Bexhet Asani dhe lirika e tij mërgimtare

Poezia është boshti kurrizor që e ndërlidh qiellin me tokën. Ajo është një Zonjë e lartë që bashkon zemra dhe përjetime. Poeti dhe poeteshat kultivojnë dhe mbëltojnë harmoni në botë. Poezia është nëna e dashurive të shtrenjta. Poezia dhe muzika janë dhurata hyjnore të qetësisë së shpirtit, jehona e një ndjeshmërie të brishtë, prodhimi më i zgjedhur i meditimit ku lartësohen ndjenjat. Poeti është një anije fluturuese që vërtitet përrreth botës së fjalëve. Ai është kryeengjëlli i kohës dhe tymonier i karrocës së mbushur me fjalë, lule dhe flutra.

Poezia është mbretëresha e arteve kurse poeti një flutur që fluturon, fluturon dhe bie në zjarr duke u djegur pa u djegur. Flutur moj lara-lara, thot Bexhet Asani dhe vazhdon: “Flutur me krahët si ylber/ S’rroj pa ty, moj ylever!/ Ti do rrish me mua përherë/ E ta bëhmë jetën pranverë.” (Flutura). Poeti dhe poezia shëmbëllejnë me një kandil shkëlqimtar të cilin nuk e tremb asnjë errësirë. Poeti është një verigë që e ndërlidh botën e sotme me botën e ardhmërisë. Një pemë e mbëltuar në bregun e Lumit të Bukurisë.

Poeti është një bilbil që kërcen nga njëra në degën tjetër të fjalëve, duke krijuar melodi që e mbushin trupin me butësi dhe delikatesë. Numri i poetëve të botës që shkruajnë për ëndërrime është i panumërt. Poezia është jeta e shpirtit tonë. Ajo është një gurrë e ëmbël që ua shuan etjen shpirtërave të etshëm për dashuri dhe kulturë. Poezia është një pemë me fryte të ëmbla për shijen e shpirtërave të uritur.

Mos më harro bir, Kur do të kthehesh, Ika pa u diktuar, Fjala jote, Do ta ndez diellin e shuar, Si lejleku i vonuar, Foleja e dallëndyshes, Tezja ime pjek gështenja, Pse s’më prite, Në sytë e tu, Më ngroh ti e të ngroh unë, Ti ike në përjetësi, Lotët e poetit, Ninullë kosovare, janë disa nga perlat më të bukura poetike të Zt. Bexhet Asani, të gjitha të inkorporuara konform kriteriumeve profesionale në kuadrin e vëllimit Hyjnia e syve / The sky of brave eyes (Strugë 2017).

Novalis konsideron se „poezia përbën një pjesë të teknikës filozofike”. Ajo është forma më e lartë e manifestimit shpirtëror. Poezia është e bija e mahnitjes, ndërsa poeti shqiponjë që flatron mbi Luginën e Lumturisë. Ai është valë e trazuar e lumenjve të dashurisë. Në vargjet e tij shprehen mendimet, idetë dhe ndjenjat e autorit në mënyrë të drejtëpërdrejtë nëpërmjet unit poetik. Në kuadrin e kësaj gjinie letrare zotëron vizioni dhe transfigurimi artistik, autori duke apeluar te teknikat e aluzionit, duke krijuar një univers me forcë të madhe të sugjestionit që i drejtohet lexuesit. Kështusoj, nga ky pikëshikim, poeti shpreh sentimentet nëpërmjet figurave të stilit dhe të simboleve.

Veprës respektive i paraprin një parathënie briliante e Kristaq Shabanit (Poezia e shfaqjes së shpejtë refleksive në një trinitet kreativ). Libri strukturohet në disa cikle, si: 1. Te ky dhe jam unë. 2. Dialog poetik… 3. Kur do të vijë pranvera. 4. A this land, I am Antheus. Si në vendin tim, thekson autori: „Ku ka male të rrëpirë/ Për skijim/ Si në vendin tim/ Ku ka liqenj të pastër/ Porsi loti/ Për notim/ Si në vendin tim/ Ku ka Drin të gjarpëruar/ Që gurgullon me shkrepëtim/ Si në vnedin tim/ Ku ka shqiponjë/ Që për folenë/ Bie flijim/ Si në vendin tim/ Te ky dhe/ Jam ante!”

Lasgush Poradeci, Murat Isaku dhe Azem Shkreli kanë shprehur mendimet më të bukura për poetin dhe poezinë. Eqrem Çabej thekson se „Lasgush Poradeci hapi portën e një jetë të re në poezinë shqiptare.” Asdreni sipas Çabejt, „e pasuron thesarin e gjuhës me xhevahire të çmueshme, me fjalë e mënyra shprehjesh të reja, delikate e stërmagjike.” Azem Shkreli ishte mjeshtër i vargut dhe fjalës: „Mos u bëj poet nëse s’mund të lindësh/ me secilin varg, të lindësh me secilën fjalë.// Mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh/ për secilën varg, të vdesësh për secilën fjalë.

Sipas Bujar Tafës, „Poeti është i zgjedhuri i Zotit.” Kjo vlen edhe për Bexhet Aasanin që s’e harron vendlindjen e tij, edhe pse valët e mërgimit e kanë hedhur tejmatanë brigjeve të mëndafshta të Atlantikut. Poezia sipas Emineskut është „trëndafili që rritet në saksinë e artë të shpirtit të bukur.” Sipas Jeton Kelmendit, „poezia si kategori e së bukurës ka dimensionet e veta të cilat paraqiten tek lexuesi, prandaj poetët që nga kohët e lashta janë konsideruar si elita, apo njerëz të rangut të lartë.”

Sejdi Berisha thekson se „Poetët, të cilët pjesë të jetës, të gjakut dhe të dashurisë e të etjes e kanë luftën për liri, ata vargun e kanë këngë madhështie, me të cilën, sado mirë që e këndojnë, ata prapëseprapë mbeten të etur për të thënë e për të rrëfyer edhe diçka, dhe atë, duke filluar nga vetvetja e deri tek rrugëtimi nëpër zjarr që ka lënë gjurmë për të thënë shumë, për t’u mburrur e për t’u kritikuar. Kjo ngase, toka e lagur me gjak ka shumë këngë, rrëfime e ngjarje të pathëna, mbase pra edhe të pa kënduara.”