RTM2: Strugë, 6 të infektuar të rinj me Covid-19

Në Strugë janë regjistruar 6 raste të reja me të infektuar nga Covid-19, me ç’rast numri total i të infektuarve në qytet dhe rrethinë është 61, përfshirë edhe 12 viktimat. Ndërkohë, pika për testim, e cila filloi me punë të martën, po funksionon dhe merren mostra për testim të qytetarëve të cilët udhëzohen nga mjekët amë. Personat të cilët kanë pasur kontakte me të prekurit janë në izolim shtëpiak, ndërsa edhe një pjesë e qytetarëve janë vetizolim. Me shkurtimin e orës policore nga Qeveria, komuna e Strugës së bashku me kryeshefin e Njësisë për Punë të Brendshme dhe komandantin e stacionit policor në Strugë, ka marrë vendimin që gjatë orës policore në vikend, e cila fillon prej orës 15 të shtunën dhe mbaron të hënën në orën 5:00, leje për lëvizje të lirë të kenë vetëm operatorët ekonomikë të cilët do të shërbejnë qytetarët për raste nevoje. Këtë e konfirmoi për TVM2 shefi i kabinetit të kryetarit të komunës, Dashmir Nasufi. “Meqë u vazhdua lëvizja, u shkurtua ora policore, e pamë të udhës që nuk ka nevojë ne të bëjmë edhe më shumë kërkesa për qytetarët, bie vetëm të dielën, d.m.th. të shtunën bie deri në orën 15, pastaj kemi vetëm një të diel. Kështu që vetëm për nevoja jetike e pamë të udhës që qytetarët të kenë mundësi vetëm të lajmërohen në numrin 192 dhe t’ju lejohet një destinacion që të shkojnë aty ku kanë nevojë.”,– deklaroi shefi i kabinetit të kryetarit të komunës, Dashmir Nasufi. Nga komuna e Strugës gjithashtu lajmërojnë se me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit për besimtarët myslimanë kanë realizuar një takim me Myftininë e Bashkësisë Islame – Strugë, ku është marrë vendimi që personat që lajmërojnë për iftarin dhe syfyrin të mund të lëvizin gjatë orës policore. “Na erdhi edhe muaji Ramazan dhe shfrytëzoj rastin që të uroj të gjithë besimtarët myslimanë, një agjërim të lehtë. Menduam të bëjmë një takim dhe realizuam me Myftininë e Strugës, ku e pamë si nevojë jetike që të evidentohen të gjithë personat që duhet të dalin. Të mos humbin traditën e lajmërimit të kohës së iftarit dhe syfyrit dhe e menduam që të bëhet një listë, atë listë do ta bëjnë hoxhallarët bashkë me myftyninë, myftiniu na dorëzoj ne një evidencë dhe në stacionin policor, me qëllim që ata persona të lëvizin lirshëm në kohën që ka nevojë.”,– u shpreh Nasufi. Ndërkohë, qytetarët e Strugës e kanë marrë me seriozitet situatën e krijuar nga pandemia dhe shumica respektojnë masat, duke dalë në qytet vetëm për raste nevoje dhe duke mbajtur edhe maska mbrojtëse.

ILMIJE ZHAKU