Një histori e shkurtër e 10 pandemive më të rënda në dy mijë vitet e fundit.

Ardian MUHAJ

  1. Epidemia Antonine (165-180)

Ishte një nga faktorët kryesorë që ndikuan në prishjen e ekuilibrit dhe krizën e Perandorisë Romake. Nga përshkrimet e arritura mendohet të ketë qenë e shkaktuar nga një prej llojeve te virusit të lisë.  Përllogaritur në rreth 5 milionë të vdekur.

  • Murtaja e Justinianit (541-542)

Mendohet të ketë mbërritë në Europë dhe Mesdhe nga Kina dhe India. Ishte një nga goditjet më të rënda që preku sidomos Peradorinë Bizantine dhe e dobësoi forcën mbrojtëse të saj.  Kronikat e kohës dhe përllogaritjet shkencore të fundit supozojnë se numri i të vdekurve në ditë në kryeqytetin bizantin, Konstantinopoje mbërrinte në 5 deri në 10 mijë vetë. Përllogaritur 30 deri në 50 milion të vdekur.

  • Murtaja e Zezë (1347-1351)

Konsiderohet njëzëri si pandemia më e rëndë dhe shkatërrimtare në historinë e dokumentuar të njerëzimit, veçanërisht në Europë, ku vdiqën rreth një e treta e krejt populllsisë.  Përllogaritur për krejt botën e njohur, pra Europë, Azi dhe Afrikë në 200 milion të vdekur.

  • Epidemia e lisë në Amerikë (1520)

Kjo epidemi pati pasoja shkatërrimtare për popullsinë e Amerikës së sapozbuluar nga europianët. Mund të konsiderohet si Vdekja e Zezë e popullsisë indigjene amerikane. Mbërriti në kontinentin e sapozbuluar amerikan nga spanjollët dhe gjeti një popullsi të pambrojtur tërësisht pasi ishte një virus i ri për popullsinë e lashtë amerikane.  Përllogaritet në rreth 56 milionë viktima.

  • Kolera (1817-1961)

Kishte nisur në Indi dhe u përhap prej aty fillimisht në Afrikë dhe më pas në Europë e Mesdhe e Rusi.  Shtatë valë pandemike të saj janë dokumentuar që prej fillimit të shekullit XIX e deri në vitin 1961. Përllogaritet në dhjetra milionë viktima në rang botëror.

  • Pandemia e tretë e Murtajës (1855)

Bëhet fjalë për shpërthimin e tretë të murtajës që sërish nisi në Kinë dhe u përhap në rrugë detare në krejt botën. Përllogaritet në 12 milionë viktima.

  • Gripi rus (1889-1890)

Ka nisur në Rusi dhe më pas është përhapë në Europë, Azi, Afrikë e Amerikë.  Viktimat përllogariten në 1.5 milionë.

  • Gripi spanjoll (1918-1919)

Pavarësisht se quhet gripi spanjoll nuk është e qartë se ku ka nisur. Mendohet se është shkaktuar nga një lloj i virusit H1N1 dhe numri i viktimave të shkaktuara ia kalon çdo pandemie gripale në histori. Rreth 50 milionë llogaritet të kenë vdekur në të gjithë botën, ose më shumë se sa viktimat e luftimeve direkte  në Luftën e Parë Botërore.

  • Gripi aziatik (1957-1958)

Pas Luftës së Dytë Botërore llogaritet si pandemia gripale më e rëndë. U përhap nga veriu i Kinës nëpër Azi, Oqeani, Afrikë, Europë e Amerikë. Numri i viktimave përllogaritet nga 1 deri në 4 milionë.

  1. HIV/SIDA/AIDS (1981-deri më sot)

Që prej diagnostifikimit të rasteve të para e deri më sot vazhdon të jetë kërcënim dhe sfidë pavarësisht përmirësimeve në trajtimin e saj. Sipas OBSH vetëm në vitin 2018,  770 mijë vetë vdiqën si pasojë e ndërlikimeve të shkaktuara prej këtij virusi.  Numri i viktimave deri më sot llogaritet në 32 milionë dhe vazhdon ende të shtohet.

Burimet: OBSH; Forumi Ekonomik Botëror; Encyclopedia Britannica.

© kulturatv.com