Dr. Bexhet Asani DY MËSUES NË FSHATIN TIM, DHANË DRITË, DHANË MËSIM Gjyzyde Selmani (1919-2007) Hamidi Selmani (1921-2010)
Një motmot para se të lindja unë, Gjyzide dhe Hamidi Selmani u emëruan mësues në fshatin Zagraçan të Strugës. Pikërisht në motin e largët të vitit shkollor 1956\1957 do të nisnin punën te Shkolla Fillore “Baftiar Banushi” e ndërtuar me vetëkontribut dhe e inauguruar më 1949, nga bashkëfshatarët tanë të etur për arsim e për dituri. Një shkollë e cila ishte një nga shkollat më modernet jo vetëm në Maqedoni por edhe në ish Jugosllavi. Atëbotë mbi tetëdhjetë përqind e popullësisë ishte analfabete. Dhe ja këta analfabetë të vuajtur nën thundrën e obskurantizmit, që të mos vuanin nga erësirra edhe fëmijët, mbesat dhe nipërit e tyre me punë angarie, punë vullnetare e ndërtuan këtë objekt i cili shërbeu gjer në janar të vitit 1991. Dy mësuesit burrë e grua, iu rrekën punës në disa fronte: të arsimonin dhe të edukonin fëmijët e fshatit Zagraçan, të zhduknin analfabetizmin te të rriturit, bashkë me nxënësit e vegjël të klasave fillore, të pyllëzonin krastën djerrë e shkëmbore që ku të ngulej kazma do të haste në gurë gëlqeror, të pastronin rrugicat e fshatit nga gurët, të kujdeseshin për shëndetin e fshatarëve sikur të ishin infermierë..! Këta mësues apo heronjtë e fshatit Zagraçan ishin çifti bashkëshortor Gjyzyde dhe Amidi Selmani. Mësuesja Gjyzyde Karçe ishte nga Struga, kurse mësuesi Amidi Selmani vinte nga Malësia e Sharrit, nga fshati Gajre i Tetovës. Gjatë kohë ata jetuan në katund, banonin te godina e shkollës së re edhe pse kishin shtëpi në Strugë. Ata të dy pothuaj u bënë banorë të përhershëm të Zagraçanit. Fshatarët i respektonin dhe i donin sikur të kishin lindur aty, kurrë nuk i ndanë nga gëzimet dhe hidhërimet e tyre familjare. I ftonin të parët ata në ahengje, synete e në dasma. Më 1967 mësuesve u lindi djali i vetëm të cilin e pagëzuan Jeton. Për të nderuar dhe respektuar banorët e fshatit Zagraçan tretnatën e djalit e bënë në klasat e shkollës dhe në këtë gëzim familjar ata ftuan tërë fshatin. Pra, respekti ishte i ndërsjellë. Le të kthehem te viti i largët, i ardhjes së tyre, në krye të detyrës, si mësues fshati. Gjyzyde e Hamidi Selmani mbanin shkollën dhe oborrin e shkollës të pastër, ashtu siç i kishte hije një shkolle moderne. Ashtu siç ishte shkolla e Zagraçanit e ndërtuar siç u tha më lartë me punë vullnetare nga banorët e fshatit dhe e inauguruar më 1949. Shkolla ka pasur kabinete dhe klasa plotë dritë të kthyera nga jugu. Përveç punës së tyre të përditshme të mësimit me klasa të kombinuar para dhe pas dreke, pra nxënësit shkonin në mësim dy herë në ditë, ata gjenin kohë edhe për aktivitete të lira. Kështu, një nga mrekullitë që kanë bërë mësuesit Gjyzide e Hamidi Selmani, ishte kopshti i shkollës fillore “Baftiar Banushi”. Ata bashkë me nxënësit gjatë kohës së lire dhe gjatë orëve të fiskulturës mbillnin bagrema në mesin e gurëve në krastë. Gjatë muajve të verës, gjatë pushimeve kur pemët dekoruese kishin më së shumti nevojë për ujitje caktonte një nxënës për një bagrem dhe ata kujdeseshin për t’ i vaditur pemët. Ndërkohë ata vinin nga qyteti për t’ i parë nxënësit a e kryenin punën me nder, nxënësit dhe pemët dekorative ishin vazhdimisht nën vëzhgimin e rrebtë të mësuesve vigjilentë. Bagremat rriteshin bashkë me nxënësit. Ky aksion nuk përfundoi vetëm me kaq, ata përreth shkollës e cila ishte afër pesëdhjetë metra e gjatë dhe dhjetë metra e gjerë, në të katër anët e shkollës mbollën jargavanë, trëndafilë të bardhë, sheqerlie, e trëndafilë të kuq me erë që të dehnin me aromën e tyre. Mbollën lule shpata (Iris ilirica), në tërë hapësirën e shkollës me mbi 3000-4000 metra katrorë. Oborri i shkollës e mori pamjen e “Kopshtit të Edenit”. Nga një krastë me gurë e shkëmbinj e shndërruan në kopsht parajsë. Aroma e jargavanëve, e trëndafilave lloj-lloj ngjyrash, e lule shpatave, e bagremave, parfumoste natyrën e bukur të Shumit dhe të Zagraçanit. Ne u rritëm me aromën e jargavanëve, trëndafilave, lule shpatave dhe të bagremave. E tëra kjo punë e madhe vullnetare zgjati me vite të tërë, gjeneratat para nesh i mbollën kurse neve kujdeseshim për mirëmbajtjen e kopshtit, kështu ne të vegjlit “armatoseshim” me kiza e cfurqe për të prerë ferra e për ta rrethuar kopshtin e madh, pra me mjete rrethanore deri te pastrimi me dorë i barërave të këqija e të pastrimit të barit të thatë gjatë marsit, sapo fillonte të shndriste rrezja e parë e diellit të pranverës. Në këtë mënyrë ata ngjallnin dashurinë ndaj punës te nxënësit e tyre të dashur. A nuk ishte ky edukim për së mbari!?
Më 1963 fshatarët morën aksion për ndërtimin e ujësjellësit, mësuesin Hamidi e shohim në ballë të këtij aksioni. Kështu, Zagraçani siguroi ujin e pijshëm dhe ishte fshati i parë në rrethin e Strugës i cili futi çezmën në shtëpitë e tyre dhe shpëtuan gratë punëtore të cilave u kishin rënë krahët duke mbushur ujë me kova e litarë nëpër bunarë.
Mësuesit Gjyzide dhe Hamidi Selmani në punën e tyre të gjatë parësore kishin
socializimin e nxënësve. Sipas programit arsimor parashihej dhe sot parashihet që nxënësit të kenë shëtitje njëditore gjysmën e parë të vitit shkollor dhe shëtitje njëditore gjysmën e dytë të vitit shkollor në pranverë. Mësuesit tanë Gjyzide dhe Hamidi Selmani këto dy ditë i shfrytëzonin në mënyrë tepër racionale. Ata organizonin një drekë kolektive me nxënësit. Mënyra e organizimit ishte interesante: porositnin nxënësit që të merrnin me vete pjatat, nga një lugë, bukë, nga 100 apo 150 gram groshë. Vetë siguronin dy kazanë të mëdhenj. Mbi shkollën në krastë apo edhe pak më larg te Fusha e Vishnjes, ndiznin zjarret me nga tre gurë dhe mbi to vinin kazanët me groshë që të zienin. Groshës i shtinin vetëm ujë dhe disa pipeka të kuqe dhe asgjë tjetër as vaj, as gjalpë, as mish. Nxënësit siguronin karthjet degët e thata për zjarrin. Pasi zienin kazanët me groshë, ftonin nxënësit të rreshtoheshin dhe ua mbushnin pjatat me groshën më të shijshme në botë. Kush dëshironte mund ta mbushte pjatën dy herë. Nxënësit e gëzuar shëtitnin nëpër pyje e luanin lojëra të ndryshme popullore. Meqë Zagraçani atë botë, vitet 50 dhe 60 kishte lagjen e Shumit, sot fshat më vete. Nxënësit e Shumit i porositte që nënat e tyre të përgatitnin drekë, çfarë të kishin sepse do të kishin për drekë nxënësit e Zagraçanit. Gjysmë vjetorin tjetër nxënësit e Zagraçanit do t’ ua kthenin nxënësve të Shumit dhe do të hanin një drekë të përbashkët te krasta e Zagraçanit apo te Fusha e Vishnjes.
� Muret e klasave dhe dritaret ishin të dekoruara me lloj-lloj lulesh të gjalla nëpër saksi prej dheu. Dominonte lule llapa siç e quante mësuesi Hamidi (apo gjuha e nuses). Nëpër klasa, me të vërtetë kishte atmosferë mësimi e pune. Higjiena nëpër klasa dhe në korridor ishte në nivelin e duhur. Në oborr të shkollës nuk mund të shihje as edhe një letër të hedhur. Nxënësit nuk lejoheshin të hynin me opinga me baltë! Ata i pastronin opingat në krastë me vesën e barit dhe me fletët e llapushkave. Hamidi Selmani bashkë me nxënësit e tij të Zagraçanit që në fillim të karrierës së tij në këtë fshat shkroi me gurë parullën: “RROFTË 1 MAJI” në krastë te Maja e Spasit, e cila parullë shihej e lexohej nga një largësi prej 7- 8 kilometrash. Bashkë me nxënësit e lyenin me gëlqere dhe kujdeseshin për mirëmbajtjen e saj. Jo vetëm kaq ata kishin kohë dhe për aktivitete kulturore. Ata përgatitnin dhe vinin në skenë copëza drame, merrnin pjesë nëpër aktivitetet muzikore që shfaqeshin në qytetin e Strugës dhe më gjerë. Për çdo festë përgatitnin shfaqje të ndryshme për t’ i argëtuar fshatarët. Zakonisht programi shfaqej te oborri i shkollës, ku merrnin pjesë të reja e të rinj, plaka e pleq, të cilët argëtoheshin e kënaqeshin me të arriturat e bijave dhe bijve të tyre. Mësuesi Hamidi Selmani kishte edhe pasione të tjerë: ai nga Malësia e Sharrit solli në Zagraçan dhe te nxënësit e tij sportin e skijimit profesionist. Ai ushtronte nxënësit dhe banorët e tjerë të fshatit si të mësonin sportin e skijimit kodrave të Zagraçanit të mbuluara me dëborë gjatë stinës së dimrit që here-herë binte edhe mbi një metër borë. Hamidiu ishte dhe një fotoreporter i shkëlqyer, mbi 90 % e fotografive të banorëve të Zagraçanit dhe të Shumit për tridhjetë vjet i ka bërë falas. Mësuesja Gjyzide Selmani grave të fshatit u mbante kurse të ndryshme si atë të rrobaqepësisë, kursin e amvisërisë etj. Ata punuan tridhjetë vjet në Zagraçan gjersa dolën në pension. Veteranët e arsimit, Gjyzide dhe Hamidi Selmani që të dy bënë punë titanike. Me shkuarjen e tyre në pension kopshti parajsë dhe shkolla moderne u zhdukën si me shkop magjik nga bashkëfshatarët tanë..! As nuk menduan fare për paraardhësit e tyre të cilët kishin dhënë aq mund e djersë për ndërtimin e saj. Në vend të ishte sot një shkollë muze ajo u zhduk që i thonë fjalës pa nam pa nishan..! A nuk i vjen kësaj erë vandalizëm..!? U prehshit në paqe ju Gjyzide dhe Hamidi Selmani, mësuesit tanë të dashur. Juve e kryet me nder misionin tuaj prej mëmëdhetari!
Bloomingdale, më 6 mars 2018