Gomari pushtues
Një gomar, hyri në kopshtin e një fshatari dhe filloi të hajë nga të mbjellat e tij pa pyetur fare!Si t’a nxjerrim gomarin nga kopshti? Pyetje e sikletshme, apo jo!
Me t’a vënë re, fshatari hyri në hangarin e tij dhe me disa vegla në krahë u nis drejt kopshtit. Ajo që kishte ndodhur, ishte e patolerueshme.
Në dorë, mbante një kërrabë të gjatë, një çekiç, disa gozhdë dhe një karton të madh. Menjëherë, ai shkroi mbi karton:”O gomar! Largohu nga kopshti im!”
Me anë të gozhdëve, ai e mbërtheu kartonin pas kërrabës dhe e ngriti lart. Ai qëndroi në këmbë me pankartën në duar, nga mëngjesi deri në mbrëmje, por gomarit as që i shkoi në mendje të dalë nga kopshti. Fshatari, u hutua krejt pa ditur se çfarë të bëjë. Me vete mendoi:”Ndoshta gomari nuk e ka kuptuar shkrimin tim.” Kështu, u kthye dhe u shtri të pushojë i rraskapitur nga një ditë e lodhshme.
Të nesërmen në mëngjes, bëri disa pankarta të tjera dhe thirri të gjithë fëmijët, komshinjtë dhe banorët e gjithë fshatit për ndihmë. Ai i vuri njerëzit në rreshta dhe të gjithë i furnizoi me pankarta ku shkruhej:”O gomar! Dil nga kopshti!” “Vdekje gomarit” “Mjerë ti o gomar, nga ajo që ka për të ngjarë!”
Më pas, të gjithë e rrethuan vendin ku ndodhej gomari dhe filluan të thërrasin me sa fuqi kishin:”Zhduku o gomar!” “Është më mirë për ty të dalësh vetë!”
Megjithatë, gomari as që e vinte atë ujë në zjarr. Ai vazhdonte të hajë i qetë dhe i patrazuar. Me perëndimin e diellit të ditës së dytë, njerëzit ndiheshin të lodhur dhe të dërmuar nga qëndrimi në këmbë dhe britmat. Atyre u ishte marrë dhe zëri nga ulërimat e shumta.
Kur panë se gomari as që donte t’ia dinte për protestat e tyre, u kthyen në shtëpitë e tyre, duke menduar diçka tjetër, e cila do e nxirrte gomarin jashtë.
Plani
Ditën e tretë, fshatari u ul në shtëpi duke vendosur detajet e fundit, të planit për nxjerrjen e gomarit jashtë kopshtit. Tashmë, ushqimi dhe bari në kopsht ishte drejt përfundimit. Fshatari, kishte formuar një gomar lodër të ngjashëm me gomarin që ndodhej në kopshtin e tij. Me të vajtur në kopshtin e tij, ku ndodhej gomari pushtues, në praninë e bashkëfshatarëve të cilët thërrisnin me sa zë kishin në kokë “Jashtë gomari” fshatari, me anë të një bidoni benzinë, i vuri flakën gomarit lodër. E gjithë turma filloi të bërtasë me të madhe “Vafsh në zjarr o gomar!”
Gomari pushtues, ngriti kokën të shohë se ç’bëhet dhe pas disa sekondash vazhdoi sërish të hajë nga bari i mbetur i kopshtit, pa e prishur terezinë. Çfarë gomari i paturpshëm! Çfarë injoranti!
I gjithë fshati, zgjodhi një përfaqësi dhe e dërguan tek gomari që të diskutojnë dhe t’a bindin të dalë. Ata i thanë:”Është vetë pronari i këtij kopshti që të kërkon të dalësh! Ai është pronari i kësaj toke dhe ai të urdhëron të dalësh.” Gomari, ngrinte kokën herë pas herë duke i parë në sy dhe sërish i kthehej ushqimit të tij të preferuar.
Duke parë kokëfortësinë e gomarit, fshatari i dërgoi një ndërmjetësues për t’a bindur të dalë. Ndërmjetësuesi i tha gomarit:”Pronari i kësaj toke, është gati të bëjë disa lëshime, me kusht që të dalësh. Ai të ofron një pjesë të tokës së tij.”
Por gomari vazhdonte të hajë, pa kthyer asnjë përgjigje. Ndërmjetësuesi i tha:”Fshatari është i gatshëm të japë një të tretën e tokës, veç të dalësh.” Përsëri gomari nuk i ktheu përgjigje. Atëherë ndërmjetësuesi i tha:”Gjysmën e tokës veç dil!” Duke parë mos reagimin e gomarit, ndërmjetësuesi i tha:”Mirë! Caktoje vetë sasinë e tokës që dëshiron, por mos e tepro!”
Gomari, tashmë i ngopur, ngriti kokën dhe bëri disa hapa, duke parë i çuditur trumën përreth kopshtit. Pasi u ndal, të gjithë u gëzuan, pasi më në fund, gomari po pranonte marrëveshjen.
Fshatari, mori dy gurë të mëdhenj dhe i nguli në dy anët e kufirit. Gjithashtu, ai hoqi dhe një vijë, e cila shënonte kufirin mes pjesës së tij dhe të gomarit. Më pas, të gjithë u larguan, duke e lënë gomarin në tokën e tij.
Të nesërmen, kur fshatari doli jashtë, mbeti i shtangur nga ajo që pa. Gomari e kishte lënë pjesën e tij të tokës dhe kishte dalë duke kullotur në pjesën e fshatarit. Menjëherë, fshatari mori pankartat dhe filloi të protestojë bashkë me fshatarët e tjerë. Ky gomar ishte i pagdhendur! Mesa duket, nuk ishte i zonës. Ai kishte ardhur nga një fshat tjetër, për të ngritur shtëpinë e tij pikërisht në kopshtin e fshatarit tonë.
Në mes të habisë dhe thirrjeve të turmës, ku nuk kishte mbetur këmbë njeriu nga fshati pa ardhur dhe të protestojë për nxjerrjen jashtë të këtij gomari pushtues, keqbërës, inatçi dhe të pagdhendur, vjen një fëmijë i vogël me një shkop në dorë. Ai çau rreshtat e protestuesve dhe u vendos në qendër të vëmendjes. Me shkopin në dorë, ai iu drejtua gomarit duke e fshikulluar vitheve. Nga dhimbja, gomari u nis me vrap jashtë kopshtit.
“O Zot i madh!” thirrën të gjithë. “Ky vogëlush të na turpërojë kështu?! Të gjithë do të qeshin dhe do të tallen me ne.”
Atëherë, vendosën t\’a vrasin vogëlushin dhe e kthyen sërish gomarin në kopsht. Veç kësaj, përhapën lajmin se vogëlushi kishte rënë dëshmor!!