BARASNATA PRANVERORE

BARASNATA PRANVERORE
(12 orë dritë, 12 orë errësirë)
Ora 4:50, e premte, 20 mars 2020, erdhi PRANVERA.
Ky është një “vit i brishtë” sepse ka 366 ditë, muaji shkurt ka 29 ditë. Sipas besëkotësive gjatë vitit të brishtë nuk u bëkan dasma e nuk u ndërtuakan shtëpi të reja. Është një vit i gëzuar vetëm për ata që kanë lindur më 29 shkurt. Për këtë vit ndoshta e kanë qëlluar se disa shenja jo të mira na parathonë që ky do të jetë vërtet një vit i brishtë. Le të jemi të vëmendshëm!
Megjithatë, ne duhet të jemi optimistë. Pablo Neruda ka thënë::
“TI MUND T’I KËPUSËSH TË GJITHA LULET, PO KURRË NUK MUND TA NDALOSH PRANVERËN.”
Fillimi zyrtar i një stine vendoset në bazë të pozicionit të tokës me diellin. Pranvera astronomike fillon ditën e ekuinoksit (barasnatës). Fjala equinox rrjedh nga latinishtja “equi noctis” dhe do të thotë “natë e barabartë”, e barabartë me ditën, nënkuptohet. Kjo ndodh dy herë në vit. Ekuinoksi pranveror dhe ekuinoksi vjeshtor (barasnata e vjeshtës) që ndodh në shtator.
Vera, këtë vit, do të trokasë te dera më 20 qershor.

Prof.Xhemi Hajredini