Shkruan:
Bexhet Asani
T’ i njohim personalitetet arbëreshe
STUDIUES I ARKIVAVE DHE DOKUMENTEVE ARBËRESHE
Profesor Françesko Markjanò (Francesco Marchianò), u lind në katundin arbëresh Spixanë (Spezzano Albanese) qarku i Kozencës – Itali), më 6 janar 1957. Nga prindër arbëreshë. Gjyshi i tij ishte nga Maki (Macchia Albanese), fshati i Jeronim de Radës. Në familjen e Francesco-s flitej arbërishtja dhe kalabrishtja, kurse italishten djali i vogël e mësoi në moshën shtatëvjeçare kur filloi shkollën fillore.
Profesor Françesko Markjanò
Mësimet e para i mori te shkolla e katundit, ndërsa në vitin 1976 mbaroi studimet në liceun vendës. Në vitin 1982 u diplomua për Gjuhë dhe Letersi Moderne të huaj në Universitetin e Kalabrisë me specializim për frëngjishten, ka studjuar për tre vjet gjuhën shqipe me prof. Papàs Francesco Solano me tezën: « E folmja e Spixanës dhe letërsia popullore e saj » (viti akademik 1980-81). Gjatë viteve 1978, 1979, 1985, 1986 ka ndjekur kurset verore për gjuhën dhe kulturën shqiptare në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1986 kaloi provimin e aftësisë për mësimin e gjuhën shqipe (Komisioni: prof. Francesco Solano, prof. Antonino Guceta (Guzzetta), prof. Elio Mirako (Miracco) dhe prof. Francesco Altimari).
Gjatë viteve shkollore 1989- ’90 dhe 1990-’91, mësoi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Liceun Shën Mitër Korone (ish Kolegji i Shën Adrianit). U interesua për historinë e katundit të vet dhe për botën arbëreshe, duke bërë hulumtime në arkivat famullitare, si dhe në ato të shtetit. Ka bashkëpunuar me revistat arbëreshe « Zjarri », « Rilindja Arbëreshe » dhe « Jeta arbëreshe » tani (2019) bashkëpunon me revistën “Katundi Ynë ».
Që nga viti 1984 deri 2013 ka qenë anëtar e themelues dhe disa herë president i rrethit kulturor “Bashkim Kulturor Arbëresh » të Spixanës, Spezzano Albanese. Në shkurt 2016 ka qenë bashkëthemelues i rrethit kulturor « Na Jemi » dhe për një muaj ka qenë i emëruar president i Shoqatës. Profesor Francesco Marchianò tani është ligjërues i Gjuhës frënge në Shkollën tetëvjeçare të Spixanës Instituto Comprensivo Statale « R. Levi Montalcini ». Profesor Francesco Marchiano ka qenë dhe është bashkëpunëtor i disa gazetave dhe revistave në Itali dhe në Shqipëri. Ka botuar një sërë veprash studimore, kumtesa, referate etj.