Në tre vjetorin e ngjarjeve të dhunshme në Kuvend, Aleanca për Shqiptarët shpreh keqardhje se një pjesë e organizatorëve të dhunës makabre në Kuvend shëtisin lirshëm ndërsa një pjesë janë bërë pjesë e pushtetit, por sipas kësaj partie ka edhe të atillë si Feta Alimi që mbahet padrejtësisht në burg edhe pse kishte rrezikuar jetën për të shpëtuar Ziadin Selën.
Ishte i vetmi kryetar i ndonjë partie shqiptare që mori pjesë në betejën historike të kësaj date të 2017-ës, kur u rrëzua një regjim që e mbylli dhe izoloi totalisht mbi 10 vjet RMV-në, një regjim i përbërë nga binomi BDI – VMRO. Sigurisht që nuk duam të kujtojmë dhunën makabre që u ushtrua mbi trupin e tij, por sot duam që kjo datë të kujtohet nga të gjithë si dita kur Ziadin Sela u vu në ballë të betejës që vendi ynë të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së – deklaroi Arben Taravari, ASH.
Nga LSDM-ja, thonë se 27 prilli i 2017-ës paraqet simbol të dhunës, brutalitetit, agonisë, dhunimit të demokracisë dhe rendit kushtetues.
Nuk do të harrojmë se në çka janë të gatshëm VMRO-DPMNE dhe sa larg mund të shkojnë vetëm për të penguar ndryshimin demokratik për pushtet. Nuk do të harrojmë urrejtjen, gjakun, dhunën, brutalitetin dhe thirrjet për vdekje atë ditë, të ngjarjes nën regjinë e kësaj partie. VMRO-DPMNE e udhëhequr nga mentori i Mickovskit, Nikolla Gruevsi, krijoi skenar në të cilin duhej të vriten njerëz, të shkaktojnë luftë dhe të shkatërrojnë çdo mundësi për ardhmëri progresive të vendit tonë – tha Lupço Nikollovski, LSDM.
Për ngjarjen e 27 prillit, kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, ka shkruar në FB se kjo ngjarje nuk duhet të harrohet dhe nuk duhet të lejohet të përsëritet. Ndërsa kryeministri Oliver Spasovski ka shkruar se pavarësisht ndodhive, përsëri fituan përfaqësuesit e lirisë dhe demokracisë, ndërsa shteti që dikur ishte i robëruar, tani është anëtar i NATO-s. Më 27 prill të vitit 2017, protestuesit të cilët ishin mbështetës së VMRO-DPMNE-së, u futën me dhunë në Kuvend për të penguar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi. Pasi kanë hyrë përmes derës kryesore e cila ishte hapur nga deputetet e VMRO-së, protestuesit janë orientuar për në sallën e konferencave ku para mediave po fliste kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev dhe përfaqësues tjerë politik, përfshirë edhe kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela të cilët edhe e pësuan më së rëndi nga protestuesit që nisin me sulmet ndaj tyre.
Për ngjarjet e dhunshme në Kuvend nuk kanë reaguar ish partnerët e koalicionit qeveritar BDI dhe VMRO DPMNE.
Mefail Ismaili