Vittorio Sgarbi thirrje në parlamentin italian kundër qeverisë: “Nuk kanë vdekur 25 mijë persona nga Covid-19, po i përdorni për të vendosur diktaturë”

Deputeti italian Vittorio Sgarbi ka mbajtur një fjalim dje në parlamentin e vendit fqinj, ku nuk është përmbajtur aspak në akuzat që i ka bërë qeverisë dhe institucioneve shtetëore, për mashtrim mbi numrin e vërtetë të viktimave nga koronavirusi dhe përhapjen e terrorit në qytetarët italianë për të instaluar diktaturën. Deputeti i “”Forza Italia” ka shkaktuar jo pak debate dhe reagime, si në sallën e kuvendit, por edhe tek vetë italianët, të cilët janë duke hyrë në fazën e dytë të lehtësimit të masave kundër Covid-19, pas aprovimit të dekretit ”Cura Italia”.

Pjesë nga fjalimi i ashpër i deputetit Sgarbi:

Jemi në vigjilje të 25 prillit(dita e çlirimit në Itali) dhe duhet të jemi të bashkuar kundër diktaturave dhe të bashkuar për të thënë të vërtetën. Jo në 26 shkurt, por në 9 mars, shkenca që përmendet aq shumë nga ju, thoshte se virusi ishte diçka më shumë se një grip. Pikërisht shkenca që ka frymëzuar krijimin e kësaj qeverie ( “Lëvizja 5 yjet dhe Partia Demokratike). Është diçka e dokumentuar dhe e thënë nga ju, mos gënjeni, mos u ktheni në Dhomën e gënjeshtrave. Le të bazohemi në principin ”verum ipsum factum” (çka është e vërtetë, është bërë e tillë). Ju i keni dhënë numrat tuaj, atëherë do jap dhe unë të miat, mos thoni që ka 25 mijë të vdekur, nuk është e vërtetë. Mos i përdorni viktimat për retorikë dhe terrorizëm. Të dhënat nga Instituti Suprem i Shëndetësisë thonë se 96,3% e këtyre njerëzve kanë ndërruar jetë nga patologji të tjera, është e vërteta e numrave!

Kur Italia ishte zonë e kuqe, të gjithë këtu ishin pa maska. Sot akuzohemi pse nuk e mbajmë, meqë e keni detyruar, ju vetë nuk i keni vendosur deri dje. Në Gjermani ekonomia, shëndetësia dhe shkollat do të nisin të funksionojnë në mënyrë perfekte nga 4 maji. Jemi një shtet me pak të drejta në Evropë. Gjermania ka dhënë me të drejtë një provë force, ne jemi turpëruar sërish nga ta, edhe në sëmundje. Kemi mbyllur 60% të biznesit, konfirmojeni, janë të dhënat.

Unë kam qenë i pari që kam kërkuar mbylljen e parlamentit, e meqë e vërteta është gjëja më e rëndësishme, le të japim numrat e vërtetë, mos të gënjejmë. Ka të dhëna të forta, mund t’i lexoj këtu. 56% në Lombardi, 14% në Emilia, 8% në Piemonte, 5% në Veneto, nuk mund të kërkojmë zbatimin e rregullave të njejta në zona që janë goditur në mënyrë të ndryshme nga epidemia. Të paktën këtu në parlament të themi të vërtetën, le të krahasohemi me Gjermaninë, le të jemi të bashkuar në luftën kundër hipokrizisë dhe gënjeshtrave, falsifikimit, kundër numrave fals që raportohen për të terrorizuar italianët. 25 mikë viktimat kanë vdekur nga infarkti, kanceri dhe sëmundje të tjera. Mos i përdorim për të turpëruar Italinë, për t’i thënë qytetarëve lajme false. Jepni numrat e saktë, kontrollojini, të gjithë i japin nurmat e të prekurve, viktimave, por nuk japin numra të pavërtetë. Nuk kanë vdekur në Itali 25 mijë persona nga koronavirusi, nuk është e vërtetë, Është një mënyrë për të terrorizuar italianët dhe për të vendosur një diktaturë, është qesharake!

Si provë për akuzat e deputetit përdoret dhe një video e Mbrojtjes Civile e muajit mars, ku kryetari i saj në konferencën e përditshme për shtyp ku jep të dhënat për viktimat në 24 orët e fundit, thotë se ata i llogarisin të gjithë të vdekurit dhe nuk bëjnë një ndarje për ata që janë me koronavirus apo kanë vdekur prej virusit.

News31