HISTORI
Tri mitet e pandemisë së sotme që i zhbën Murtaja e zezë, pandemia më tragjike në historinë e njerëzimit.

Ardian MUHAJ

Në historinë e dokumentuar të njerëzimit pandemia më e rëndë dhe tragjike është ajo e mesit të shekullit XIV e njohur si Murtaja e Zezë, Epidemia e Zeze (Peste Negra) apo Vdekja e Zezë (Black Death). Të dhënat e fundit shkencore tregojnë se kjo epidemi vdekjeprurëse ishte përhapur fillimisht në viset e Azisë së Largët dhe në Kinë, në fillim të viteve 1340. Mbërritja e saj në Europë është e dëshmuar të ketë ardhë në bordin e disa anijeve gjenoveze të cilat ishin kthyer nga rrethimi i kolonisë gjenoveze të qytet-portit të Kafas (sot Feodosia) në Krime. Kafa ishte qendra e tregtisë gjenoveze me Azinë e brendshme dhe mongolët kishin tentuar shumë herë ta pushtonin, por u mungonin teknikat e duhura për pushtimin e një qyteti të fortifikuar detar.

Në pamundësi për ta marrë këtë qytet me pasuri të mëdha ku tregtoheshin mallrat më të çmuara të Europës e Azisë, mongolët të cilët me sa duket e kishin kaluar valën e parë disa vite më herët dhe kishin fituar njëfarë imuniteti natyror e aftësi menaxhimi të epidemisë, bënë një veprim që sipas planit të tyre do të shkaktonte shuarjen e rezistencës së të rrethuarve. Duke përdorur katapulta të fuqishme, hodhën mbi muret e qytetit trupat ende të ngrohtë të viktimave të tyre të murtajës. Kjo shkaktoi natyrisht panik e vdekje tek të rrethuarit. Një numër forcash gjenoveze u nisën me anije drejt qytetit amë Gjenovës, duke bërë ndalesë në Messina. Aty, nga Messina nis edhe përhapja e kësaj epidemie shkatërrimtare në Europë dhe në Afrikën e Veriut.

Me shpejtësi, ajo u përhap në Itali, Francë, Spanjë, Portugali, Angli, Austri, Hungari, Zvicër, Gjermani, Skandinavi, vendet balltike dhe në Afrikën e Veriut. Vala e parë e goditjes, ajo pandemike zgjati dy vite në Europë nga viti 1348 deri në viti 1350, kurse në Rusi dhe në Afrikën e Veriut vala kryesore zgjati po ashtu dy vite nga 1349-1351. Të dhënat shkencore mbi pasojat katastrofike të saj në Europë variojnë. Një pjesë e studiuesve mendojnë se të paktën çereku deri gjysma e popullsisë europiane vdiq në vetëm dy vite. Konsensusi megjithatë është se rreth një e treta e totalit të popullsisë europiane vdiq, që do të thotë mbi njëzet milionë.

Pasojat e kësaj epidemie katastrofike duket se ishin më të rënda për Europën për shkak se kushtet e higjienës dhe të kujdesit shëndetësor në këtë kohë në Europë ishin më të prapambetura se sa në Afrikën e Veriut dhe Mesdheun Lindor.

Tragjedia e Vdekjes së Zezë kishte disa përbërës ku vetë bakteri ishte shkaktari kryesor. Mirëpo reagimi i njerëzve, shoqërive dhe shteteve luajti rol po aq vendimtar. Moskuptimi i agjentit bartës të bakterit që mendohet se ishin pleshtat të cilët, duke patur si ushqim gjakun e njerëzve dhe minjve e bartnin sëmundjen prej minjve të infektuar tek njerëzit dhe anasjelltas, ishte nje nga faktoret ndihmes te epidemise. Mungesa e kulturës së higjienës personale në shoqërinë europiane të kohës ndikoi shumë, por po aq pati ndikim edhe indiferenca apo mendimet e gabuara se kjo epidemi ishte ndëshkim nga Zoti për mëkatet e njerëzve dhe nuk kishte arsye të shmangej prej saj. Përballimi i saj në Europë ndodhi në mesin e një klime fetare ku njerëzit prireshin ta përballonin murtajën me njëfarë apatie, duke e konsideruar atë si një ndëshkim nga vetë Perëndia. Filip Zigler në librin  The Black Death (Vdekja e Zezë), thotë se kjo mendësi ishte lënda më mirë në të cilën murtaja mundi të ushqehej.

Përpjekjet për ta kontrolluar Murtajën e Zezë ishin të të pasuksesshme, sepse askush nuk e dinte në atë kohë se si transmetohej. Shumica e kuptuan se kontakti me një person të sëmurë ose edhe me rrobat e tij, ishte i rrezikshëm.

Pas valës së parë pandemike, murtaja nuk u zhduk por u shndërrua në endemike ku rikthehej kohë pas kohe në zona të ndryshme të Europës e Mesdheut.

Murtaja e Zezë i nxiti qeveritë që të vendosnin sisteme kontrolli për higjienën. Pas valës së parë, Venecia mori masa për të pastruar rrugët e qytetit. Po ashtu, masa të ngjashme u ndërmorën në Francë, Spanjë, Portugali etj. U kuptua tashmë se pastërtia dhe higjiena ishin ngushtësisht të lidhura me shëndetin.

Zbulimi i agjentit shkaktar të kësaj epidemie u bë në vitin 1894, nga bakteriologu francez Aleksandër Yersin. Ai u quajt Yersinia pestis, duke marrë emrin e këtij bakteriologu.

Perhapja e epidemise në fakt nuk pati ndonjë dallim mes klasave siç pretendohet. I vetmi dallim që edhe ky është i diskutueshëm ishte mes qyteteve të populluara dendur dhe zonave malore e larg qyteteve. Ka autorë që mendojnë se epidemia pati pasoja më të vogla në mesin e bashkësive hebraike në Europë dhe të shoqërive myslimane në Mesdheun Lindor dhe Afrikën e Veriut. Pasojat e epidemisë në Andaluzi dhe në Afrikën e Veriut, sidomos në Egjipt na i përshkruajnë autorë si Ibn Haldun dhe El Makrizi. Ky i fundit, pohon se disa dekada pas valës së parë të epidemisë kishte një rënie të madhe të popullsisë në Egjipt, e shoqëruar kjo me pasoja të mëdha ekonomike.

Fakti që pasojat nuk ishin aq katastrofike sa në Europë natyrisht që ka lidhje me vetë kulturën e higjienës personale mes myslimaneve dhe hebrenjeve dhe për faktin se myslimanët dhe hebrenjtë në këtë kohë kishin një qasje tërësisht shkencore dhe logjike ndaj epidemisë, duke pasur edhe një traditë të kahershme menaxhimi. Në mesin e myslimanëve koncepti thelbësor i karantinës dhe izolimit në rast epidemish kishte rrënjë tek thënia ose hadithi i Muhamedit (a.s) që në rast se konstatohet rënia e një epidemie në një vend të caktuar, atëherë duhet ndaluar hyrje-dalja prej aty. Ata që janë në atë vend të qëndrojnë në atë vend ku ka rënë epidemia dhe ata që janë jashtë asaj vatre epidemike të mos shkojnë në atë vend.

Me këtë rast le të shohim disa mite të krijuara me rastin e epidemisë së sotme të coronavirusit dhe të cilat epidemia e Murtajës së Zezë na ndihmon t’i zhbëjmë dhe t’i hedhim poshtë.

Së pari. Epidemia e Murtajës së Zezë u shndërrua në një pandemi globale. Pra, nuk është e vërtetë se coronavirusi është pasojë e globalizmit dhe udhëtimit të shpejtë me avion.

Së dyti. Nuk është e rëndësishme në një epidemi shkaku parësor i përhapjes, por përballimi me sukses dhe shmangia sa më shumë e saj. Diskutimi se a është coronavirusi i bërë në laborator nga njeriu apo i transmetuar nga kafshët është i pavlerë për publikun e gjerë që është prekur apo që pritet të preket. Në njëfarë mënyre tragjedia më e madhe në historinë e Europës është e tillë, pra vepër e një komandanti ushtarak në një zonë krejt të largët, që merr vendimin për të infektuar të rrethuarit që të pushtojë qytetin. Megjithatë, ky veprim vetëm sa e shpejtoi disi, duke e sjellë me anije në zemër të Mesdheut dhe Europës, por epidemia do të kishte mbërritur në rrugë të tjera gjithsesi.

Së treti. Ideja se masat e ndërmarra kundër coronavirusit janë të kota është po ashtu e gabuar dhe në rastin e Murtajës së Zezë pati pasoja katastrofike në Europë, ku mbizotëronte mendimi i gabuar se epidemia ishte ndëshkim nga Zoti dhe shërohej vetëm me lutje dhe vetëndëshkim. (Disa sekte edhe mendonin se duhej goditur vetja me kamzhik si shenjë pendimi).

©kulturatv.com