Gjatë dhjetorit 2019, një sëmundjë e re filloi të tërheqë vëmendjen e mediave dhe publikut në të gjithë botën. Shkencëtarët shpejt zbuluan se shkaku i sëmundjes ishte virusi Corona, i cili së pari u shfaq në qytetin kinez Ëuhan dhe për të cilin aktualisht nuk ka ndonjë përgjigje të përshtatshme mjekësore. Që atëherë, ka pasur rritje të frikës së publikut të mbështetur nga masivizimi i mbulimit të përhapjes së virusit në pjesë të tjera të botës. Më 11 shkurt 2020, virusi u emërua Covid-19.
Virusi Covid-19 është shndërruar në një fatkeqësi të madhe për botën, qytetarët e saj dhe ekonominë globale kudo. Në rastin e Kinës, vonesat në njoftimin e virusit, nën bindjen e zyrtarëve kinezë se ata mund të frenonin përhapjen e virusit, çuan në shpërthimin dhe përhapjen e virusit jashtë Kinës, dhe kështu një pandemi në mbarë botën ka dalë që nga epidemia në Kinë.
Qeveria kineze nuk është përgjigjur në kohën e duhur që nga shpërthimi i virusit në dhjetor 2019. Qeveria ka injoruar thirrjet nga mjekë të shumtë në Ëuhan mbi përhapjen e virusit në atë qytet. Ishte vetëm në 20 janar të vitit 2020, që qeveria kineze pranoi – më shumë se një muaj pas përhapjes fillestare – ashpërsinë e epidemisë dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme në vend. Kjo vonesë nga autoritetet kineze ka reflektuar përhapjen e epidemisë në të gjithë botën dhe shtron pyetje në lidhje me efektivitetin e menaxhimit të krizës brenda Kinës në fillim të zbulimit të infeksionit, dhe vë në dyshim transparencën, rrjedhën e informacionit dhe shpejtësinë e qeverisë në raste emergjente.
Qeveritë, të papërgatitura për Covid-19
Covid-19 padyshim ka treguar që as qeveritë kombëtare dhe as organizatat ndërkombëtare nuk ishin të përgatitura për një përgjigje të menjëhershme dhe efektive përballë pandemisë vdekjeprurëse globale. Me përjashtim të disa vendeve, siç është Singapori, shumë qeveri nuk kanë arritur të kontrollojnë përhapjen e virusit, me Iranin dhe Italinë si shembujt më të dobët.
Përveç përgjigjes së ngadaltë ndaj epidemisë së disa vendeve evropiane, siç Italia, është kritikuar edhe reagimi i organizatave ndërkombëtare si Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) apo dhe vëtë Bashkimit Evropian (BE).
Kritikët akuzojnë OBSH-në se hezitoi të deklarojë epideminë dhe dështoi të bindë qeverinë kineze të jetë më transparente dhe bashkëpunuese, në mënyrë që të lehtësojë një ekzaminim gjithëpërfshirës të situatës në ditët e para të epidemisë. Ekzistojnë prova që Kina nuk ishte transparente gjatë fazës kritike të shpërthimit, por në të njëjtën kohë Organizata Botërore e Shëndetit vendosi të pranojë përgjigjen efektive dhe të shpejtë të Pekinit zyrtar, gjë që nuk është e vërtetë.
Pavarësisht nga aspekti shëndetësor i virusit Corona, ai e vë ekonominë globale dhe globalizimin përpara provës dhe sfidës, e cila kërcënon një krizë akute globale ekonomike, dhe treguesi i parë i vërtetë i kësaj krize është rënia e përshpejtuar e çmimeve botërore të naftës, duke e çuar çmimin e fuçive të naftës nën 30 dollarë / fuçi. Të gjitha bursat në botë kanë parë një rënie të madhe.
Në fund të shkurtit 2020, politikanët dhe investitorët besuan se virusi Corona do të ketë një ndikim të kufizuar në ekonominë globale, dhe efektet e tij negative mund të kufizohen kryesisht në ekonominë kineze.
Por me përhapjen e virusit në më shumë se 160 vende dhe vdekjen e më shumë se 6,000 njerëzve, pikëpamja e komunitetit të biznesit dhe tregut financiar për virusin ka filluar të ndryshojë me shpejtësi, veçanërisht pasi u klasifikua si një “pandemi e rëndë” nga Organizata Botërore e Shëndetit.
Ende nuk dihet se cilat do të jenë efektet afatgjata të pandemisë në ekonominë globale, por është e sigurt që lidhjet tregtare dhe qarkullimi i qetë i mallrave dhe shërbimeve midis vendeve në të gjithë botën do vazhdojnë të pengohen. Këto lidhje janë ndërtuar për dekada të tëra falë procesit të globalizmit.
Lindja e Mesme, veçanërisht Shtetet e Gjirit, të cilat varen nga eksporti i naftës, do të pësojnë dëmin më të madh nga kjo krizë, pasi më shumë që 90% e të ardhurave të tyre buxhetore varen nga eksportet e naftës. Kjo krizë po përhapet në të gjitha vendet e botës që varen nga tregtia e lirë, veçanërisht BE. Mbyllja e kufijve është goditja më e madhe për globalizimin, si p.sh. sektori i automjeteve, i cili, pavarësisht prejardhjes së prodhuesit dhe markës së tij, prodhon makina nga pjesë që vijnë nga më shumë se një vend në botë, si dhe prodhimi i një telefoni celular, përbërësit e tij të ndryshëm prodhohen edhe në pjesë të ndryshme të botës.
Varësia globale nga Kina dhe humbja e solidaritetit evropian
Para fillimit të viteve 1990 dhe para rënies së Murit të Berlinit, ishte e mundur dhe më e lehtë për të frenuar epidemitë siç është virusi Corona në fushat e ekonomisë dhe globalizmit. Në atë kohë, industritë e vendeve evropiane ishin pak a shumë të varura nga zinxhiri i prodhimit brenda atyre vendeve. Liberalizimi i tregtisë dhe shfaqja e Kinës si një vend i madh në fushën e punës dhe prodhimit të lirë ka bërë që kompanitë e mëdha industriale të mbështeten te Kina për të prodhuar shumicën e elementeve prodhues dhe pjesëve të nevojshme rezervë, dhe si rezultat u shfaq një varësi e madhe nga ekonomia kineze. Kështu, ekonomia kineze tani përbën 17% të produktit të brendshëm bruto botëror (PBB), tregtia me Kinën përbën 35% të tregtisë ndërkombëtare totale, dhe 80% e industrisë farmaceutike globale varet nga Kina dhe prodhimi i saj.
Politika e kufijve të hapur, si produkt i globalizmit, është ndalur. Trafiku ajror, detar dhe i pasagjerëve është thuajse i pezulluar. Trafiku i mallrave pengohet nga mbyllja e kufijve, për t’u mbrojtur kundër përhapjes së kësaj epidemie, dhe kështu në shtrirjen e tregtisë, duke shkaktuar mungesë të mallrave dhe shërbimeve dhe rritjen e çmimeve. Nëse epidemia vazhdon të përhapet në një shkallë të tillë, ajo do të çojë në një politikë të mprehtë për të shpëtuar popullsinë dhe duke shkaktuar paqëndrueshmëri serioze politike dhe një krizë të re ekonomike.
Pandemia ka treguar se termi “bota është një fshat i vogël” nuk është më një metaforë për lehtësi dhe komunikim të shpejtë. Në këtë shekull, bota është bërë një rrjet i madh njësish ndërvepruese, d.m.th. kompani dhe shtet. Këto njësi janë juridikisht të pavarura nga njëra-tjetra, por janë të lidhura në nivelin ekonomik, gjë që kërkon bashkëpunim dhe komunikim me njësitë e tjera.
Mund të jetë e natyrshme që qeveritë kombëtare të japin preferencën ndaj qytetarëve të tyre në periudha të tilla të jashtëzakonshme, por nuk është normale të shikohet që disa vende të BE-së i kthejnë shpinën njëri-tjetrit, duke mbyllur kufijtë e tyre dhe duke ndërprerë pothuajse të gjitha ndërveprimet me njëra-tjetrën, edhe në pamundësi që të dërgojnë ndihmë për shtetet anëtare të infektuara. Kina ka dërguar ekspertë dhe materiale mjekësore në Itali dhe Spanjë për të ndihmuar të dy vendet më të prekur nga virusi Covid-19. Solidariteti evropian ra në këtë provim.
Me proteksionizëm në rritje dhe populizëm, epidemia ka të ngjarë të shkaktojë dëmin më të madh të flukseve të globalizmit në botë. Bota po humbet aftësinë e saj për t’iu përgjigjur sfidave globale ekonomike, sociale, mjedisore dhe mjekësore. Tani për katër vjet, të katër liritë që mbështesin BE-në janë kërcënuar: lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit.
Pandemia e virusit Covid-19 do të bëjë që kompanitë dhe industritë të rishqyrtojnë zinxhirët e tyre të furnizimit dhe të llogaritin faktorin e rrezikut, si dhe koston e prodhimit të komponentëve dhe materialeve bazë. Në vazhdën e krizës së tsunamit që goditi Japoninë në fund të vitit 2004 dhe krizën e mëvonshme të rrjedhjes së materialit radioaktiv në reaktorët e Japonisë veriore të Fukushima në 2011, ajo detyroi disa kompani amerikane dhe evropiane të rimendonin zinxhirët e tyre elektronikë të furnizimit me çipa dhe përpunues të programeve kompjuterike, të cilat prodhoheshin në dhe përreth rajonit të Fukushima. Shumë nga këto kompani kanë transferuar disa nga fabrikat e tyre në Tajvan.
Koha do të tregojë nëse virusi Covid-19 do të ketë një ndikim të ngjashëm në botë, si me sulmet e 11 shtatorit 2001 dhe, rrjedhimisht, ndërhyrjen ushtarake amerikane në Afganistan dhe Irak, e cila ka ndryshuar marrëdhëniet ndërkombëtare deri më tani. Virusi do të ndikojë në marrëdhëniet midis njerëzve dhe popujve dhe do të hapë sytë nga dobësia apo prekshmëria jonë ndaj epidemive dhe katastrofave natyrore. Do të fillojë një dialog mbarëbotëror midis atyre që bëjnë thirrje për bashkëpunim ndërkombëtar dhe atyre që duan izolim dhe proteksionizëm.
Nuk ka solidaritet të madh ndërkombëtar ose evropian
BE kohët e fundit është përballur me kriza të mëdha siç janë kriza financiare / borxhet dhe migrantët / refugjatët. Megjithatë, vendet anëtare të BE-së ndiqnin logjikën kombëtare në vend të asaj evropiane, dhe për pjesën më të madhe BE morri vendime që nuk ishin më bindëse, por jo edhe më të mirat. Edhe pse kanë kaluar pesë vjet nga shpërthimi i krizës së migrantëve / refugjatëve, reforma e sistemit të azilit / migracionit në nivelin e BE-së nuk është miratuar ende. Kriza e krijuar nga shpërthimi i virusit të ri Covid-19 ka treguar përsëri dobësinë e BE-së dhe institucioneve të saj. Pritjet nga BE ishin të mëdha dhe secili shtet anëtar ndoqi politikën e tij, pasi shëndeti publik është akoma kombëtar. Shfaqja e virusit Covid-19 vë në zemër marrëdhëniet midis njeriut dhe natyrës, e cila deri tani është lënë pas dore shumë, dhe pandemia ka treguar se kjo marrëdhënie nuk duhet të injorohet.
Megjithëse drejtuesit e BE shpesh përsërisin mantrën se solidariteti është një nga gurthemelet e BE-së, është treguar se në krizën e fundit të shkaktuar nga shfaqja e virusit Covid-19, solidariteti evropian ka qenë i munguar dhe i mposhtur, madje edhe egoizmi i shteteve individuale ka dalë në dritë. Kjo është më ilustruese me shembullin e Italisë, ku Gjermania dhe Franca miratuan masa që kufizonin eksportet e pajisjeve mbrojtëse në Itali. Mekanizmat e krizave të BE-së, të cilat në praktikë janë duke funksionuar dobët, janë anuluar dhe tregu i brendshëm është ndërprerë.
Ky boshllëk, pra mungesa e veprimit të BE-së, u mbush nga Kina, e cila përpara se të përgjigjeshin vendet e tjera anëtare të BE-së, ofroi ndihmën e saj për Italinë dhe Spanjën. Kina ofroi gjithashtu ndihmë për vendet e Ballkanit Perëndimor, kryesisht Serbisë. Kina ka treguar “fuqinë e saj të butë” me këto lëvizje, por në të njëjtën kohë poshtëroi BE-në në oborrin e shtëpisë së saj.
Analistët besojnë se udhëheqësit e BE-së mund të kishin vepruar më shpejt dhe me vendosmëri për të zbutur efektet negative të krizës Covid-19 dhe për të aktivizuar mekanizmin evropian të krizës ESM që u shfaq gjatë krizës së euros, ndërsa Berlini zyrtar ende kundërshton atë.
Verbëria politike e BE-së
Kriza e tanishme tregoi verbërinë në BE ku disa shteteve anëtare nuk lejuan fillimin e negociatave për anëtarësim në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore. Dy muaj më parë, kjo ishte një nga temat kryesore të BE-së. Tani askush nuk po flet për to. Ndërkohë Kina po forcon ndikimin e saj jo vetëm në Ballkan por edhe në BE.
Analistët besojnë se kriza e tanishme e shkaktuar nga shfaqja e virusit Covid-19 është një provë e re për BE-në dhe drejtuesit e saj, të cilët nuk kanë gjetur zgjidhje vizionare për krizat e mëparshme, dhe se kriza ekzistuese është globale dhe po kërkon përgjigje të përshtatshme për çështjen e rolit të BE-së midis vendeve anëtare të BE-së dhe ripozicionimin e saj në botë.
Kërcënimi i globalizmit
Kriza e shkaktuar nga përhapja e virusit Covid-19 kërcënon ekzistencën e globalizmit dhe hap atë që mund të përshkruhet si fundi i një faze të këtij procesi.
Kjo krizë është më e rëndë se krizat e shkaktuara nga SARS, gripi i shpendëve, Ebola, kolera, malarja dhe sëmundje të tjera virale. Efektet e saj mund të jenë më komplekse dhe të dëmshme për ekonominë globale sesa kriza financiare që ka pllakosur botën në vitin 2008, sepse kjo epidemi tashmë ka treguar se nuk ka kufij për katastrofat natyrore. Bota është përballur me një sfidë me të cilin shpejtësia e kërkuar për reagim është e vështirë për të qenë optimale, veçanërisht për vendet me infrastrukturë të dobët dhe të cilat nuk janë të pajisura me pajisje mjekësore dhe nuk kanë instrumente për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve. Humbja e mijëra jetëve dhe dëmi ekonomik tani vlerësohet në pesë trilion dollarë.
Analistët besojnë se përballimi i kësaj krize pandemike mund të paraqesë një mundësi për të vërtetuar sinqeritetin dhe suksesin e bashkësisë ndërkombëtare. Burimet e nevojshme, hapja globale dhe puna e palodhur larg ideologjive dhe vijave të kuqe në marrëdhëniet ndërkombëtare duhet të sigurohen. Pa polarizim dhe ndarje të pakuptimta në të majtë dhe të djathtë, Lindje dhe Perëndim, sepse kjo është mënyra e vetme për të luftuar dhe zvogëluar dëmtimin e këtij ngjitësi dhe për të shpëtuar jetë dhe për t’u marrë me pasojat shëndetësore dhe ekonomike.
Efektet afatshkurtra të pandemisë Covid-19
Analistët besojnë se pandemia e shkaktuar nga virusi Covid-19 do të ketë efekte të shumta në njerëzim:
Një ndjenjë e kërcënimit dhe rrezikut kolektiv ka bashkuar botën dhe jep shpresë se vetëm një përpjekje e përbashkët mund të kapërcejë këtë krizë. Këtu nuk ka të humbur e të fituar, nuk ka shtete të vogla dhe të mëdha.
Vëllimi i borxhit global në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) do të rritet. Që prej vitit 2008, borxhi global është rritur nga 180 në 253 trilion dollarë, që është i barabartë me 322% të madhësisë së ekonomisë botërore, sipas Institutit të Financave Ndërkombëtare (IIF).
Investimet e mëdha në botën dixhitale dhe zhvillimi i proceseve të punës dhe zhvillimi i shprehive të mësimit në distancë dhe edukimi do të bëhen pjesë e strategjisë së menaxhimit të krizave, madje edhe në rrethana normale, për të rritur efikasitetin e punës dhe racionalizimin. Bota virtuale do të jetë një pjesë integrale e jetës dhe shoqërisë në përgjithësi.
Do ketë të tjera auditime në sistemin e trafikut dhe udhëtimit. Ashtu si sulmet terroriste në shtator 2001 ndryshuan sistemet e sigurisë së aeroportit dhe një sistem vizual më rigoroz nga përhapja e virusit, do të forcojë kontrollet në aeroporte dhe kufij, sepse korniza e sigurisë do të përfshijë gjithashtu shëndetin e udhëtarëve nga aspektet epidemiologjike dhe infektive.
Industritë mjekësore dhe farmaceutike do të pësojnë ndryshime dhe do të jenë më fleksibël në rregullat e tyre të rrepta (qasje konservatore) për regjistrimin dhe përdorimin e ilaçeve të reja. Ne jemi dëshmitarë të përpjekjeve të mëdha të shkencëtarëve dhe frymës konkurruese të gjigandëve farmaceutikë në SHBA, Kinë, Indi, Gjermani dhe Izrael për të gjetur përgatitje për ndalimin dhe trajtimin e Covid-19 dhe viruseve të tjera të ngjashme në të ardhmen. /tesheshi.com/