonisë”, vetmia mund të ishte e tepërt, duke i bërë njerëzit të obsesionuar dhe të fantazojnë për gjëra të çuditshme. Pak njerëz jetuan vetëm, e pak prej tyre jetonin në qyteza apo qytete. Disa njerëz jetuan në një izolim të qëllimshëm shpirtëror – që nga Pali i Tebës në shekullin e tretë, heremitët fetarë u izoluan në shkretëtira dhe pyje – por ata nuk ishin të vetmuar. As ngjarja e Robinson Kruzosë, i flakur nga dallgët për vite me rradhë në një ishull të vemtuar, siç e përshkruan novela e Daniel Defoe’s e vitit 1719, nuk ishe vetmi. Pse?

Kjo nuk është një lojë fjalësh. Historia e emocioneve është një fushë akademike e themeluar mirë që gjurmon se si emocionet kanë ndryshuar me kalimin e kohës si dhe gjuha që është përdorur për t’i përshkruar ato. Për të ekzistuar vetmia, duhen dy gjëra: mungesa e kuptimit në marrëdhëniet e një personi (ose mungesa e plotë e marrëdhënieve) dhe një ndjenjë e vetvetes si e ndarë nga të tjerët. Në shoqërinë para-moderne, feja i dha kuptim të gjithë ekzistencës, dhe kishte më pak theks në veçantinë e individit. Siç e shprehu edhe poeti Aleksandër Pope, “Zoti dhe natyra e lidhnin kornizën e përgjithshme / Dhe dashuria e vetë-dashurisë dhe e shoqërisë janë të njëjta” (Ese mbi Man III, 1731). Për të mirë apo keq, një dorë e padukshme kishte timonin. Kur në shekullin e 18, gruaja e librarit dhe biografit Thomas Turner vdiq dhe miqtë e tij e braktisën, ai ishte i “mbuluar deri në varr me telashe”, por ai nuk ishte i vetmuar. Dhe si mund të ishte ai? Zoti ishte gjithmonë aty.

Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, moderniteti kishte sjellë pasiguri, si dhe liri. Është e vërtetë që feja vazhdoi, por ndryshimet në jetën shoqërore, strukturat ekonomike dhe filozofia krijuan mënyra të reja për të parë botën – dhe vendin tonë në të. Bindja fetare ishte sfiduar që nga shekulli i 16-të, por mjekësia shkencore shkatërroi idenë e sigurisë mbi shpirtin. Urbanizimi prish komunitetet tradicionale dhe krijoi distancë fizike nga (dhe konkurrenca me) të tjerët. Individualizmi ekonomik justifikohej nga idealet darviniane për mbijetesën e më të fortit. Filozofia ekzistenciale kërkonte kuptim pa Zotin.

Ky është konteksti historik, në të cilin u shpik gjuha e vetmisë, dhe më pas ajo është ruajtur nga politikat neoliberale. Hulumtimet kanë zbuluar se kombet individualiste (SHBA, Anglia, dhe pjesa më e madhe e Evropës) deri vonë raportuan nivelet më të larta të vetmisë, për dallim nga të ashtuquajturat kulturat kolektiviste (Japonia, Kina, Brazili). Këto modele po ndryshojnë me globalizimin, pasi konsumerizmi dhe vetmia bëhen më të përhapura, veçanërisht për të rinjtë.

Të kuptuarit e këtij emocioni si një produkt të historisë, më shumë se sa një përgjigje automatike biologjike, na lejon të konsiderojmë zgjidhje më të nuancuara për vetminë e shkaktuar nga karantinimi. Kjo është e rëndësishme sepse vetmia nuk është një emocion i vetëm. Ajo përmban shumë gjendje të ndryshme emocionale, nga zemërimi në trishtim, nga xhelozia deri tek pakënaqësia, nga pikëllimi tek shpresa. Një burrë i moshuar, bashkëmoshatarët e të cilit kanë humbur jetën si pasojë e COVID-19 do të përjetojnë një cilësi të ndryshme të vetmisë sesa një nënë e vetme që përpiqet të kombinojë punën me përkujdesjen për katër fëmijët e saj që e trajtojnë trupin e saj si një zgjatim i tyre. Vetmia strukturore – veçanërisht vetmia kronike që është shkaktuar nga varfëria, sëmundja e aftësisë së kufizuar, paaftësia dhe sëmundja – nuk është njësoj si vetmia ekzistenciale, e karakterizuar nga një dëshirë e madhe për të tjerët, ose më zakonisht për një person të dashur.

Duke pasur parasysh këtë, ndërhyrjet e duhura janë kritike – siç është e domosdoshme që edhe vetmia nuk është gjithmonë negative. Në histori, artistë dhe shkrimtarë si Virginia Woolf dhe May Sarton kanë shfrytëzuar jo vetëm vetminë, por dhembjen e vetmisë, në mënyrë që të krijojnë. Ka privilegj në atë lloj vetmie. Megjithatë, si dikush që studion vetminë, që nga fillimi i karantinimit kam marrë shumë emaile nga njerëz që festojnë ndjenjën e gëzimit për zilen që nuk bie më. Dhe shoqërimi nuk ka të bëjë vetëm me prekjen; lidhja jonë me botën dhe për të tjerët përfshin një gamë të gjerë shqisash, duke përfshirë prekjen, aromën dhe shijen. Ndoshta kjo është arsyeja pse kaq shumë njerëz kanë filluar të pjekin bukë në shtëpitë e tyre.

Ne nuk mund të trajtojmë vetminë e karantinimit pa u kujdesur për këto kompleksitete. Vetmia mund të jetë afatshkurtër ose afatgjatë, e rastit ose e përhershme. Mund të jetë aq e shkurtër sa një karantinim ose për sa githë jeta e një personi. Mund të jetë një rrezik shëndetësor ose nxitje për të vepruar. Por mënyra se si i përgjigjemi vetmisë, tek të tjerët dhe vetvetja, kërkon mendim dhe reflektim. Mes gjithë zhurmës në lidhje me “Heqjen e karantinimit” dhe titujve kushtuar dëshirës për të prekur dhe për tu prekur nga të tjerët, ne duhet të kujtojmë se sa e ndërlikuar dhe e ndryshme është vetmia. COVID-19 ka acaruar një problem të vetmisë që ekzistonte tashmë, ashtu si thekson ndarjen socio-ekonomike. Dhe me ose pa një pandemi, nuk ka asnjë zgjidhje që do mund ti jepte përgjigje njëherësh të gjitha problemeve të vetmisë.

Përktheu: Rezart Beka