AGJËRIMI 

By: Rushit Musallari

AGJËRIMI


Agjërimi dhe parimet bazë të tij

Nga ana gjuhësorë, fjala “Saum” do të thotë: “përmbajtje, ndalim”. Në Fikhun Islam, agjërimi përkufizohet me fjalët: “Agjërimi është ndalimi nga ushqimi dhe marrëdhëniet intime nga agimi derisa të perëndojë dielli”.([1]) Agimi fillon, atëherë kur në horizont shihet pak dritë. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe hani e pini, derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia)e agimit nga fija e zezë  (errësira e natës)…”. [Bekare: 187].

Agjërimi mbaron pas perëndimit të diellit, ndërkohë që në lindje fillon të duket errësira. Allahu i Madhëruar thotë: “…pastaj plotësojeni agjërimin, derisa të bjerë mbrëmja”. [Bekare: 187].

Gjykimi për agjërimin e muajit të Ramazanit

Agjërimi i Ramazanit është farz për çdo musliman dhe muslimane, që ka arritur moshën e pubertetit. Agjërimi është detyrë e vërtetuar nga Kurani, nga Suneti dhe nga Ixhmaja e muslimanëve. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “O besimtarë! Ju është obliguar agjërimi, ashtu si u ishte obliguar atyre para jush, në mënyrë që të jeni të devotshëm”. [Bekare: 183] Allahu i Madhëruar thotë gjithashtu: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që e zë këtë muaj, le të agjërojë”. [Bekare: 185]

I Dërguari i Allahut ka thënë: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla; dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, falja e namazit, dhënia e Zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe Haxhi për atë që ka mundësi”.([2])

Të gjithë dijetarët e Umetit (popullit) islam janë të mendimit, se agjërimi i Ramazanit është detyrë dhe çdo musliman duhet të agjërojë. Agjërimi është nga detyrat, që duhet të njihet patjetër nga çdo musliman. Ramazani është bërë detyrë vitin e dytë Hixhri, dy ditë pas hyrjes së muajit Shaban.

Vlera e agjërimit në përgjithësi

1- Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Allahu i Lartësuar thotë: “Të gjitha punët që bën njeriu, i bën për veten e tij përveç agjërimit, i cili është për Mua dhe vetëm Unë jam Ai që e shpërblen. Agjërimi është mburojë. Kur të agjëroni mos shani dhe mos bërtisni. Nëse dikush të shan apo të ngacmon, thuaji: “Unë jam agjërueshëm”. Pasha Atë, në Duart e të Cilit është Shpirti i Muhamedit, era e gojës së agjëruesit është më e dashur tek Allahu sesa era e miskut. Agjëruesi ka dy gëzime: kur çel Iftarin gëzohet me ushqimin dhe kur të takohet me Allahun, do të gëzohet me agjërimin e tij. Të gjitha punët e mira i shumëfishohen njeriut, e mira shpërblehet 10-fish deri në 700-fish. Ai lë ushqimin, pijen dhe marrëdhëniet bashkëshortore për Mua, agjërimi është për Mua dhe vetëm Unë e shpërblej atë. Kur njeriu takohet me Allahun, ai kënaqet me shpërblimin e agjërimit që gjen tek Allahu.([3])

2- Ibn Umeri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Veprat tek Allahu janë shtatë llojesh, dy prej tyre meritojnë shpërblim ose dënim, dy të tjera shpërblehen njësoj, një punë që shpërbleht 10-fish, një punë që shpërblehet 700 herë dhe një punë që shpërblimin e saj nuk e di askush përveç Allahut.

E para dhe e dyta janë: Kush adhuron Allahun sinqerisht, duke mos i bërë shok Atij, meriton Xhenetin, ndërsa ai që i bën shok Allahut, meriton Zjarrin e Xhehenemit.

E treta dhe e katërta janë: Kush bën një punë të keqe, meriton vetëm dënimin për të. Kush dëshiron të bëjë një punë të mirë dhe nuk e bën, meriton shpërblimin e saj.

E pesta dhe e gjashta janë: Kush bën një punë të mirë, shpërblehet 10-fish. Kush shpenzon një qindarkë në rrugë të Allahut, shpërblehet 700 herë.

E shtata është: Agjërimi është për Allahun dhe askush nuk e di shpërblimin e agjërimit përveç Allahut”.([4])

3- Sehl ibn Sad (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: Në Xhenet është një derë, që quhet Rejjan. Në atë derë hyjnë vetëm agjëruesit dhe askush tjetër. Pasi agjëruesit të hyjnë aty, ajo derë mbyllet përgjithmonë.([5])

4- Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: Luftoni që të fitoni, agjëroni që të jeni të shëndetshëm dhe udhëtoni që të pasuroheni.([6])

5- Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të)  ka thënë: Agjërimi është mburojë dhe kështjellë mbrojtëse nga Xhehenemi.([7])

6- Abdullah ibn Amr (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: Agjërimi dhe Kurani ndërmjetësojnë për njeriun ditën e Kijametit, Agjërimi thotë: O Zot! Ka braktisur ushqimin dhe epshin për mua. Pranoje ndërmjetësimin tim”. Kurani thotë: “O Zot! Ka lënë gjumin natën për mua. Pranoje ndërmjetësimin tim”. Agjërimit dhe Kuranit u pranohet ndërmjetësimi.([8])

7- Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dëguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Çdo gjë ka zekat (pastrim). Agjërimi është pastrim për trupin. Agjërimi është gjysma e durimit”.([9])

8- Ebu Umame (r.a) tregon: “I thashë të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të): “Më urdhëro për një vepër të mirë”. Ai (Paqja qoftë mbi të) më tha: “Agjëro, pasi asgjë nuk është si ai”. E pyeta dy – tre herë dhe ai më ktheu të njëjtën përgjigje”.([10])

9- Ebu Saidi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kush agjëron një ditë për hir të Allahut, Allahu ia largon atij Xhehenemin për 70 vjet”.([11])


([1]) – Enisul Fukha (fq: 47).

([2]) – Hadith i vërtetë. Buhâriu (8), Muslimi (16), Tirmidhiu (2609), Nesâiu në Muxhtebâ (5016), Ibn Khuzejmeh (309), Ibn Hibâni (158) dhe Ahmedi (2/120).

([3]) – Hadith i vërtetë. Buhâriu (1904) dhe Muslimi (1151).

([4]) – Hadith i pranuar. Ahmedi (4/322). Taberâniu në Kebir (4152) dhe Eusat (4071), Bejhakiu në Shuab (3316) dhe Ibn Hibani (6171). Hejthemiu në Mexhmauz’zeuâid (3/123) nr (5090) thotë: “E shënon Taberâniu në Eusat. Në vargun e përcjellësve është Jahja ibn Muteuekili, të cilin shumica e dijetarëve e vlerësojnë të dobët, ndërsa Ibn Maini e vlerëson herë të besueshëm dhe herë të dobët”. 

([5]) – Hadith i vërtetë. Buhâriu (1896), Muslimi (1152) dhe Nesâiu në Muxhtebâ (2237).

([6]) – Hadith i pranuar. Taberâniu në Eusat (8312) dhe Ahmedi (2/380). Hejthemiu në Mexhmauz’zeuâid (3/179) nr (5070) thotë: “E shënon Taberâniu në Eusat me përcjellës të besueshëm”. Shejh Ahmed Shakiri në verifikimin e tij të musnedit të Ahmedit (8925) e vlerëson hadithin të pranuar. Ai thotë: “Nuk ia kanë qëlluar ata që e vlerësojnë tekstin të dobët, sepse nuk e kanë kuptuar domethënien e tij. Domethënia e hadithit është e vertetë. Nuk ka dyshim se udhëtimi, nga ana psikologjike ka ndikim shumë pozitiv për shëndetin, duke e aktivizuar trupin dhe mendjen. Ndërsa xhihadi, ka qenë thesari i madh i sahabëve. Në disa rivajete është edhe “Agjëroni që të jeni të shëndetshëm”. Dihet se agjërimi është ilaçi më i mirë për trupin, sepse balancon ushqyerjen dhe sistemon kohën e ushqimit”.

([7]) – Hadith i vërtetë. Ahmedi (2/402) dhe Bejhakiu në Shuab (3293). Hejthemiu në Mexhmauz’zeuâid (3/180) nr (5076) thotë: “E shënon Ahmedi dhe një pjesë e hadithit është në sahih, ndërsa vargu i Ahmedit është i pranuar”. 

([8]) – Hadith i pranuar dhe i vërtetë. Ahmedi (2/174), Taberâniu në Kebir, Ibn Ebi Dunja në “El xhu’a” dhe Hâkimi (2036). Hejthemiu në Mexhmauz’zeuâid (3/181) nr (5081) thotë: “E shënon Ahmedi dhe Taberâniu në Kebir. Përcjellësit e Taberâniut janë të vërtetë”. 

([9]) – Hadith i dobët. Ibn Mâ‎xheh (1745).

([10]) – Hadith i vërtetë. Nesâiu (2221), Ibn Khuzejmeh (1893) dhe Hâkimi (1533).

Un([11])Hadith i vërtetë. Buhâriu (2480), Muslimi (1152), Tirmidhiu (2623) dhe Nesâiu (2244).