Llabunishtë, guroret punojnë me ritëm të përforcuar

Detonimet dhe tymi për shkak të minimit në këtë gurore përsëri i kanë shqetësuar banorët e Llabunishtës. Në këto pamje që na i dërguan shikuesit tanë, e të cilat janë bërë sot, tregojnë pluhurin madh që vjen nga funksionimi i minierave. Kjo po ndodh në një kohë kur Llabunishta e Strugës po përballet me sëmundjen Kovid 19. Rasti i fundit u konfirmua sot. Bëhet fjalë për një grua 46-vjeçare.

Viktimat që këto ditë regjistrohen në Llabunishtë janë të lidhura drejtpërdrejt me punën e guroreve. Këtë e thonë edhe mjekë eminentë, të cilët janë të njohur me temën. Përgjegjësia për këtë u bie institucioneve, tek ata që i dhanë këto koncesione, me ata që kishin mundësi dhe që nuk bënë asgjë për ndalimin e tyre. Sot kemi pothuajse 20% të viktimave nga virusi korona në Maqedoni që janë nga Llabunishta, sepse këtu numri i pacientëve që kanë probleme me frymëmarrjen kanë lidhje me ajrin”-tha Nedim Memedoski, Këshilli për shpëtimin e Llabunishtës.

Në Llabunishtë, numri i pacientëve me sëmundje kancerogjene është rritur në mënyrë drastike vitet e fundit, por edhe numri i pacientëve me sëmundje të mushkërive dhe astmës.

Të gjitha guroret janë aktive përveç Anada dhe Ilindeni. Sidomos në këto momente, duke e shfrytëzuar gjendjen e jashtëzakonshme dhe pamundësia që populli të tubohet në grupe, punojnë në mënyrë më të shtuar dhe e keqpërdorin këtë ndalesë. Qeveria premtoi shumë. Fillimisht kishim shumë takime me ish kryeministrin dhe ministrin e ekonomisë. Kishim shumë premtime që u shpallën publikisht nga ana e tyre dhe para foltores së Kuvendit. Por, nga e tërë kjo nuk u bë asgjë dhe ishte dëshpërim”-pohoi Nedim Memedoski, këshilli i shpëtimit, Llabunishtë.

Një pjesë e guroreve ekzistuese kanë koncesion deri në vitin 2028 kurse disa deri në vitin 2045.

Më duhet të shpreh një dëshpërim të madh. Qeveria nuk e mbajti fjalën sepse ditët e fundit mora informacion se disa nga koncesionerët janë kthyer sërish të nxjerrin lëndë të para minerale. Kështu që, kjo le të mbetet për në të ardhmen dhe popullata të luftojnë në këtë drejtim, të lirohet nga kjo e keqe që po na qëndron mbi kokë në 20 vitet e fundit”-tha Aladin Demishoski, mjek nga Llabunishti.

Në Llabunishtë janë disa gurore ndërsa sipas Këshillit të shpëtimit, për tre gurore të reja pritet nënshkrimi i ministrive përkatëse. Banorët thonë se, pasi të krijohen rrethanat, do të ndërmarrin masa më radikale apo protesta. Disa herë edhe ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ishte në Llabunishtë duke siguruar se kjo çështje do të tejkalohet.

Miki Trajkovski