Lutja e kafemanit

Kështu e ka konsideruar Osman Myderrizi* këtë copëz poezie të fillimshekullit XVIII. Në kushte karantine, kjo “lutje” mbase merr kuptim të veçantë, jo aq nga mungesa e kafes si produkt, siç mund të ketë qenë e zakonshme në kohën e Muçizades, por nga ajo që përfaqëson institucioni social i kafesë. Këtë që sapo thamë e konkretizojnë pamjet e kontrabandimit të kafes në mëngjes, në dyqane hapur tinzisht në qoshet e Tiranës. Njerëz pa fjalë, me gota të vogla kartoni në duar, në këmbë, dhe sigurisht, në një farë disatance mes tyre, është ajo që shohim çdo ditë, dhe me të cilën po mësohemi gradualisht. Me afrimin e Muajit të Ramazanit, që përmendet edhe në tekst, bëhet më i prekshëm konteksti poetik “lutjes”. Pra përveç përfitimeve spirituale, ku qendërzohet natyrshëm muaji i agjërimit, është gjithashtu “jetike” në epokën e një post-pandemie të shumëpritur, të pirët e kafes në liri pas perëndimit të diellit. Të gjithë atyre kritikëve, ose më saktë, “blasfemuesve kulturorë ”, të cilët kafenë e kanë bashkëshoqëruar me vese të caktuara, apo më gjerësisht, me degradim social, i themi me gojën plot: “O Zot mos na lër pa kafe”!

Imzot, mos më lë dë kujdes

bë iftar me mjaltë pa pekmes,

O imzot prej teje shpresë..!

Imzot, mos më lërë pa kave!

Dë këtë muaj mubareq

Falna gjynahet se jemi pleq

për gjithë sa janë meleq,

Imzot, mos na lërë pa kave!

Për ismitë që je gafur,

për Muhamednë q’është meshhur,

mos më lërë veç me bollgur..!

Imzot, mos na lërë pa kave!

Lut-iu Zotit Muçi Zade,

se heq bari shumë derte,

se s’ke as pilaf as zerde!

Imzot, mos na lërë pa kave!

*Teksti i poezisë është shkëputur nga artikulli i Osman Muderrizit, “Letërsia shqiptare me alfabet arab”, botuar në Buletini për shkencat shoqërore nr.II, 1955, Tiranë

E-zani.com