Maratonistët e Veleshtës
Maratonistët e Veleshtës
Bashkëbisedues të moshuar pohojnë se Sabit Vinca, Axhi Vlashi dhe Sabit Hani nga Veleshta kanë qenë fituesit e mini-maratonës 9 kilometërshe të organizuar me rastin e 28 nëntorit në vitin 1941 në Strugë. Megjithatë, këtë duhet verifikuar edhe me dëshmi arkivore.
Mixhait POLLOZHANI
Duke shfletuar shtypin shqiptar në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, muaj më parë, mes tjerash ndava mënjanë edhe një reportazh të gazetës “Tomorri” që dikuar botohej në Tiranë. Aty lexova një histori të padëgjuar për mua, por që më bërë përshtypje shumë. Rrëfimi lidhet me sportin, përkatësisht me dy disiplina sportive, me futbollin dhe atletikën. Për të rikujtuar një histori të pa rrëfyer sa duhet, temë bartëse të këtij shënimi zgjodha atletikën, edhe pse më të moshuarit që rrojnë akoma sot, pak dinë të tregojnë për atë ngjarje të pazakontë sportive. Por, falë reportazhit të shkrimtarit nga Struga, Mentor Sojli, ne sot mësojmë për një garë vrapimi, e cila sigurisht nuk krahasohet dot me nivelet e atletikës bashkëkohore, por si e tillë, padyshim që ka peshë dhe domethënie historike për sportin, atletikën shqiptare, dhe sidomos për traditën sportive të shqiptarëve të Strugës.
Të përkujtojmë se, asaj pasdite është zhvilluar edhe ndeshja e futbollit ndërmjet ekipit të Strugës dhe Shqipërisë , dhe se loja ka përfunduar 5 me 1 në favor të skuadrës nga Tirana. Por, një hapësirë të veçantë në këtë reportazh autori i ka kushtuar pikërisht garës së vrapimit, e cila si një ngjarje e rrallë sportive kishte joshur vëmendjen e turmave të popullit të cilat kishin mbuluar asaj dite qytetin buzë-liqenit. Të gjithë me padurim prisnin kthimin e vrapuesve të garës prej nëntë (9) kilometrash në sheshin “Dëshmorët”. Përveç pjesëmarrëseve nga vise e ndryshme të Shqipërisë, në atë garë merrnin pjesë edhe tre vrapues nga Veleshta, ose siç thuhet në reportazh “tre katundar Veleshtarë”. Shikuar nga gjatësia e shtegut të vrapimit duket se kemi të bëjmë me një garë të maratonës së vogël, e cila është fituar nga tre vrapuesit nga Veleshta. Ja se si i përshkruan korrespondenti i gazetës “Tomori” çastet e përfundimit të garës së vrapimit:
“Po vinë! Po vinë thërret populli. Dhe vendi i hapet të parit nga vrapuesit për nga qendra e tribunës. Vërtetë i pari një Veleshtar. Një katundar i thjeshtë! Ja po vijnë edhe i dyti. Prapë Veleshtar! Ja edhe i treti, prap nji Veleshtar! Populli po habitet. Rrofshin katundarët thërret nji i turmës. Rrofshin! Thërrasin të gjithë. Ja edhe i katërti, vrapues prej Tirane. Komandanti i presidios shpërndanë çmimet e pasura vrapuesve. Rrofshin katundarët! – thotë dhe ai tue e shtërngue dorën plot admirim”.
Meqenëse e dimë që fitues të garës janë shpallur tre veleshtarë, por pyetja është se cilët ishin ato djem? Në mungesë të informacioneve të nevojshme në gazetën “Tomori”, nga bashkëbiseduesit mësojmë versione të ndryshme. Sidoqoftë, nëpërmjet përgjigjes së dy pyetjeve do të përpiqemi ta ndriçojmë të vërtetën e këtij evenimenti sportiv. Njëra ka të bëjë me shtegun e vrapimit, se cili ka qenë ai dhe se prej ku janë nisur garuesit, dhe tjetra, se cilët janë emrat e fituesve të kësaj gare? Ndonëse, duhet marrë me rezervë informatat e pohimeve të bashkëbiseduesve tanë, megjithatë, rezulton se si shteg vrapimi është shfrytëzuar rruga që lidh Strugën me Qafën e Thanës. Pikërisht kjo rrugë korrespondon edhe me kushtet e nevojshme, por edhe me distancën e mjaftueshme për shtegun pre 9 kilometrash.
Ndërkaq, duhet theksuar se, edhe pse lakohen tre emra, megjithatë nevojiten më shumë informacione për deshifrimin përfundimtarë të emrave fitues të garës. Duke i kryqëzuar të dhënat e pohimeve të bashkëbiseduesve mund të supozojmë se fjala është për tre emra, për të cilët flitet se kanë qenë vrapues të shkathtë, por se kanë qenë të njohur edhe si vrapues pas rizës së nuses, një garë rituale dasmash të rrethit të Strugës.
Bashkëbiseduesi, Adi Vinca (87 vjeçar) një veleshtar që jetën në Strugës, meqenëse asokohe ka qenë 14 vjeç, thotë se e mbanë në mend organizimin e garës së flamurit. “Fitues i garës së vrapimit ka qenë Sabit Vinca, i dyti Axhi Vlashi dhe i treti Sabit Hani” na tha ndër të tjera, zoti Vinca. Ndërkaq, bashkëbiseduesi tjetër, Selim Bojkut (77 vjeçar) nga Veleshta, e pohon përafërsisht të njëjtën gjë, duke nënvizuar se është e vërtetë që Axhi Vlashi ka qenë një vrapues shumë i njohur në Strugë dhe rrethinë. “Më të vjetrit thoshin se, Axhiu, rrugën nga Veleshta deri në Dibër e bënte për katër-pesë orë me vrap”, pohon, Bojku.
Sabit Hani, Haxhi V Meqenëse, Axhi Vlashi (lindur më 1914) përfundon në burg dhe vritet në rrethana të panjohura gjatë regjimit komunist, bashkëbiseduesit flasin se dy vrapuesit tjerë, Sabit Vinca, dhe sidomos Sabit Hani ka dalë gjithmonë i pari nëpër dasma dhe festa tjera popullore dhe fetare. Sidoqoftë, si përfundim duhet theksuar se, cilido qoftë fituesi i garës, gjë që duhet verifikuar me dëshmi arkivore, tre të rinjtë nga Veleshta e meritojnë me të drejtë epitetin “maratonistët e flamurit”.