Ajzberg përpara! …

Dritan SHANO

Shëndeti mbi të gjitha, thotë.
Shëndeti i kujt mër pallë?
Shëndeti im dhe i 99% të shqiptarëve jo njëherë !!!
Shëndeti im dhe i 99% të shqiptarëve po zbërdhylet, po squllet, dhe po përkeqësohet çdo orë që kalon !!!

Dobësimi i shëndetit tim imunitar është rezultat i drejpërdrejtë i politikës së ndjekur nga Kryeministri, qeveria, parlamenti. Grumbuj mjekësh kanë zgjedhur të jenë proqeveritarë me argumenta hipotetikë pro izolimit, dhe jo pro-shëndetit tim, i cili ka nevojë për ajër, lëvizje, punë.

Kur jeton në një shoqëri është normale të mbash dhe barrën e të tjerëve. Por tani, pas një muaji e përtej izolimi mendoj se është detyra ime primare të kujdesem për shëndetin tim. Për këtë arsye mendoj se vija e kuqe, ku mua më është imponuar të sakrifikoj shëndetin tim në favor të shëndetit të të tjerëve, është tejkaluar dhe kjo mënyrë veprimi duhet ndërprerë, në respekt të shëndetit të të shëndoshëve që po sëmuren, vetëm e vetëm që mos deligjitimohet qeveria dhe sistemi shëndetësor. Nuk mendoj se ndokush është gati të japë jetën për këtë kauzë të sajuar nga persona që nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për veprimet e veta. Jo për gjë po nuk ka as gjykata.

Askush nuk e mohon dot se me veprimet e veta të izolimit të tejzgjatur po më sulmon shëndetin, po ma përkeqëson atë, ndoshta po më bën gati të vdes nëse ka një valë tjetër të Covid-19, apo të ndonjë virusi tjetër që mund të shfaqet papritur pas dy javësh, a më shumë. Atëhere, kur titujt e portaleve të jenë duke u marrë me papijonin e Bill Gates, atëhere kur shëndeti im imunitar, garanti i jetës time, të jetë dobësuar aq shumë sa mos jetë në gjëndje të më mbrojë. Kjo është duke ndodhur!

KY ËSHTË FAKT !!! NUK ËSHTË HIPOTEZË !!!

Hipotezë është që: Po të mos kisha marrë këto masa (që po dëmtojnë shëndetin tim) do kishin vdekur 2800 vetë.

Nuk ka njeri që e vërteton këtë hipotezë. Mungesa e të dhënave i bën këto fjalë të jenë më pak serioze se një fall me letra. Dhe jo vetëm se testet kryesisht ishin vetëm për qeveritarët (dhe këtu më kujtohen ato filmat ku ndonjë SS i rruar dhe i livandosur nxirrte ndonjë çokollatë, që e kishte vetëm ai racion, dhe ja jepte ndonjë fëmije hebre nja dy ditë para se ta çonte në dhomën e gazit).

Por edhe sepse asnjë mjek nuk e di, dhe nuk mund të pretendojë ta dijë se si reagon trupi i çdo individi ndaj një virusi. ADN e secilit është e ndryshme. Reagimi i ndryshëm.

Kështuqë, unë mund të thosha se po të mos kishe marrë këto masa, do kishin vdekur 3800 njerëz, ose 63 njerëz, ose 112 njerëz, ose 17000 njerëz dhe të gjitha këto hipoteza të ishin njësoj të vlefshme, sa hipoteza jote.

26 të vdekur me Covid-19 në spital është vetëm ajo që duket; askush nuk e di sa vdesin qyteteve e fshatrave pa u raportuar fare për arsye nga më të ndryshmet. qofshin këto praktike apo morale. Kjo është vetëm ajo që duket.

Sot, askush nuk e di sa pranë vdekjes janë shumica e popullsisë për shkak të efekteve që izolimi të njerëzve dhe ndalimi i ekonomisë ka mbi përkeqësimin e shëndetit te tyre fizik dhe mendor, dhe cilësisë së jetës së tyre ekonomike dhe sociale. Sot askush, nga ata që rrinë mbyllur në shtëpi nuk e di se a do ta përballojë dot një valë të dytë virusi, apo a do e ketë vendin e punës që kishte para se këtë ekonominë tonë me osteoporozë ta mbyllte qeveria.

Ka individë, mes tyre dhe mjekë që thonë se kjo strategji, ky kurs i ndjekur ka rezultuar edhe më mirë se parashikimi i tyre. Këta ti i lajmëron: “Zotëri ke një ajzberg përpara”; Ky, në gjendje të lumtur dhe këmbëngulëse, të thotë “S’ka problem, përpara me gjithë forcën!”