Numri i të infektuarve me Covid-19 në Strugë bie dita-ditës. Në 24 orët e fundit nuk është regjistruar asnjë rast i ri me të infektuar, ndërsa numri i përgjithshëm i të infektuarve është 66, përfshirë edhe 12 viktimat.
Një pjesë e madhe e personave të infektuar të cilët kanë qenë në izolim shtëpiak, janë shëruar.
Marrë parasysh se Struga është qytet turistik dhe shumë biznese varen nga turizmi, nga komuna e Strugës kanë paralajmëruar se së shpejti do të mbajnë një takim me bizneset, me qëllim që të dakordohen për lehtësimet për të rinisur punën.
“Përderisa jemi qytet turistik dhe normal pjesa më e madhe e biznesit varet nga lokalet, restorantet dhe pjesët tjera të biznesit të turizmit, ne do të kërkojmë që nga java tjetër të mbajmë një takim me bizneset e mëdha të turizmit dhe pastaj do të bëjmë kërkesë se çfarë ata të kërkojnë, ta bëjmë drejtpërdrejt me shtabin qendror, që të fillojmë me lehtësimet për hapjen e tyre, sepse prej aty varet jeta e shumë qytetarëve.”,- deklaroi shefi i kabinetit, Dashmir Nasufi.
Ndërkohë, aksioni për donacione për familjet në nevojë ka vazhduar dhe i është bashkangjitur edhe Kompania “Ecolog”, të cilët kanë dhuruar 50 pajisje teknike për fëmijët në nevojë.
(Ilmije Zhaku, TVM2)