Enes NEZA
Kina mashtroi botën me virusin Corona. Tani a mund t’i besojmë asaj mjetet testuese për COVID-19? A mund t’i besosh një regjimi komunist që mashtron pa pikë turpi botën mbi numrin real të të sëmurëve dhe të vdekurve me COVID-19, e që shpërndan mjete testuese për virusin Corona nëpër botë me saktësi të ulët më pak se 30-35 përqind, e ku pjesa më e madhe e këtyre testuesve nuk e kryen punën? Nga 150 mijë testues për virusin që Kina i ka dërguar Çekisë, mbi 80 përqind e tyre nuk funksiononin. Ndërsa Turqia i ka refuzuar duke thënë se ato kanë saktësi të ulët. Të njëjtën gjë ka deklaruar dhe Spanja.
Nëse sot Europa dhe Amerika po përballen me një armik që e kishin nënvlerësuar e që nuk ishin përgatitur siç duhet është pjesërisht dhe faji i gënjeshtrave të Kinës, e cila ka mbajtur të fshehur shkallën e infektimit dhe rrezikun real të virusit Corona.
Bota u tregua naive duke i besuar shifrave false të Kinës, e tani po i paguan pasojat. Aktualisht situata e rënduar në Europë dhe Amerikë po tregon se çdo përllogaritje statistikore i nxjerr të pavërteta shifrat e Kinës. Për të mos folur më dokumentin sekret të përgatitur nga CIA amerikane mbi këtë.
Me një popullsi prej 1.4 miliard banorësh, Kina ka pretenduar se ka pasur vetëm rreth 80 mijë të prekur (që i bie diku 0.005% e popullsisë) e vetëm 3 mijë e ca të vdekur (pra vdekshmëria vetëm 3.75%). Këto shifra janë shumë më poshtë se mesatarja globale aktuale mbi vdekshmërinë nga virusi që është diku 5%. Për më tepër projeksionet vlerësojnë se në Europë dhe Amerikë pritet që diku më shumë se 50-70 përqind e popullsisë të preket nga virusi, ndërsa me qindra e mijëra, e mbase miliona të humbasin jetën.
Ja pra, sot bota gjendet përballë një katastrofe shëndetësore dhe ekonomike jo vetëm për fajin dhe naivitetin e vet, por edhe për shkak të propagandës dhe gënjeshtrave të një regjimi anti-njerëzor komunist.
Një regjim që akoma sot në 2020 mban mbi 1 milion muslimanë në kampe përqendrimi nuk mund të jetë shpëtimtarja e askujt. Aq më pak e jona.
Kulturatv.com