Zuhdi bej Ohri – NDERI I KOMBIT, firmëtar i Aktit të Pavarësisë më 1912 në Vlorë
Një tjetër flamurtar i Vlorës, dërguar prej viseve shqiptare lindore, ishte edhe Zuhdi bej Ohri, i lindur më 1870, i cili vdiq në Dijar Bake të Turqisë, më 1931. Ishte jurist i diplomuar në Universitetin e Stambollit.
Ishte pjesëmarrës i Lidhjes Shqiptare të Pejës më 1899. Në tubimet e Lidhjes së Pejës, “Besa-Besë”, duke folur në emër të burrave të Maqedonisë shqiptare dha besën se do të luftonte me armë në dorë për të mos lejuar prekjen e trojeve etnike shqiptare.
Ai më pas u shqua si organizator i Komitetit të Fshehtë “Për Lirinë e Shqipërisë” të Manastirit.
Në vitet 1911-1912, Çeta atdhetare e Zuhdi bej Ohrit ndërmori disa aksione luftarake kundër forcave të xhandarmerisë turke. Në verën e vitit 1912, Zuhdi bej Ohri, në bashkëpunim me Hamdi bej Ohrin, Nuri Sojliun, Abdulla Rushitin, Sali Gjukën etj, zhvilluan një veprimtari të dendur për të ndihmuar dhe zgjeruar kryengritjen e përgjithshme si dhe për ti dalë zot vatanit.
Në nëntorin e vitit 1912, ai zgjidhet njëzëri nga populli i Strugës dhe Ohrit si përfaqësues në ngritjen e flamurit në Vlorë dhe shpalljen e Aktit të Pavarsisë, së bashku me delegatët e tjerë nga ky rajon, si Dr. Murteza Ali Struga, Nuri Sojliu, Mustafa Baroti, Hamdi bej Ohrit, Ibraim Efendiu, Dervish Himës e Qazim bej Vlorës. Emri i Zyhdi bej Ohrit është i skalitur me shkronja të arta (në fund) në Aktin e Shpalljes së Pavarsisë. Për kontributin e madh që dha në Lëvizjen Kombëtare si dhe me pregatitjen profesionale që kishte, Qeveria e Përkohshme e Vlorës e kryesuar nga plaku mjekërbardhë Ismail bej Qemalit, e dalë nga Kuvendi i Vlorës e emëroi Zyhdi Bej Ohrin me detyrën e këshilltarit pranë kryetarit të senatit, Myfti Vehbi Dibrës.
Në shtator të vitit 1913, me urdhrin e Ismail Qemalit shkoi në Elbasan, pranë prefektit Aqif Pash Elbasanit, ku ndihmoi në organizimin e administratës dhe përballimin e reaksionit, ndërsa në janar të vitit 1920 mori pjesë në Kongresin e Lushnjës dhe mbështeti pa rezerva qeverinë e Suljman Delvinës.
Pas rënies së qeverisë së Fan S. Nolit, në dhjetor të vitit 1924, Zyhdi bej Ohri kthehet në Dijar Baker në Turqi dhe në vitin 1931, kur ende kishte për të thënë e për të bërë shumë gjëra, vdiq në Dijar Baker në moshën 61 vjeçare duke u lënë brezave të ardhshëm mesazhin e fuqishëm të atdhedashurisë. Kështu u mbyll jeta e këtij burri, e trimi nga Ohri, për të vazhduar të jetojë në kujtesën e historinë e popullit shqiptar përgjithmonë..