Trump pezullon fondet ndaj OBSH: koha të mbajë përgjegjësi!

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të martën se SHBA përkohësisht do të ndalojë financimin e Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH për “keqmenaxhimin” e saj të epidemisë së koronavirusit.

Ai gjithashtu tha se ishte afër përfundimit të një plani për të ndaluar koronavirusin dhe rihapjen e ekonomisë së trazuar amerikane në disa pjesë të vendit, e cila ndoshta duhet të jetë e gatshme përpara 1 majit.

Trump kërcënoi Organizatën Botërore të Shëndetit shtatë ditë më parë, dhe tani ai është duke shkuar një hap më tej.

“Sot, unë kam urdhëruar një pezullim të financimit të OBSH-së ndërsa është duke u zhvilluar një studim për të ekzaminuar rolin e OBSH-së në keqmenaxhimin dhe fshehjen e përhapjes së koronavirusit”, tha ai në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti amerikan tha që OBSH kishte dështuar në përmbushjen e detyrës së saj themelore dhe se ajo duhet të mbajë përgjegjësi.

“Sikur OBSH të bënte punën e saj dhe të dërgonte ekspertë mjekësorë në Kinë për të studiuar situatën në terren në mënyrë objektive, epidemia mund të ishte përmbajtur në burimin e saj me shumë pak të vdekur,” shtoi ai.

Prej ditësh, administrata Trump ka qenë ashpër kritike ndaj qëndrimit të agjencisë së KB në Gjenevë, veçanërisht një pozicion që Uashingtoni e sheh si shumë të favorshëm për Pekinin.

Uashingtoni veçanërisht ankohet se masat e mbrojtjes së krizave në SHBA, si mbyllja graduale e kufijve, kanë hasur me një rezistencë të fortë nga OBSH, i cili “vazhdoi të duartrokasë udhëheqësit kinezë për gatishmërinë e tyre për të shkëmbyer informacione”.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha të martën se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të “ndryshojnë rrënjësisht” mënyrën e funksionimit të organizatës.

“Në të kaluarën, OBSH ka bërë një punë të mirë. Fatkeqësisht, këtë herë ajo nuk ka bërë më të mirën dhe ne duhet të bëjmë çmos për të inkurajuar ndryshimin rrënjësor,” tha ai.

Duke folur për rindërtimin e ekonomisë amerikane, Trump tha se ishte afër përfundimit të një plani për të filluar aktivitetet ekonomike, duke shtuar se disa shtete mund të jenë gati para 1 majit, bazuar në një shkallë të ulët infeksioni.

Trump dëshiron të riaaktivizojë ekonominë sa më shpejt të jetë e mundur pasi 22,000 amerikanë kanë ndërruar jetë dhe disa miliona kanë humbur punën e tyre.

Ai tha se do të “autorizojë” guvernatorët, megjithë dyshimet e disa ekspertëve se presidenti kishte një autoritet të tillë, për të zbatuar plane në shtetet e tyre në kohën e duhur. Ai tha se do të bisedojë me të 50 guvernatorët për planin në një konferencë video të enjten.