Mbi “Genocidin Armen” dhe Turqinë.

Indrit VOKSHI

U çel dje një debat mbi genocidin ndaj armenëve. Si zakonisht, historia vendoset në shërbim të së ardhmes dhe ngjarjet e djeshme midis shteteve e popujve, njerëzit i gjykojnë mbi nevojën për të mbajtur krahun e njerës palë sot dhe nesër. Kështu ata që duan të propagandojnë kundër Turqisë sot, reklamojnë genocidin armen. Ata të cilët janë me Turqinë sot dhe duan të jenë me Turqinë edhe nesër, mohojnë genocidin armen.

Në ketë diskutim, vetëm Armenia dhe armenët nuk janë qëllimi. Qëllimi është Turqia, armenët janë shkaku. Ndërsa e vërteta historike nuk ka rëndësi, ajo humb dhe tretet sepse dominon akuza “Po mbron Turqinë” ose “Po sulmon Turqinë”. Përsëri armenët janë dytësorë, kryesorja mbetet Turqia.

Mirëpo është i nevojshëm një sqarim historik që të paktën njerëzia të mos manipulohen prej paditurisë. Si mbërritëm tek genocidi armen?

E gjithë kriza politike, ushtarake dhe rëndesa emocionale, nisi me një hov të ri më se 40 vjet para genocidit armen. Ato që njihen si “Tmerret bullgare” dhe ngjarjet që pasuan; sulmi i Rusisë dhe mposhtja e Perandorisë Osmane e fusin politikën e Stambollit në krizë, nervozizëm dhe histeri.

Çfarë ndodhi? Sqarim si fillim: shkaqet e shkatërrimit të Perandorisë Osmane (veç korrupsionit të administratës) janë nacionalizmi i etnive dhe ekspansionizmi rus. Asokohe, Rusia ka qenë rreziku kryesor i perandorisë. Rusia e ka shkatërruar Perandorinë Osmane.

Rusia e sulmoi perandorinë në dy drejtime: Vilajeti i Tunas mbi Bullgari dhe në Kaukaz. Ushtria ruse u fut deri në Selanik dhe u fut në Anadollin Lindor. Nga Kaukazi i spastroi të gjitha fshatrat dhe nga Bullgaria dëboi mijëra turq. Këta shkuan u strehuan në territorin që ka Turqia e sotme, duke i shkaktuar shtetit të lodhur osman një krizë humanitare dhe financiare, ngaqë nuk mundej t’i menaxhonte e t’i strehonte dhe ushqente gati 1 milion njerëz.

Në Anadollin Lindor ka ndodhur diçka e cila njihet si “Lufta Komunitare” e për të cilën askush nuk flet. Kur ushtria ruse mësynte perandorinë, armenët bashkoheshin me ushtrinë kundër shtetit ku jetonin për ta mposhtur që Rusia t’i merrte territor dhe të krijonin shtetin e tyre. Synim normal nga këndvështrimi i një populli apo grupimi politik. Mirëpo për të krijuar shtetin, armenët kishin një pengesë; nuk kishin vazhdimsi e kompaktësi të popullsisë, ishin vendosur disa diku e disa diku tjetër. Partia e tyre, Dashnak, parti nacionaliste, me mbështetje të ushtrisë ruse në luftën komunitare nisi planin e madh për spastrim të qindra fshatrave me popullsi joarmene, me qëllim për ta spastruar vilajetin e Vanit dhe për ta ndërtuar aty shtetin. Shteti osman ishte inekzistent në Anadollin Lindor, sepse nuk kishte financa për xhandarë e ushtri, ishte i shkatërruar. Kështu bandat turke, armene dhe kurde, ishin përfshirë në një luftë shumë të dhimbshme. Armenët ishin më të fortët ngase kishin mbështetje ruse.

Kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore ishte përsëri Rusia rrezik kryesor. Rusia financonte Malin e Zi, Serbinë si dhe partinë armene Dashnak si instrumente të luftës kundër perandorisë osmane me qëllim që cari i Rusisë të ulej në fron në Stamboll. Mali i Zi e Serbia dihet se kryen masakra të tmerrshme mbi shqiptarët, duke asgjësuar krahina të tëra si ajo e Lumës dhe Rugovës, duke shpërngulur me mijëra e duke vrarë gati 300.000 shqiptarë. Ushtria osmane pas thyerjes në Kumanovë nuk kishte asnjë fuqi kundër Malit të Zi e Serbisë. Nuk mundej t’i asgjësonte si rrezik ndaj këto ushtri e çuan deri në fund projektin, me një pengesë në Shkodër ku Esad pasha i Tiranës e mbajti Shkodrën deri me 23 prill 1913 dhe i vrau gjeneralit serb Damian Popoviç 1800 ushtarë në dy ditë (Popoviç ka qenë anëtar i Dora e Zezë e drejtuar nga Dragutin Dimitrijeviç i cili ishte organizator i vrasjes së Franz Ferdinandit dhe shef i shërbimit sekret të ushtrisë serbe).

Ndërsa në Anadollin Lindor ushtria osmane gjeti kapacitete ushtarake kundër Dashnakut armen, nisi kundërmësymjen. Ndërtoi projektin e shpërnguljes së një pjese të popullsisë armene që sipas ushtrisë osmane, duke mos pasur ushtria e Dashnakut mbështetje në popullsi, sdo mundej ta fitonte luftën. Gjatë shpërnguljes, jo vetëm bandat turke por edhe zyrtarë të ushtrisë masakruan një pjesë të armenëve me mendimin se po hakmerren për luftën komunitare. Lufta komunitare ka qenë fillesa e agresivitetit të palëve.

Ka një shprehje: kur buajt zhgërryhen në llucëz bretkoskës i dalin sytë (se e zënë poshtë). Sulltani me Carin po përplaseshin, popullsitë civile turke, çerkeze e armene u masakruan. A është pyetur se si kanë ardhur çerkezët në Kosovë e Shqipëri? Sepse ushtria ruse ka masakruar dhe spastruar etnikisht të gjithë Kaukazin i cili ishte i populluar me turkikë dhe muslimanë të ndryshëm. A është pyetur se pse jetojnë 4 milion shqiptarë në Turqi sot? Si shkuan? Sepse ushtria ruse në 1878 dhe Serbia e Bullgaria më pas i kanë spastruar etnikisht. Sikundër pse jetojnë mijëra shqiptarë çamë në Shqipëri? Sepse janë spastruar etnikisht.

Kjo nuk dmth se duhet mohuar ajo çfarë ka ndodhur me armenët, mirëpo paraqitja vetëm e armenëve, mbulimi dhe mohimi i shpërnguljes dhe masakrimit të komuniteteve të tjera si pomakët, çamët, shqiptarët, çerkezët etj e gris dhe e nxjerr fallso humanizmin e pretenduar nga reklamuesit e genocidit. Çamët janë 30 vjet më vonë madje.

Pse spo përmenden genocidet e tjera? Sepse këta, çerkezët, çamët, shaiptarët, nuk kanë diasporë të fortë në Francë që financon? Sepse kauzën dhe vuajtjen e tyre nuk e adoptojnë segmente anti-Greqisë e anti-Rusisë, siç e adoptojnë vuajtjen armene segmentet anti-Turqisë?

Mua më vjen keq për çdo armen e familje armene e cila është shpërngulur nga vatra e vet familjare. Jo se e ndjej vuajtjen e tyre, se smundem ta ndjej, por duke e imagjinuar, them se do ketë qenë e tmerrshme. Por pyes, qëllimi sot mbas 105 vitesh cili është? Të instrumentalizohet politikisht kundër një shteti, Turqisë? Çfarë kërkohet? Tu njihet genocidi dhe çfarë? Po çerkezët do kthehen në Kaukaz? Po çamët do kthehen në Çamëri? Se besoj. Nuk e besoj sepse segmentet që promovojnë genocidin armen, nuk kanë ndërmend të njohin as genocid mbi shqiptarët çamë, as genocid mbi shqiptarët në jug të Serbisë (një pjesë e Kosovës banohet sot nga familje të shpërngulura nga Nishi, Prokupja, Krushmulia, Kojuhu etj) mirëpo çfarë? As për heqjen e shtetsisë për 4 mijë shqiptarë të Preshevës sot nuk e denoncojnë.

Ngrihet shqiptari merret me ngjarje në Anadollin Lindor e Kaukaz, vetëm se ka rënë viktimë e propagandës së dikujt, kundër një shteti. Kërkoni mor për shqiptarët tuaj si fillim. Unë as e kam ndërmend që një çështje e cila nuk na takon, ta përfshij në diskutime. Jo po i takon humanizmit botnor…! Mirë, kur armenët dhe francezët t’i kërkojnë llogari Rusisë, Greqisë e Serbisë për shqiptarët, pra ta mbështesin kauzën time, do e mbështes edhe unë kauzën e tyre. Apo kauza ime nuk i takon humanizmit botëror?

Kulturatv.com