Historia e Profetit Harun a.s (shkrim i gjat po ja vlem me lexu)

Historia e Profetit Harun a.s (shkrim i gjat po ja vlem me lexu)

Vitet e errëta të Egjiptit kishin mbetur në anën tjetër të Detit të Kuq. Në jetën e profetit Musa, vëllait të tij Harun dhe të gjithë bijve të Izraelit, po niste një periudhë e re. Mijëra bij të Izraelit, me në krye profetin Musa dhe vëllain e tij, Harunin, udhëtonin në shkretëtirën Sina. Synimi i tyre ishte Toka e Shenjtë. Pra, Palestina, Siria dhe Jordania e sotme. Kjo tokë ishte e shenjtë sepse ishin vendet ku kishin lindur e ishin rritur profetë dhe ku ata u kishin përcjellë njerëzve mesazhin hyjnor. Profeti Nuh (a.s.) kishte jetuar aty. Po ashtu edhe Profetët Hud, Salih, Shuajb, Jusuf e shumë të tjerë, aty e kishin atdheun. Edhe babai i gjithë Izraelitëve, profeti Jakub, në Palestinë e kishte varrin. Profeti Musa (a.s.) po i udhëhiqte ata drejt Tokës së Shenjtë.
Rëra që u ishte ngjitur në këmbë ndërsa kalonin Detin e Kuq, ishte ende e lagët. Duke udhëtuar takuan një fis që adhuronin idhujt. Menjëherë vrapuan te Musai dhe i thanë:
– O Musa, na bëj edhe ne një idhull siç e kanë këta!
Musai u zemërua. Gjithato mrekulli, gjithato mirësi dhe prapëseprapë, virusi i materializmit dhe i idhujtarisë, nuk ishte shkulur nga zemrat e tyre. Jo më larg se dje, ai kishte ndarë detin më dysh para syve të tyre!
Profeti i lartë iu përgjigj:
– Vërtet që ju nuk hiqni dorë nga injoranca! Veprat e atyre njerëzve janë të gabuara, i çojnë ata në shkatërrim. Po si arrini të kërkoni një perëndi tjetër veç Zotit? Sa shpejt harruat që Ai ju bëri më të nderuarit e njerëzve? Ai ju shpëtoi nga mizoria e faraonit!
Fjalët e Musait (a.s.) i kishin goditur rëndë. Egjiptianët ishin idhujtarë dhe bijtë e Izraelit ishin ndikuar shumë prej tyre dhe ende nuk e kishin formuar besimin e tyre në Zot. Shkretëtirës Sina nuk po i vinte fundi. Asnjë shenjë jete nuk dallohej atje. As ujë, as bimë, as gjallëri… Izraelitët e etur vrapuan sërish te shpëtimtari i tyre. Atëherë Zoti (xh.sh.) e mësoi Musain që të shkonte pranë një shkëmbi e ta godiste atë me shkopin e tij.
Profeti Musa në krye dhe mijëra vetë nga pas, po shkonin të dëshmonin edhe një mrekulli tjetër. Shkopi ishte aty, para syve të të gjithëve. Musai (a.s.) e ngriti atë dhe i ra shkëmbit. Menjëherë nga shkëmbi shpërthyen dymbëdhjetë burime uji ngjyrë argjendi që rridhnin e gurgullonin gjithë freski. Izraelitët ishin dymbëdhjetë familje të mëdha, ndaj secilës iu dha nga një burim.
Zoti (xh.sh.) vazhdonte t’i furnizonte pa ndërprerje Izraelitët. Në mes të shkretëtirës, zbriti një lloj ëmbëlsire, ëmbëlsirën e forcës, që ata të ushqeheshin më së miri. Pas pak kohe mbi shkretëtirë nisën të dukeshin tufa me thëllëza. Izraelitët i gjuanin ato dhe i përdornin për ushqim. Këto ushqime të mrekullueshme, që u dërgoheshin atyre nga bota e mistershme, ishin vërtet të bollshme dhe të shijshme.
Po një ditë ata shkuan sërish te Musai:
“O Musa, ne u mërzitëm tashmë veç me këto ushqime. Lutu Zotit të na dërgojë thjerrëza e qepë!”
Musai u çudit. Zoti (xh.sh.) u dërgonte atyre ushqime xheneti, ata donin qepë e thjerrëza! Siç duket, ushqimet që kishin ngrënë gjatë periudhës së robërisë iu vinin më të shijshme nga ata që u siguronte Musai (a.s.). Ai u zemërua sërish.
“Zoti ju dërgon gjëra të mrekullueshme e ju prapë nuk kënaqeni? Kthehuni atëherë në Egjipt, ndoshta atje e gjeni atë që kërkoni!”
Kaluan muaj të tërë. Më në fund, i ishin afruar goxha Tokës së Shenjtë.
Që larg, dukej qyteti i Jerusalemit që asokohe sundohej nga Amelikët. Ata ishin një popull idhujtar, që nuk do ta dorëzonin qytetin pa luftë. Musai (a.s.) doli para popullit të vet dhe u mbajti një fjalim.
“O populli im! Kujtojini mirësitë e pafund që ju ka dhënë Zoti. Ishit skllevër të robëruar dhe Ai ju shpëtoi nga mizoria. Ju bëri më të lartët e njerëzve. Zgjodhi profetë prej jush e iu tregoi rrugën e drejtë. Ju dha pasuri që nuk ia ka dhënë askujt para jush. Ja, tani, ku e keni dhe qytetin e shenjtë, hyni…”
Asnjë zë nuk doli prej gjithë atij populli. Nuk donin të luftonin. Kishin frikë të vdisnin. Pak rëndësi kishte për ta si jetonin, si skllevër apo si zotërinj, e rëndësishme ishte të jetonin. Edhe pse ishin të shumtë në numër, nuk e kishin kundërshtuar aspak faraonin. Më mirë pranonin të jetonin në mjerim e robëri sesa të luftonin.
“O Musa! Në atë qytet ka njerëz të fortë e të bëshëm. Pa dalë ata vetë nga qyteti, ne nuk hymë atje. Ne nuk do luftojmë.”
Haruni dhe disa besimtarë të tjerë dolën para me guxim.
“Jemi më të shumtë në numër. Mjafton të hyjmë nga dera e qytetit dhe fitorja është e jona. Mjafton që të keni besim!”
“Ne nuk do shkojmë asgjëkundi, Musa.”, u përgjigjën me inat. “Po deshe, ik e lufto vetë, bashkë me Zotin tënd. Ne do ulemi këtu pa luajtur nga vendi.”
Musain (a.s.) e pushtoi një mërzi e thellë. Ndihej i turpëruar para Zotit. Ishte i zemëruar keq me popullin e vet.
“O Zoti im!”, nisi të lutej. “Jam i vetëm me vëllain tim, Harunin. O Zot, më ndaj mua nga të kthyerit prej rruge!”
Pas kësaj, Zoti, për dyzet vjet ia ndaloi Izraelitëve të hynin në Jerusalem. Për dyzet vjet do bënin një jetë internimi nëpër shkretëtirë. Ky ishte ndëshkimi i Zotit për ta. Gjithato mirësi të Tijat nuk ua kishin hapur sytë. Po ky ndëshkim, a thua do i sillte në rrugë?
Rruga i kishte sjellë pranë malit Tur. Zoti urdhëroi Musain të ngjitej në mal. Do i shpallte Teuratin. Thirri të vëllain, Harunin, dhe i tha:
– Ti do marrësh vendin tim. Duhet të jesh i durueshëm dhe paqësor me ta, por në asnjë mënyrë mos iu bind të pabesëve.
Musai (a.s.) u nis për në mal. Iu kujtua nata që kishte marrë shpalljen e parë. Ishte pikërisht i njëjti vend. Musai ndenji në mal për dyzet ditë. Aty iu zbrit Teurati me dhjetë urdhrat e tij. Në këto urdhra Zoti u thoshte që të adhuronin vetëm Atë, të mos betoheshin mbi gënjeshtër, të respektonin prindërit, të mos vritnin njerëzit e pafajshëm, të mos bënin imoralitete, të mos vidhnin, të mos bënin dëshmi të rreme dhe të mos u vinin syrin grave e mallrave të tjetrit.
Musai (a.s.) kishte shkuar në mal me ndjesi të papërshkrueshme. Për dyzet ditë me radhë kishte agjëruar, ishte falur e kishte folur me Zotin. Gjithçka kishte qenë e mrekullueshme. Por kur u kthye, ato që dëgjoi, ia prishën qejfin. Zoti (xh.sh.) e kishte lajmëruar se populli i tij kishte nisur të adhuronte një idhull që e kishin bërë vetë.
Izraelitët ishin shumë të dhënë pas arit. Kur kishin ikur nga Egjipti, të pasurit e tyre nuk kishin lënë pa marrë edhe arin me vete. Haruni ua kishte ndaluar ta preknin, duke u thënë se nuk ishte i tyre dhe e kishte groposur atë në një vend të fshehtë. Mes Izraelitëve ndodhej edhe një burrë hipokrit, që hiqej si besimtar, me emrin Samir. Njëkohësisht ky ishte një arpunues shumë i zoti, që mund t’i jepte arit formën që donte. Këtë art e kishte mësuar që në Egjipt. Ai kërkonte me çdo kusht rrugën për të marrë vendin e Musait. Kishte përgjuar vendin ku Haruni kishte fshehur arin dhe duke përfituar nga mungesa e Musait, e kishte nxjerrë që andej dhe kishte punuar një idhull që i ngjante idhullit Apis, që adhuronin egjiptianët. Në mes të tij kishte bërë një vrimë të fshehtë, ndaj kur frynte erë, dukej sikur ai ulërinte.
Samiri, pasi e vendosi idhullin në formë viçi mbi një majë të lartë, thirri gjithë Izraelitët dhe ua tregoi.
– Çfarë është ky, Samir? – e pyetën
– Ja, kjo është perëndia e juaj dhe e Musait! – u përgjigj ai.
– Mirë, po Musai a nuk shkoi në malin Tur për t’u takuar me Zotin e vet?
– Jo, jo. Musai harroi. Zoti i tij i vërtetë është ky!
Nisi të frynte erë, sepse posaçërisht ai kishte gjetur një majë ku frynte. Nga statuja u dëgjua një zë si ulërimë. Kaq mjaftoi dhe Izraelitët u përkulën menjëherë para saj. Ata këtë prisnin. Edhe nga Musai kishin kërkuar t’u bënte një idhull.
Haruni ndodhej aty. Kur pa se populli i tij nisi të adhuronte statujën e viçit, u hodh menjëherë:
– Prisni! – u thirri. Kjo është një hile. Samiri po ju mashtron. Zoti juaj është Allahu, më besoni. Nuk është kjo statujë!
Po as që e dëgjuan. Shumë prej tyre nisën të adhuronin statujën, ta nderonin e ta respektonin me përulje. Madje disa prej tyre e sulmuan Harunin dhe deshën ta vrisnin. Për të mos i ndezur gjakrat më keq, Haruni vendosi të priste kthimin e Musait.
Dyzet ditët kaluan. Kur doli Musai (a.s.) para njerëzve me tabelat e Teuratit në dorë, asnjëri nuk mori guximin të fliste. Profeti i madh ishte nxehur. Kurse ata rrinin të gjithë kokulur. Fjalët e Musait prishën heshtjen:
– Kjo që keni bërë pas largimit tim është diçka shumë e shëmtuar!
Asnjë nuk foli. Të gjithë dridheshin para zemërimit dhe rëndesës së Musait. Ai shkoi pranë Harunit. E kapi fort nga jaka dhe e shkundi:
“Pse nuk i pengove kur i pe se po shkonin në rrugë të gabuar? Pse nuk iu binde urdhrit tim?”
“O bir i sime mëje! Mos më tërhiq, as nga jaka, as nga mjekra. Nuk kam faj unë. Gjithë sa munda, e bëra. Pata frikë pastaj se mos më thoje i copëtove ti Izraelitët. Pastaj iu duka i dobët, deshën të më vrisnin. Të lutem, im vëlla, mos më turpëro para armiqve tanë, se nuk kam faj.”, iu përgjigj Haruni
Musai iu kthye turmës:
“O populli im! Pse nuk e mbajtët fjalën që më dhatë? Apo doni që t’ju vijë ndëshkimi i Zotit? Të gjithë ata që kanë adhuruar viçin, do të dënohen. Gjithë jetën do e çojnë në mjerim!”
Të gjithë e kishin kuptuar gabimin e tyre. Pas gjithë këtyre mirësive e bujarive të Zotit, ishte vërtet e tmerrshme të adhuronin statujën e një viçi. Musai iu kthye Samirit:
– Zhduku njëherë e mirë që këtej! Pas kësaj, dënimi yt do jetë që çdo njeriu që sheh, do i thuash: “Ruaju, mos më prek!”. Shiko idhullin që ke bërë për t’u adhuruar! Do e djeg, do e bëj hi dhe hirin do e hedh në det!
Pas pak kohësh gjithë trupi i Samirit u mbush me plagë të tmerrshme. Të gjithë largoheshin prej tij të tmerruar. Edhe ai vetë nuk dilte dot mes njerëzve, sepse pak ta preknin, plagët i dhembnin e i digjnin tmerrësisht. Prandaj thërriste me frikë:
– Mos më prekni, ju lutem, mos më prekni!
Musai e dogji statujën para syve të të gjithëve, derisa mbeti veç hiri. Edhe atë e hodhi në det. Pastaj doli para popullit të vet dhe përsëriti ato fjalë, që secili profet i ka thënë:
“Zoti juaj është Allahu. Nuk ka zot tjetër veç Tij. Dituria e Tij ka përfshirë gjithçka…”
Musai (a.s.) u shpjegoi Izraelitëve gabimin që kishin bërë duke adhuruar një idhull dhe i tha të pendoheshin. Zemërimi i Musait ishte fashitur. Mori tabelat e Teuratit dhe nisi t’ua lexonte Izraelitëve. Po ata vërtet që nuk dinin të zinin mend. I thanë Musait se urdhrat e Zotit ishin shumë të rëndë për ta. I mërzitur, Musai e la fatin e tyre në dorë të Zotit.
Pas kësaj zbriti engjëlli Xhebrail. Me krahët e tij e ngriti gjithë malin Tur dhe e solli mbi Izraelitët. Mali gjigant do binte mbi kokën e tyre e do i shkatërronte. Të tmerruar, as ata vetë nuk e kuptuan ç’po i gjente. Të gjithë dridheshin prej frike. Kur fundi i malit u preku kokën, të gjithë u përkulën. Me një sy shihnin të tmerruar malin që po u vinte mbi kokë, nga ana tjetër pendoheshin e kërkonin falje e mëshirë. Atëherë Musai (a.s.) ndërhyri dhe iu lut Zotit (xh.sh.) t’i mëshironte. Zoti e pranoi lutjen e tij dhe Xhebraili e ktheu malin sërish në vend.
Musai (a.s.) mblodhi Izraelitët dhe u tha të zgjidhnin një grup prej shtatëdhjetë vetash prej tyre. Bashkë me ta do shkonte në malin Tur dhe do i lutej Zotit për falje e mëshirë. Më në fund arritën në mal. Musain e mbështolli një re dhe në majë të malit nisi të fliste me Zotin. Shtatëdhjetë vetë e kishin parë mrekullinë me sy. Po ja që nuk zinin mend.
– O Musa! – i thanë. Ne nuk do të të besojmë ty pa e parë Zotin me sytë tanë.
Aq më tepër që këta ishin më të sinqertët, më besimtarët, më të zgjedhurit e Izraelitëve. Pas pak, mali nisi të dridhej. Një tërmet i tmerrshëm shkundi gjithçka. Një zhurmë e paimagjinueshme drodhi botën. Shtatëdhjetë vetë dhanë shpirt aty, menjëherë. Musai, që kishte parë gjithçka, u përkul menjëherë.
“O Zoti im! Fuqia Jote është e mjaftueshme të na shkatërrojë të gjithëve menjëherë. O Zot! Mos na shkatërro për faj të disa injorantëve të pabesë që kemi mes nesh! Na fal, na mëshiro! Oqeani Yt i faljes është pafund!”
Zoti (xh.sh.) e pranoi sërish lutjen e Musait dhe i ngjalli sërish të shtatëdhjetë të vdekurit. Kur u kthyen sërish te populli i tyre, ata u treguan gjithë ç’kishin përjetuar.
Një ditë, Musai tha:
– O Zoti im! Shoh një popull në Teurat, që urdhërojnë të mirën e ndalojnë të keqen. O Zot, bëji ata të jenë populli im!
– Ai është populli i Muhamedit (a.s.), – iu përgjigj i Gjithëpushtetshmi.
Në Teurat, Zoti (xh.sh.) e kishte lajmëruar të fundmin e profetëve, Muhamedin (a.s.) Por dijetarët hebrenj të mëvonshëm i fshinë ose i ndryshuan ato ajete.
Një ditë, profeti ynë, Muhamedi (a.s.), ishte ulur e po bisedonte me miqtë e vet. Kur e pyetën për Musain, ai u tha kështu:
– Zoti ia shpërbleftë Musait. Ai hoqi shumë prej njerëzve të tij, por bëri durim.
Haruni (a.s.) ndërroi jetë pak kohë para Musait. Ai ishte simboli i besnikërisë, besës e përkushtimit te Zoti.
Profeti Musa (a.s.) nuk e arriti triumfin e Jerusalemit. Por për dyzet vjet që jetoi në shkretëtirë, rriti një brez të ri nga Izraelitët. Kur u afruan te dyert e qytetit me një ushtri të fortë e të vendosur, ai ishte moshuar goxha. Por ishte i bindur se Jerusalemi do fitohej. Gjithë jetën kishte vuajtur e ishte munduar. Kishte jetuar me ëndrrën e atij qyteti të shenjtë. Dhe ja, triumfi ishte pak hapa më tej. Por për Musain kishte ardhur ora e largimit. Zoti do ia tregonte atij triumfin nga ana tjetër. Kur i erdhën ditët e fundit, Musai hapi duart e u lut:
“O Zoti im! Bëj që të vdes pranë këtij qyteti të shenjtë.”
Dëshira e tij e fundit ishte të varrosej pranë tokës që kishte ëndërruar gjithmonë. Me një qetësi të thellë, priti vdekjen. Mbylli sytë i lumtur se e kishte përmbushur më së miri misionin e tij.