Shkruan
Bexhet Asani HUMANIZMI I SHQIPTARËVE NË AMERIKË
Në krahasim me popujt e tjerë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për nga numri, shqiptarët janë një pikë uji në oqean. Në këtë krizë të pandemisë botërore të Covid 19, ata po lënë nam, në Amerikë. Në Amerikë ku ka me milionë miliarderë, por që shumica e tyre nuk kanë zemër apo u mungon ndjenja humaniste, këtë nuk e di! Në krahasim me këta miliarderë, shqiptarët e pasur janë sa një pikë uji në oqean. Por binesmenët dhe afaristët shqiptarë kanë zemër, kanë bujari, kanë dashuri, kanë dhembshuri, kanë humanizëm në shpirtin e tyre. Dorën në zemër, pandemia e Corona virusit, Amerikën e gjeti të papërgatitur, këtë e dëgjojmë përditë në lajmet e Zërit të Amerikës: spitalet s’ kanë maska, s’ kanë doreza, s’ kanë hiç fare respiratorë, turp me të vërtetë turp, për një superfuqi siç është Amerika. Tmerrësisht e tmerrshme kjo që po dëgjojmë! Shqiptarët të cilët kanë aty këtu ndonjë biznes të vogël, secili në mënyrën e vet, furnizojnë spitalet amerikane me maska, me doreza, me mjete të ndryshme dezinfektuese e me respiratorë si dhe me ushqime. Vlen të theksohet se një shqiptar në Nju Jork shpiku vet një maskë dhe sa mundet të prodhojë brenda një dite ua shpërndanë spitaleve për mjekët dhe infermieret, për çdo ditë. Humanistët shqiptarë i gjejmë kudo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Disa që jetojnë në shtetet: Nju Jork, Nju Xherzi dhe Kenerikë, i njoh edhe unë dhe me këtë rast i përgëzoj. Nuk përmend emra sepse nuk i di të gjithë dhe ata që nuk i përmend mbase u metet hatri! Ata nuk e bëjnë këtë që t’ u ngrihen lavde e t’ u jepen dekorata, ata e bëjnë këtë sepse kanë një zemër të madhe dhe shpirt humanisti. Mirë thonë: “Miku njihet se është mik, në të keq e në rrezik!” Kur popullit tonë i kanosej rreziku i zhdukjes nga harta gjeografike, ishte kryetari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Uidrov Ulillson që i ra tavolinës dhe mbijetoi shteti ynë. Kur Republika e Kosovës ishte në krizë, përsëri e shpëtoi Amerika me në krye Bill Klintonin dhe aleatët e tij. Amerika nuk është vetëm engjëll mbrojtës i shqiptarëve por edhe engjëll mbrojtës fizik i tyre. Prandaj shqiptarët i janë mirënjohës popullit amerikan dhe presidentëve të saj, për jetë të jetëve. Kjo që bëjnë sot biznesmenët dhe afaristët shqiptarë për institucionet më të rëndësishme amerikane mbase është simbolike për një superfuqi, por tepër domethënëse. Ata po iu gjenden pranë me aq sa munden Institucioneve më vitale të Amerikës siç janë spitalet, policia, zjarrfikësit etj. Këto institucione janë në vijën e parë të frontit me një armik të padukshëm dhe tepër të rrezikshëm siç është Corona virusi. Kjo ndihmë e biznesmenëve dhe afaristëve shqiptarë anë e kënd Amerikës udhëheqësit dhe nëpunësit e këtyre Institucioneve i ka lënë gojë hapur, ky gjest human, në çdo takim ata nuk kursehen të falënderojnë botërisht miqtë e tyre shqiptarë, bijat dhe bijtë e Nënë Terezes – Gonxhe Bojaxhiut. Duke i dorëzuar ndihmat ata futen drejtpërsëdrejti në vijën e parë të frontit pa u frikuar, si kryeheroi i tyre Gjergj Kastrioti Skënderbeu, këtu e 500 vjet më parë. Me këtë gjest heroik shqiptarët dëshmuan edhe njëherë bujarinë dhe besnikërinë ndaj Amerikës dhe popullit amerikan si dhe ndjenjën e lartë të fisnikërisë së tyre. Këtë betejë do ta fitojë Amerika, ashtu siç i ka fituar të gjitha betejat gjer më sot. Amerika do të bëhet mburojë e gjithë njerëzimit në rruzullin tokësor sepse shkencëtarët amerikanë do ta shpikin vaksinën kundër këtij virusi vrastar. Kështu Amerika do të bëhet shpëtimtare e botës. Kam një ndjenjë se zbulimi i vaksinës është shumë afër! Ju përgëzoj trima! Zoti e bekoftë Amerikën dhe popullin amerikan! Zoti i bekoftë shqiptarët dhe bujarinë e tyre në mileniume!
Nju Xherzi,
më 10 prill 2020