Shkruan:
Bexhet Asani
U FESTUA 7 MARSI, DITA E SHENJTË E MËSUESIT
Në Qendrën Kulturore Shqiptaro Amerikane në Riverdell të Nju Xherzit, në prani të nxënësve mësueseve, prindërve, anëtarëve të Qendrës dhe mysafirëve, me një program të pasur artistik nga nxënësit e shkollës së Qendrës, u kremtua 7 Marsi, dita e mësuesit.
Moderatorja Rajmonda Brao Zhuta, pasi paraqiti programin, ftoi kryetarin e Qendrës Burim Zuta të përshëdetë të pranishmit i cili midis tjerash tha: Gëzuar 7 Marsin të nderuar mësuese dhe mësues! Të nderuar pjesëmarrës mirë se na keni ardhur!
Jemi tubuar sot këtu për të festuar ditën më të hareshme të popullit shqiptar 7 Marsin – Ditën e mësuesit. Si sot, 133 vjet më parë, në qytetin e Korçës u hap mësonjëtorja e parë në gjuhën shqipe, me në krye mësuesin dhe drejtorin e parë doktor Pandeli Sotirin. Që nga 7 Marsi i vitit 1887, lindi shpresa, lindi drita për popullin tonë, e pritur në shekuj. Lindi një shkëndijë, që shpërtheu si vullkan, në mbarë trojet shqiptare, në disa vende më herët, e në disa vende më vonë, u hapën me dhjetëra e qindra shkolla.
Rilindësit tanë të shquar Dhaskal Todhri, Koto Hoxhi, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Hoxhë Tahsini, Jani Vreto e shumë të tjerë, të cilët jetonin dhe vepronin në zemër të Perandorisë Osmane në Stamboll, nuk e kishin të lehtë marrjen e iradesë – lejës për hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë. Këtë irade, ata e morën duke e shkrirë pasurinë e tyre, jo vetëm kaq por disa e paguan me gjakun dhe kokën e tyre.
Odisejada e shkollës së parë shqipe në Korçë nuk përfundon me kaq, u hap dhe mori fund gjithçka, jo, peripecitë për mbylljen e saj dhe më vonë edhe për mbylljen e shkollës së çupave, e cila u hap katër vjet më vonë, më 1881 në Korçë, nga Mësuesja e Popullit Sevasti Qiriazi. Lejet e këtyre shkollave veç asaj që u peshuan me flori, patrikana greke dhe autoritetet turke përsëri bënin çmos për t’ i penguar aktivitetet e këtyre shkollave dhe për t’ i mbyllur përfundimisht, gjer në shpalljen e pavarësisë më 28 Nëntor të vitit 1912, por nuk ia arritën qëllimit.
Tani pas 133 vitesh kemi një realitet krejtësisht tjetër por që është po aq i dëmshëm sa edhe i pari. Atëherë populli shqiptar i pushtuar, i varfër, pa shkolla, jetonte pothuaj gjysmë në errësirë dhe mbijetoi. Kjo gjendje e atëhershme e popullit duhet vlerësuar. Kohët e fundit popullin shqiptar e ka përfshirë një krizë psikologjike. Ik, të ikim! Më shumë se gjysmën e popullit e kemi në diasporë. Fëmijët lindin dhe shkollohen në atë gjuhë, në cilin shtet të botës jetojnë. Lindi nevoja për hapjen e shkollave shqipe. Një shkollë të tillë e kemi edhe neve këtu në Qendrën Kulturore Shqiptaro – Amerikan në Riverdell. Shkolla është e hapur që në vitin 1983. Atë e hapi mësuesi veteran Gani Halimi. Nga ai vit shkolla funksionon pandërprerje dhe interesimi i fëmijëve tanë për mësimin e gjuhës shqipe është gjithnjë e më i madh. Kjo traditë duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen. Vetëm këtu në shkollë fëmijët do të mësojnë shkrim e këndim, do të mësojnë për vendin e të parëve të tyre, për adetet, zakonet dhe kulturën shqiptare vetëm kështu ata do të mbrohen nga asimilimi. Mësueseve nga zemra i uroj në punën e tyre, sa të vështirë po aq fisnike!
Me nderime
Burim Zhuta
Kryetar i Qendrës Kulturore Shqiptaro – Amerikane
Më pas e mori fjalën udhëheqsja e arsimit në Qendrën kulturore Shqiptaro – Amerikane znj. Gonxhe Meta:
Prof. Bexhet Asani lexoi referatin e përgatitur nergut për mësuesit e parë shqiptarë me titull:
DITËN E MËSUESIT TË PËRKUJTOJMË MARTIRËT E ARSIMIT SHQIPTAR
Të dashur nxënës, të dashura mësuese, të dashur mësues, të nderuar prindër, i nderuar kryetar i Qendrës Burim Zhuta, e nderuar përgjegjëse e Arsimit Gonxhe meta, të nderuar anëtarë të grupit muzikor “X 3”, që ju kemi gjithmonë në gëzimet tona, të nderuar motra e vëllezër, mirë se keni ardhur!
Rruga e historisë së zhvillimit të arsimit shqiptar në shekuj nuk ka qenë një rrugë e shtruar me lule, ajo ka qenë e vështirë, ka qenë e rëndë, ka qenë tepër e rrezikshme, ka qenë e larë me gjakun e mësuesve. Them e rrezikshme sepse siç do të shohim më poshtë, mësuesit shqiptarë, janë ndjekur, janë rrahur, janë torturuar, janë helmuar, janë vrarë nga sundimtarët e egër të vendit dhe të popullit tonë.
Le t’ia filloj me njërin ndër mësuesit e parë Dhaskal Todhrin, i cili është i njohur me emrin Theodhor Haxhifilipi, lindi në Elbasan në vitin 1730. Shkollën fillore greke e kreu në Elbasan. Pas kryerjes së shkollës fillore, i ati e regjistroi në Akademinë e Re të Voskopojës. Pas përfundimit të Akademisë së Re të Voskopojës, punoi si mësues në shkollën greke të qytetit të tij të lindjes në Elbasan.
Si mësues shembullor ai nuk mund të duronte që bashkëqytetarët e tij elbasanas të besimit ortodoks të mos e dëgjonin meshën në gjuhën e mëmës, për këtë i hyri punës dhe i përktheu në gjuhën shqipe librat fetare, ndërkohë krijoi alfabtin me 53 germa, e që është i njohur si Alfabeti i Elbasanit. Me këtë rast, Dhaskal Todhri u nis për në Evropë, në Gjermani. Me ndihmën e bashkatdhetarëve të tij, bleu shkronjat me të cilat do të botonte në qytetin e Voskopojës, dorëshkrimet e tij me alfabetin që e shpiku. Me t’ u kthyer në territorin shqiptar, ai ndiqet këmba këmbës nga kleri ortodoks grek, Dhaskal Todhri nuk ia arriti qëllimit sepse ende pa arritur në qytetin e Voskopojë kisha greke i përgatiti atentatin dhe e vrau në vitin 1805. Mësuesi Theodhor Haxhifilipi apo siç e njohin një numër i madh i shqiptarëve nga filmi “Udha e shkronjave” Dhaskal Todhri, është dëshmori i parë i shkollës shqipe. Vrasja e këtij martiri, i cili lau me gjakun e tij shkronjat shqipe, ishte një humbje e madhe për popullin shqiptar.
Dëshmori i martirizuar i radhës është Pjetër Budi i cili lindi në Gurin e Bardhë të Matit në vitin 1566. Mësimet e para i mori nga disa ipeshkv në vendin e tij. Në këtë kohë si njëzetë e një vjeçar, tanimë ishte formuar personaliteti i këtij të riu premtues. Një kohë të gjatë shërbeu si famullitar në Kosovë e më vonë, për shtatëmbëdhjet vjet rresht shërbeu si zëvendës i përgjithshëm i dioqezave në Serbi. Disa herë me radhë udhëtoi për në Itali me qëllim që të botonte veprat e tij letrare e gjuhësore. Në Shqipëri emërohet peshkop i Sapës dhe i Sardës. Pjetër Budi fatkeqësisht i shpalli luftë edhe pushtuesit – Perandorisë Osmane edhe Vatikanit. Ai kërkonte me ngulmë që mesha nëpër kishat në Shqipëri dhe kudo që flitej shqija, të mbahej në gjuhën shqipe. Ai ishte kundër klerikëve të huaj që të shërbenin në famullitë shqiptare. Perandorinë Osmane dhe klerikët e huaj që i emëronte Vatikani në Shqipëri, i shihte si armiq kryesorë për pengimin dhe mos zhvillimin e gjuhës shqipe dhe vendit të tij – Shqipërisë. Mirëpo uji fle armiku s’ fle! Qarqet antishqiptare vepruan menjëherë pas mbledhjes së vitit 1622 që e mbajti me të gjithë klerikët shqiptarë të Shkodrës, Zadrimës dhe Lezhës, të cilët i shtyu të betoheshin se kurrë nuk do të pranonin priftërinj të huaj. Si duket ky vendim qe fatal për për Pjetër Budin, duke kaluar Lumin Drin, e mbytin në dhjetor të vitit 1622. Ky klerik, ky martir, ky bir i popullit shqiptar, në një letër të shkruar në gjuhën shqipe, ankohet për popullin e tij të varfër dhe për paditurinë që e kishte kapluar atë dhe shprehte keqardhjen e tij, pse në vendin e tij nuk kishte shkolla në gjuhën shqipe.
Andrea Bogdani lindi në Gur të Hasit të Kosovës më 1600 dhe vdiq më 1683. Mund të thotë dikush se Andrea Bogdani nuk u vra! Ai nuk u vra por meqë ka shkruar Gramatikën latine – shqipe, është njëri ndër librat e parë të gramatikës shqipe. Ai nuk e shkroi ashtu për kot këtë gramatikë! Ky libër, pra, kjo gramatikë na bën të kuptojmë se Andrea Bogdani fshehur në kishë, besimtarëve dhe fëmijëve ua mësonte gjuhën shqipe.
Rrugën e të cilit e ndoqi nipi i tij Pjetër Bogdani, i cili lindi më 1830, në Gur të Hasit, në Prizren. Shërbeu si si prift në disa vende. Pas përfundimit të universitetit ai doktoroi në filozofi dhe në teologji. Libri “Çeta e profetëve”, është ndër veprat e rrallë të letërsisë shqipe për kohën me vlera të lartë artistike dhe estetike. Poezia dhe proza letrare e Pjetër Bogdanit llogaritet e arirë artistikisht dhe zë një vend të merituar në letërsinë shqiptare. Mund të thuhet se Pjetër Bogdani edhe pse jetoi dhe veproi në periudhën, pothuaj, më të tmerrshme të Perandorisë Osmane, ai nuk reshti së shkruari, dhe nuk pajtohej në asnjë mënyrë që populli i tij të rronte në robëri dhe ky qëndrim heroik i tij, i kushtoi shtrenjtë. Pjetër Bogdani arriti të grumbullojnë 6000 vullnetarë shqiptarë, e ata iu bashkuan ushtrisë Austro-Hungareze kundër Perandorisë Osmane. Më 1689 ai sëmuret rëndë dhe vdes në Prishtinë. Trupi i tij i pa jetë u zhvarrros nga ushtarët turq dhe me trupin e tij të pa jetë, në sheshin e Prishtinës, i ushqenin qentë! E tmerrshme apo jo!?
Naum Veqilharxhi – mbiemrin e lindjes Bredhi, është njëri ndër rilindësit e parë shqiptarë. Naum Veqilhaxhi lindi në Vithkuq të Korçës në vitin 1797. Mësimet e para si duket i mori në gjuhën angleze, në ishujt e Detit Jon, të cilët ishuj i kishte pushtuar ushtria angleze, aty nga viti 1811. Në Rumani punoi për disa vjet si avokat. Atje ra në kontakt me rilindësit e tjerë dhe iu përkushtua çështjes kombëtare me tërë qenien e tij. Naum Veqilharxhi shumë herët përpiloi një alfabet, i cili alfabet nuk ishte i përbërë as nga shkronjat greke, as nga shkronjat arabe, as nga shkronjat latine. Me alfabetin e tij, më 1845, botoi abetaren “Evëtari shqip fort i shkurtër”. Alfabeti i Naum Veqilhaxhit ka 33 shkronja. “Evëtari” i Naum Veqilharxhit, u përhapë me të shpejtë në disa qytete si: në Korçë, në Berat, në Përmet etj.
Disa të afërm të Naum Veqilharxhit, u deklaruan grekë. Me këtë rast i dërgon të nipit një letër polemizuese. Kjo letër, llogaritet si një dokument i rrallë, e që shpalos idetë e Rilindjes sonë kombëtare. Ai punoi gjer në frymën e fundit për një shkollë shqipe laike, në të cilën shkollë do të përfshiheshin të gjithë fëmijët shqiptarë pa dallim se kujt feje apo krahine i përkisnin. Naumi lëvroi me sukses gjuhën shqipe. Ai ishte një puritan i shkëlqyer, sa i përketë futjes së fjalëve të huaja në leksikun e gjuhës shqipe.
Si disa mësues dhe atdhetarë të tjerë edhe Naum Veqilharxhi helmohet nga kisha reaksionare greke e kohës, nga Patriarku Egumenik i Konstantinopojës.
Mësuesi i Popullit Koto Hoxhi lindi në Qestorat të Gjirokastrës më 1824. Nuk ka shumë të dhëna për biografinë e Koto Hoxhit! Koto Hoxhi është njëri ndër mësuesit e parë të arsimit shqiptar. Për një kohë punoi mësues në shkollën Teologjike në Qestorat të Gjirokastrës. Gjatë kohës së lirë nxënësve u mësonte fshehur shkrim e këndim në gjuhën shqipe. Për këtë rast Koto Hoxhi shkroi “Alfabetaren e gjuhës shqipe”. Ishte shumë aktiv në jetën arsimore, politike, e kulturore shqiptare, gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Koto Hoxhi u mundua që të hapte shkollë në gjuhën shqipe. Kërkesa që i bën qeveritarit osman të Janinës, për të hapur shkollën në gjuhën shqipe, e ngatërroi mësuesin Koto Haoxhin me klerin ortodoks grek, i cili ishte shumë aktiv në trojet shqiptare, gjatë periudhës së sundimit të Perandorisë Osmane. Peshkopi grek i Gjirokastrës e shkishëroi Koto Hoxhin, kjo nuk e pengoi aspak që të punonte për të mirën e atdheut dhe të popullit shqiptar. Përkundrazi, kjo i dha zemër, i dha forcë që të punonte edhe më tepër për arsimimin dhe emancipimin e popullit të tij që e donte aq shumë. Aty nga viti 1874 shkroi dramën “Dasmë në Lunxheri”. Drama u vu në skenë nga aktorë amatorë të Gjirokastrës dhe u prit shumë mirë nga publiku shqiptar i kohës.
I përbuzur dhe i urryer nga kisha greke, e cila bashkëpunon me autoritetet e Perandorisë Osmane, për arrestimin dhe burgosjen e mësuesit Koto Hoxhi. Një pjesë të burgut e kalon në Gjirokastër dhe pjesën tjetër të burgut dhe të jetës së tij e kalon në burgun famëkeq, Jedikule të Stambollit. U tret si qiriri për të mirën e popullit shqiptar. U kalb në burgun e Stambollit dhe shkoi në përjetësi në vitin 1895, për të mos vdekur kurrë.
Doktor Pandeli Sotiri mësuesi i parë i të parës shkollë shqope lindi më 1843 në Selckë të Lunxhërisë. Mësimet e para i mori në Qestorat të Gjirokastrës, ishte nxënës i mësuesit të martrizuar Koto Hoxhi. Studimet për mjekësi i kreu në Universitetin e Vienës, në Austri. Pandeli Sotiri edhe pse i kreu studimet për mjekësi, si duket kurrë nuk e ushtroi këtë profesion, ai iu përkushtua me tërë qenien e tij veprimtarisë patriotike, arsimit, shkollës dhe publicistikës. U përqëndrua në zhvillimin e arsimit shqiptar. Në Shqipëri dhe në Austri mësoi disa gjuhë si: greqishten, gjermanishten, frëngjishten, turqishten dhe gjuhën e mëmës shqipen. Pandeli Sotiri ishte martuar me të bijën e dhespotit grek. Me të nuk pati fëmijë. Si duket gruaja e tij ka qenë agjente e dyfishtë greko-turke. Ajo e spiunon te autoritetet turke, kur ai qëndronte në banesë, agjentët e bastisin dhe ia marrin të gjitha materialet dhe abetaret.
E shoqja, kunati dhe vjehrri i përgatitën vdekjen para kohe. Pandeli Sotirin e hedhin nga kati i tretë më 1892 – gjoja se ishte një vrasje aksidentale! Eshtrat e mësuesit dhe drejtorit Pandeli Sotiri nuk u gjendën kurrë sepse nuk lejuan që ai të varrosej te varret e krishtera sepse kishte vrarë veten dhe kishte bërë mëkat sipas kishës ortodokse.
Petro Nini Luarasi lindi më 22 prill 1865 në fshatin Luaras të Kolonjës. Vinte nga një familje ustallarësh. I ati i tij Nini Petro Kostallari, shquhej si aktivist gjatë Rilindjes sonë kombëtare. Petro Nini Luarasi mësimet e para i mori në Qestorat të Gjirokastrës. Në këtë shkollë ishte xënës i Koto Hoxhit. Pas mbarimit të shkollës punoi mësues nëpër fshatrat e Kolonjës. Njëlloj si Koto Hoxhi fshehur ua mësonte nxënësve gjuhën shqipe. Si mësues arriti të hapte disa shkolla në gjuhën shqipe më 1882, si në fshatin Bezhan të Kolonjës, më 1887 në Ersekë etj. Pas hapjes së këtyreshkollave, punoi si mësues në shkollën e parë shqipe të Korçës, për një kohë qe drejtor i saj. Në vitet 1909 – 1911 e hap shkollën shqipe në fshatin Negovan. Veprimtaria atdhetare, arsimore e kulturore e Petro Nini Luarasit i kishte rënë në sy Patrikanës së Stambollit dhe autoriteteve xhonturke dhe ky aktivitet i bezdiste ata të cilët donin ta shihnin popullin shqiptar të mbytur në errësirë, prandaj edhe e helmuan Petro Nini Luarasin në Ersekë, më 17 gusht të vitit 1911.
Me vonesë prej më se një shekulli, shteti shqiptar, ish kryetari i Shqipërisë Bamir Topi, pas vdekjes i dha titullin “Nderi i kombit”, më 13 janar të vitit 2012, me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë me këtë motivacion: “Figurë e shquar e kombit, një nga veprimtarët e ndritur të Rilindjes Kombëtare, luftëtar i paepur për zgjimin, emancipimin dhe prosperimin e kombit shqiptar, për çlirim nga zgjedha osmane dhe formimin e shtetit komb të shqiptarëve, luftëtarit të madh të krijimit të arsimit kombëtar si një nga shtyllat e çështjes kombëtare, vepër për të cilën e dha jetën.”
Papa Kristo Negovani, emri i lindjes është Kristo Harallambi, lindi në fshatin Negovan të Follorinës më 1875. Rridhte nga një familje trgtarësh. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes në Negovan. Studimet i ndoqi në Athinë, po nuk i kreu sepse ia vranë të atin më 1891. Kështu ai u detyrua t’ i lërë studimet e të kthehej për të mbajtur familjen. Punoi mësues në shkollën greke të Leskovikut. Si një numër i madh i shqiptarëve edhe Kristo Harallambi – Papa Kristo Negovani, më 1894 shkoi në Rumani. Atje bëri punë të ndryshme për disa vjet. Në Rumani ra në kontakt me atdhetarët shqiptarë të cilët jetonin e vepronin në Rumani. Në Rumani në ndikimin e patriotëve shqiptarë për një kohë të shkurtër mësoi alfabetin e Stambollit dhe filloi të shkruaj e të lexojë në gjuhën shqipe.
Nga Rumania kthehet më 1897 në Negovan shugurohet prift, ndërkohë vazhdon punën si mësues. Shtëpinë e vet e shndërroi në një shkollë të mirëfilltë. Qindra fëmijëve dhe të rriturve shqiptarë ua mësonte alfabetin e gjuhës shqipe. Kjo që bënte Papa Kristo Negovani nuk shihej me sy të mirë nga kleri fanatik grek. Papa Kristo Negovani filloi të predikojë e ta mbante meshën në gjuhën shqipe, atëherë u xhindosë hierarkia e kishës ortodokse greke. Ai nuk ndenji me kaq. Më 10 shkurt të vitit 1905, në prani të peshkopit të Kosturit e mbajti meshën po në gjuhën shqipe. Peshkopi Karavangjelis, i zemëruar gjer në kulm, pëshpëriti nëpër dhëmbë: “ Mos të gjettë viti tjetër në mesin e të gjallëve!” Nuk zgjati shumë, pas dy ditësh, më 12 shkurt të vitit 1905, banditët grekë e masakruan barbarisht me sëpatë. Çeta e Bajo dhe Çerçiz Topullit mori hak, në shtator të vitit 1906, vrau Fotin peshkopin grek të Korçës. Papa Kristo Negovani edhe pse vdiq i ri na la trashëgim disa vepra të botuara dhe në dorëshkrim. Vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, kisha disa studentë nga Çamëria, ata më tregonin se shteti grek, i ka ngritur bustin në oborrin e kishës në fshatin e tij të lindjes në Negovan. Sa është e vërtetë kjo nuk e di. Di vetëm këtë: E vranë natën dhe e qanë ditën…
Faik Konica më 20 mars të vitit 1908, në një nga perlat e tij shkruan për të përndriturin Kristo Harallambi nga fshati Negovan: “…Kisha greke qysh prej shumë vitesh i ka shpallur luftë të hidhur gjuhës sonë. Ajo nuk është kufizuar te metodat e saj të njohura të shpifjeve dhe intrigave. Ka filluar, madje, të shkishërojë formalisht nga goja e disa prej peshkopëve të saj çdo shqiptar ortodoks që i përmbahet dashurisë së gjuhës amtare.
Në revistën greke “I foni tis Alvanias” (Zëri i Shqipërisë), botuar në Athinë në vitin 1884 prej të vlefshmit Anastas Kullurioti, lexojmë anatemën solemne të shqiptuar prej një prifti grek kundër gjuhës sonë të gjorë. Nuk do të ndjeheshim të plotë po të mos numëronim të tëra përpjekjet e mjera të këtij lloji. Mirëpo kisha greke nuk është mjaftuar vetëm me këto vogëlima. Mendja e popullit e kallëzon atë për krime mizore, ndër të cilat është vrasja në rrethana veçanërishtë revoltuese e të pafatit Kristo Harallambi, kujdestarin e Negovanit, që bashkoi përunjësinë e shenjtorit me ndershmërinë e shqiptarit të shkollës së moçme, një prej mëkateve të të cilit është edhe dashuria e zjarrtë për gjuhën e kombit. Pas gjithë kësaj, si mund të habitemi që shqiptari, i cili kurrë nuk është nënshtruar, zemërohet si pasojë e poshtërsisë së ish-shërbëtorëve që duan t’ i marrin lirinë dhe gjakun”. (Alibali, 2016: 23-24)
Për këtë vit zgjodha këta martirë të arsimit shqiptar, por mësuesit shqiptar vazhduan të jenë të martirizuar pothuaj gjer në fund të shekullit të njëzetë, jo vetëm me eliminim fizik por edhe me largim nga puna si nacionalistë, irredentistë e separatistë.
Mësuesit kanë qenë, janë dhe do të jenë përgjithmonë yje të pashuar në shërbim të atdheut dhe të popullit shqiptar.
Bloomingdale, më 5 mars 2020
Mësuesja Lindita Shahinaj në fjalimin e saj theksoi:
Në radhë të parë dua t’ju uroj të gjithë mësuesve pjesëmarrës: Gëzuar 7 Marsin!
Që kur isha fëmijë e kisha një ëndërr: të bëhesha mësuese e Ciklit fillor në të ardhmen! Ndoshta kjo dëshirë erdhi dhe si pasojë e dashurisë që ndjeva nga mësuesja ime e fillores, që më bëri të kuptoj sa bukur është të jesh mësuese, të marrësh kaq dashuri nga fëmijët në moshën e tyre më të pafajshme!
Ëndrra u bë realitet! Brezi i parë i nxënësve të mi do të mbetet gjithmonë realizimi i ëndrrës time! Pas 15 vjetësh mësuese erdhi emigrimi drejt SHBA! Mendova së këtu gjithëçka mbaroi, ëndrra ime u këput në mes! Më mungonte kaq shumë të qenurit mësuese, zërat e ëmbël të fëmijëve , përqafimet e tyre! Boshllëku ishte shumë më i madh kur afrohej 7 Marsi!
Fatmirësisht në shtator 2019 u riktheva aty ku ëndrra ngeli përgjysmë! Faleminderit kësaj Qendre që më dha sërish mundësinë që të ndjej kënaqësinë e të qënit mësuese! Nxënësit e këtij komuniteti kanë fatin e madh të kenë këtë Qendër që ka si qëllim parësor mosasimilimin dhe mbajtjen gjallë të gjuhës amëtare dhe traditave tona të bukura ! “Ai që zotëron gjuhën e vet vlen më tëpër se ai që pushton një qytet“ka thënë një mendimtar i lashtë! Ndaj ju bëj një kërkesë prindërve, komunitetit të Qendrës dhe më tej: Na ndihmoni në këtë mision të bukur por të vështirë pa ndihmën tuaj! Çdo gjë do jetë më e lehtë nëse funksionon zinxhiri shkollë-prind-nxënës! Misioni im këtu është ashtu si i çdo mësuesi: të edukoj, të ndihmojë fëmijët të lexojnë. Të shkruajnë dhe të flasin gjuhën e tyre të bukur shqipe pasi gjuha është pasqyra e një kombi! Sinqerisht ju them që e shtuna është dita më e bukur e javës për mua, këta fëmijë më bëjnë të ndihem përsëri e plotësuar dhe i dua shumë! Me rastin e 133 vjetorit të shkollës së parë shqipe dhe për të nderuar figurën e mësuesit klasa ime do këndojë këngën” O mësues i dashur! Medina Toska do na recitojë vjershën “ Mësueses” dhe nxënësja Ema Jata “Gjuha jonë”. Faleminderit!
Udhëheqësja e arsimit Gonxhe Meta mësuesin Bexhet Asani dhe mësueset Vjollca Myrtaj, lindita Shahinaj, Blerina Karriqi dhe Valdete Cenalia ju dhuroi buqeta lulesh.
Programin e nxënësve të shkollës sonë e begatoi grupi muzikor “X 3” gjer në orët e vona të mbrëmjes. Ky grup muzikor me artistët e tij të talentuar është pjesë e pandashme e aktiviteteve kulturore të Qendrës sonë.