T’i kthesh shifrat në fytyra – letërsia në kohërat e koronës

Në kohërat e koronës, roli i artit, më saktë, i letërsisë, është t’u japë shifrave nga një fytyrë, nga një histori, nga një personazh, thotë Georgi Gospodinov.

Kam vënë re se në këto kohëra preferoj të rilexoj libra që i kam lexuar. Të rilexosh një libër të vjetër në kohë të paqeta, është kujtim i „atij uni“ që shfletoi librin për herë të parë. Është një kthim në dhomën time të atëhershme, më dhuron një copë siguri, një copë qetësi.

Një gazetë online donte të dinte se çfarë po lexoj aktualisht. Unë i thashë se po lexoj të njëjtat libra që kam lexuar gjithmonë, libra që janë shkruar në botën e djeshme, meqë ra fjala, ndër ta është edhe „Bota e Djeshme“ e Stefan Zweig-ut.

Para do kohe debatova me një mikun tim, se sa të dobishme janë librat, kur ne sot shikojmë vetëm shifrat, madje, kur jemi si të hipnotizuar nga shifrat e diagramet. Shtetet janë shndërruar në kolona shifrash, sikur dëgjohet tiktaku i një numëratori gjigant që ndryshon shifrat orë e çast: kaq të infektuar, kaq të vdekur. Ndjenjë e frikshme.

Dhe pikërisht nga kjo ndjenjë e  frikshme lindi ideja e thjeshtë mbi letërsinë dhe rëndësinë e saj shumë të madhe në kohën e sotme. Ajo i kthen këto shifra sërish në njerëz. Aty ku më parë ishe një shifër abstrakte, befas shfaqet një njeri me historinë e tij, por edhe shumë njerëz që janë të lidhur me këtë njeri dhe me njerëz të tjerë. Këtu unë dua të përdor një fjalë të tmerrshme. Është rritja eksponenciale e njerëzores pas shifrave, është orteku pas historive të ngërthyera brenda njëra -tjetrës. Dhe ky është në thelb edhe vokacioni i artit dhe sidomos i letërsisë: që shifrat t’i shndërrojë në njerëz, t’u japë atyre nga një fytyrë dhe nga një histori.

A është një lehtësim ky? Le të jemi të sinqertë: unë do të thosha jo. Por na ndihmon për të ruajtur natyrën njerëzore. Krijon një ndjesi të nevojshme për jetën dhe lëndueshmërinë e saj. Dhe pikërisht nga kjo ndjesi rrjedh dashuria jonë për këtë botë jetëshkurtër. Ne e duam atë pikërisht, sepse ajo është jetëshkurtër dhe e vdekshme. Ajo forcon empatinë për tjetrin. Shifrat nuk do të më interesonin, nëse pas tyre nuk do të më interesonin nëse pas tyre nuk do të kishte fytyra, histori.

Shenja e parë e bërjes së qenies njerëzore, ndarja e parë e njeriut parahistorik nga rrënjët e tija shtazore, ishte varrimi, kam lexuar diku. Një njeri vdes dhe njerëzit e tjerë zgjedhin ta varrosin në vend që ta lënë trupin e tij aty. Ata bëjnë diçka që mund ta kishin lënë, sepse i vdekuri nuk do të kishte asgjë prej saj. Ata nuk veprojnë me prakticizëm, por me njerëzi. Ndoshta kjo është arsyeja përse ne tmerrohemi kur shohim pamjet me thasët e kufomave dhe frigoriferët…

Në fillim të kulturës dhe civilizimit, ky ishte ndoshta një veprim jopraktik, jo thelbësor. Sepse: ç’i duhet së vërtetës një vizatim në shkëmb me kafshë duke vrapuar, ose Kopshtet e Varura të Babilonisë ose një varg Homerik? Mos do më shërojnë? Thua do ma lehtësojnë jetën? Edhe sot, ka shumë njerëz që e vënë në dyshim, jo më atëherë, kur po lindte njerëzimi, dhe kur gjithë forcat ishin të përqendruar te gjetja e një rrënje, e një kafshe të egër, apo e një vendi për të bërë zjarrin…

A është letërsia sot me rëndësi ekzistenciale? A është ajo, krahas artit, vërtet e nevojshme dhe jetike? Po, unë e di përgjigjen e shpejtë: natyrisht jo. E megjithatë. Pas 11 shtatorit 2001,  numri i vizitorëve në muzetë e artit jo-bashkëkohor dhe koncertet klasike shkoi në qiell. Njeriu mesa duket ka nevojë për konfirmim që bota nuk është e djeshme, që ka pasur dhe do të ketë edhe kohë të tjera.

Papritmas, arti nuk duket aq i kotë. Në fillim, kur në Evropë u përhap pandemia, u rrit kërkesa për libra, si “Murtaja” e Albert Camus, “Dashuri në kohërat e kolerës” nga Gabriel García Márquez dhe “Dekameroni ” nga Giovanni Boccaccio. Cila është ajo superforcë që rrjedh ende nga këto libra deri më sot? Nuk janë doracakë me udhëzime praktike, e as  libra virologjie. Përgjigja është në të vërtetë shumë e thjeshtë: bota papritmas është bërë e patejdukshme, jemi sulmuar nga diçka që nuk e kuptojmë. Dhe letërsia na ofron një instrument, një lupë zmadhuese, me ndihmën e të cilës mund të deshifrojmë botën dhe veten tonë. Unë hap “Dekameronin” si një ndihmë jete – të mësosh si të mbijetosh në një situatë të tillë. Melankolia në shekullin XIV nuk ndryshon nga melankolia sot.

Për ta thënë konkretisht: të mendojmë vdekjen, për këtë kemi nevojë përsëri, të futemi në botën e vdekjes  ngadalë dhe thellësisht. Të flasim për vdekjen. Sepse e gjithë industria e dëfrimit e ka bërë vdekjen virtuale dhe patrup. Dhe paradoksalisht, virusi i ri nga njëra anë na ka vjedhur trupat dhe i ka mbyllur ato nëpër shtëpia, dhe nga ana tjetër po na kthen. Sepse trupat tanë nuk vdesin nëpër ekrane, sepse nuk jemi avatare, por kemi mushkëri që krejt  papritmas pësojnë kolaps.

Dhe është letërsia ajo që prej tashmë disa shekujsh e vijon bisedën e fshehur nën rrogoz mbi vdekjen. Mediet e tjera erdhën më vonë.  Prandaj ne i kthehemi në mënyrë të  paevitueshme të pashkruarës. Pas krizash të rënda, si kjo e sotmja, do të ketë të tjera, – jo fort të dukshme, por kuptim-shkatërruese. Ajo që do të vijë është një zbrazje e rishtë kuptimi. Depresioni i madh nuk është një term thjesht ekonomik. Sepse virusi i frikës do të qëndrojë me ne shumë më gjatë se virusi korona. Por, falë zotit, vaksina kundër tij është zbuluar shekuj më parë. Dhe na duhet vetëm të shkojnë te rafti i librave.

Kur isha i vogël, lexoja në mënyrë kaotike dhe e harroja veten  – dhe gjithnjë kisha frikë se mos vdiste heroi. Prandaj edhe më pëlqenin më shumë librat e shkruara në vetën e parë. Isha i sigurt se heroi nuk do të vdiste. Atëherë zbulova në mënyrë të pavetëdijshme atë që do ta ketë ditur gjithnjë Scheherazadja. Për sa kohë që ti lexon, ti mbetesh në jetë. Kur ti I kthen shifrat në njerëz, kur ti ndjen me njerëzit dhe vuan me dhimbjen e tyre, për sa ti lexon, dëgjon muzikë, ose shikon art, për sa ti mendon për vdekjen je ende në bregun e jetës.



*Georgi Gospodinov (lindur më 1968) është shkrimtari bashkëkohor bullgar më i përkthyer. Romanet e tij “Romani natyror” dhe “Fizika e melankolisë”, si dhe librat dhe pjesët me poezi janë përkthyer në 25 gjuhë. Gospodinov ka marrë një sërë çmimesh, ndër të tjera edhe Çmimin e Letërsisë për Evropën Qendrore (2019) dhe Çmimin e Letërsisë “Jan Michalski” (2016). Ai aktualisht është me bursë në Kolegjin Shkencor të Berlinit. “Një tregimtar dhe koleksionist i frikshëm”, ka shkruar për të Sandra Kegel në FAZ.