Historia e profetit Iljas a.s
Me kalimin e viteve, fillon të përhapet sërish idhujtaria hebrenjve, sidomos në zonat e Libanit të sotëm. Në krahinën e njohur Balabak, banorët që ishin hebrenj filluan të adhurojnë një idhull që e quanin Bal. Prej tij qyteti dhe krahina kanë marrë dhe emrin Balbek. Për t’i kthyer sërish në besimin në një Zot të vetëm dhe për të ringjallë dispozitat e Teuratit, Zoti dërgoi tek ky popull një profet me emrin Iljas. Ai ishte biri i Jasinit, bir i Azarit, bir i Ojzarit, bir i Harunit a.s. Thotë Allahu në Kuran lidhur me këtë profet:
“Edhe Iljasi ka qenë vërtet një prej të dërguarve. Ai i tha popullit të vet: “A nuk po i frikësoheni Allahut?!” Vallë, a i luteni ju Ba‘lit, ndërsa braktisni Krijuesin më të mirë, Allahun, Zotin tuaj dhe Zotin e të parëve tuaj të lashtë?!” Ata e quajtën atë gënjeshtar dhe, për këtë shkak, do të çohen (në dënimin e Zjarrit), përveç robërve të sinqertë të Allahut. Dhe Ne i lamë atij kujtim të mirë te brezat e mëvonshëm:“Paqja qoftë mbi Iljasin!” Ja, kështu, Ne i shpërblejmë punëmirët! Ai ka qenë vërtet një nga robërit Tanë besimtarë.” (Saffat, 123-132)
Dijetarët myslimanë nuk përmendin diçka më shumë rreth profetit Iljas, përveçse ai u dërgua në Balabek dhe se populli i tij e përgënjeshtruan. Sipas disa dijetarëve, ai i braktisi dhe u zhduk pa lënë gjurmë. Kurse disa të tjerë mendojnë se vdiq duke i ftuar në besimin monoteist.
Siç gjendet dhe në disa libra të tefsirit, disa njerëz mendojnë se Iljasi a.s vazhdon akoma të jetë i gjallë. Të njëjtën bindje kanë dhe për Hidrin a.s. Për të vërtetuar mendimin e tyre, ata përmendin rrëfenja nga më të ndryshmet, sipas të cilave si Iljasi dhe Hidri a.s janë akoma gjallë. Ka dijetarë që pohojnë se katër profetë vazhdojnë të jenë gjallë, dy prej tyre jetojnë në qiell ndërkohë që dy të tjerë në tokë. Ata që jetojnë në qiell janë Idrisi a.s dhe Isai a.s, kurse ata në tokë janë Iljasi a.s dhe Hidri a.s. Padyshim që kjo është një gafë e rëndë dhe e pavërtetë. Në një hadith të transmetuar nga Buhariu dhe Muslimai, Profeti a.s pasi fal namazin e jacisë kthehet nga të pranishmit dhe u thotë:”A e shihni këtë natë?!” Të pranishmit u përgjigjën:”po o i dërguar i Allahut.” Profeti a.s u thotë:”Njëqind vite pas kësaj nate, askush nga ju nuk do të jetë i gjallë.”
Njëqind vite më vonë, të gjithë ata që kishin qenë gjallë në kohën e Profetit a.s, kanë vdekur.