Graham kërkoi fillimin e një investigimi në laboratorin në qytetin Wuhan të rajonit Hubei të Kinës ku u shfaq pandemia Covid-19. Ai i kërkoi Kinës të bashkëpunojë lidhur me këtë çështje.
Senatori republikan në SHBA, Lindsey Graham, kërkoi fillimin e një hetimi në laboratorin në qytetin Wuhan të rajonit Hubei të Kinës ku u shfaq pandemia e koronavirusit të ri (Covid-19) dhe i kërkoi kësaj të fundit të bashkëpunojë lidhur me këtë çështje.
Në një deklaratë për kanalin “Fox News”, Graham vuri theksin se Kina është përgjegjëse për të paktën 53 mijë njerëzit që kanë humbur jetën dhe për 26 milionë persona të papunë për shkak të virusit. Ai tha se nëse Kina vazhdon me qëndrimin aktual, atëherë është e nevojshme që ndaj këtij vendi të zbatohen sanksione.
Graham ka mbrojtur idenë e tij se njerëzit në Kinë janë burgosur për shkak të besimit dhe feve të tyre dhe se asnjë vend tjetër në histori nuk ka shkaktuar kaq shumë dëm për botën.
Pasi tha se Kina duhet të bashkëpunojë me inspektorët për investigimin e laboratorëve në Wuhan, Graham vuri në dukje rëndësinë e mbylljes së tregut ku shiten kafshët e egra.
Ai tha se Bashkimi Evropian është i dobët në çështjen e Kinës dhe se nuk mund të bëjë asgjë.
Duke vënë në dukje se ka disa gjëra që ata vetë mund t’i bëjnë, senatori Graham theksoi se mund të zbatohen sanksione të tilla si ndalimin e udhëtimeve deri kur Kina të ndryshojë qëndrimin e saj dhe të bashkëpunojë me inspektorët, ndalimin e studentëve që vijnë nga Kina për të studiuar në SHBA, ndalimin e ardhjes së zyrtarëve kinezë në SHBA dhe kryerjen e investimeve të drejtpërdrejta të kompanive kineze në SHBA.
Graham tha se Kina i ka shkaktuar një dëm shumë të madh ekonomisë amerikane dhe se ajo duhet të paguajë koston e kësaj.