Presidenti amerikan tha se Suedia ka “numrër shumë më të lartë” të vdekjeve nga COVID-19 në krahasim me fqinjët nordikë
Beyza Binnur Dönmez |30.04.2020
Presidenti amerikan Donald Trump tha se Suedia “po paguan rëndë” për moszbatimin e masave të detyrueshme të karantinës si pjesa tjetër e botës për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
“Deri më sot, 2.462 njerëz kanë vdekur atje, një numër shumë më i lartë se vendet fqinje Norvegjia (207), Finlanda (206) ose Danimarka (443)”, shkroi Trump në Twitter.
“Shtetet e Bashkuara morën vendimin e saktë!”, shtoi ai, duke lavdëruar reagimin e administratës së tij ndaj krizës COVID-19, përderisa SHBA vazhdon të jetë vendi më i goditur me numrin më të madh të të infektuarve dhe të vdekurve.
Vërejtjet e Trump erdhën një ditë pasi Mike Ryan, drejtori ekzekutiv i Programit të Emergjencave Shëndetësore pranë Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), vlerësoi Suedinë si një “model” për luftimin e virusit, duke thënë se ka “mësime për t’u mësuar” nga kombi skandinav.
Ryan tha se Suedia ka “vendosur një politikë publike shumë të fuqishme rreth distancimit social, rreth përkujdesjes dhe mbrojtjes së njerëzve në institucione të kujdesit afatgjatë”.
“Ajo që ka bërë ndryshe, është mbështetur shumë në marrëdhëniet me shtetasit e saj dhe aftësinë dhe gatishmërinë e qytetarëve për të zbatuar vetë-distancimin dhe vetë-rregullimin”, tha ai, duke shtuar se në këtë mënyrë është zbatuar politika publike përmes partneritetit me popullatën.
Sipas të dhënave të Universitetit amerikan Johns Hopkins, me afro 10,2 milionë banorë, Suedia ka shifrat më të larta të COVID-19 në rajon, me 20.302 të infektuar, 2.462 të vdekur dhe 1.005 të shëruar.