Amaneti i Japonezëve

Sot, shumë popuj vuajnë nga fenomeni i korrupsionit dhe ryshfetit. Që një nëpunës në shtet të të zgjidhë një hall, duhet të marrë ryshfet, edhe pse ai paguhet nga taksat e qytetarëve. Është e vërtetë që gjendja ekonomike në shumë vende është e rëndë, por përderisa ke pranuar të punosh në atë sektor, bëje detyrën pa pritur që njerëzit të të japin ryshfete.

Personazhi i kësaj historie, është një pilot egjiptian, Muhamed Salim, i cili punon në transportin civil nga Kajro në Tokio. Ai tregon dhe thotë:

Punova për tre muaj rresht në linjën Kajro-Tokio, pastaj më kaluan në një linjë tjetër për dy muaj dhe pas dy muajsh më rikthyen në linjën Kajro-Tokio. Pasi vajtëm në hotelin që kompania ajrore rezervon për ne, teksa prisja bashkë me kolegët e mi të marrim çelësin e dhomës, sportelisti japonez pyeti:”Zotëria Muhamed Salim?”

Unë u çudita nga kjo pyetje. Përse pyet për mua sportelisti dhe nga më njeh ai?!

“Unë jam” i thashë i habitur.

“Ky zarfi është i juaji” më tha ai.

Unë e mora, e hapa dhe pashë që brenda zarfit gjendeshin treqind dollarë. E pyeta:”Çfarë janë këto?”

Ai u përgjigj:”Herën e fundit kur keni qenë në këtë hotel para dy muajsh, keni harruar këtë zarfin me treqind dollarë në dhomën ku keni qëndruar. Unë e kam mbajtur këtu zarfin dhe sa herë që vinte ekuipazhi i linjës ajrore të Egjiptit, kërkoja emrin tuaj që t’ua kthej, por shihja që ju mungonit.”

Fjalët e tij më mrekulluan dhe si natyrë lindore, hapa zarfin, nxora 150 dollarë që andej dhe duke ia zgjatur sportelistit japonez, i thashë:”Këto janë tuat, për besnikërinë dhe ndershmërinë që tregove.”

Në ato çaste pashë që ai u skuq në fytyrë dhe më tha:”Unë nuk po bëj asgjë më shumë sesa detyrën time. Ju po më jepni para për diçka që e kam detyrë?!”

“E kuptoj, por unë dua t’ua jap. Ju nuk mi kërkuat, unë nga ana ime dua që ta merrni këtë shumë.” i thashë.

Japonezi më tha:”Zotëri, nëse unë i pranoj ato të holla, shkel në dinjitetin dhe krenarinë e vendit tim, thyej besën që i kam dhënë atdheut. Unë paguhem për këtë punë që bëj dhe që të gjithë vizitorëve tu kthej sendet e tyre të harruara.”

Në ato çaste ndjeva qe edhe fytyra ime u skuq dhe u bë prush. Duke mos ditur si të dal nga kjo situatë, i thashë:”Ok, ke të drejtë, por a mund ti përgjigjesh ftesës time për të darkuar bashkë?!”

I riu japonez më tha:”Më vjen keq zotëri, por nuk mund ta pranoj ftesën tënde këtë herë, pasi do të merret si shpërblim për faktin që të ktheva paratë e harruara në dhomën tuaj, gjë e cila do të më brejë ndërgjegjen gjithë jetën. Por, meqë këmbëngul, mund të më ftosh për darkë kur të vish herën tjetër.”

Nëse je duke kryer detyrën për të cilën paguhesh, nuk ke përse të kërkosh para dhe privilegje të tjera shtesë.