Nga Eugen Kuçi
Disa javë më parë në Tiranë ishin ftuar kryetarët e partive opozitare shqiptare të Maqedonisë së Veriut. Zijadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët, Afrim Gashi, drejtues i Alternativës dhe Bilall Kasami, kryesues i partisë së mbetur pas ndarjes ‘Besa’ e Tetovës, u ftuan në Tiranë për të bashkuar forcat dhe me qëllimin që, ashtu të bashkuara, të mposhtnin BDI-në e Ali Ahmetit në zgjedhjet parlamentare të muajit prill.
Kjo orvatje e Tiranës zyrtare për të bashkuar opozitën shqiptare do të ishte e besueshme nëse qeveria e z. Rama do kishte dëshmuar se është e aftë të zbatojë marrëveshjet e firmosura me Kosovën dhe se do të bënte gjithçka me fqinjët që më parë do kalonte edhe nga Prishtina. Mirëpo, z. Rama, që nuk arrin dot të bie dakord as me kryeministrin Albin Kurti për gjërat që shqiptarët duhet të bëjnë bashkë në dy anët e kufirit, kërkon tashmë të drejtojë një operacion politik me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
E veçanta tjetër është se ata që organizuan takimin në Tiranë, në zyrat e të deleguarit të Ramës, z. Cakaj, donin ta bashkonin këtë opozitë jo për të mposhtur ndonjë forcë maqedonase, por BDI-në shqiptare të Ali Ahmetit. Por, njohësit e situatës politike në Maqedoni thonë se pas kësaj loje të Edi Ramës fshihet e kundërta e asaj që thuhet zyrtarisht: qëllimi, pra, nuk është mposhtja e BDI-së, por vazhdimi i mëtejshëm i saj si partia më e fortë e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Këta njohës të mirë të subjekteve politike të shqiptarëve të Maqedonisë pohojnë se qëllimi i kryeministrit Rama është që në radhët e opozitës së bashkuar të shqiptarëve të atyshëm të përfshihet medoemos edhe Besa e Tetovës, për të cilën thuhet se është kthyer në një “satelit” të BDI-së, me të cilën Ali Ahmeti do të mbante nën kontroll edhe këtë opozitë të bashkuar.
Përfundime të tilla nuk janë të pabaza, pasi për këtë shndërrim të si satelit flet më tepër fakti se pjesa dërmuese e drejtuesve të Besës së Tetovës janë “misionarët” të cilët që nga viti 2002 e këtej nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë shkatërruar partitë opozitare shqiptare. Mes drejtuesve të kësaj partie janë ata që e shkatërruan partinë e Ymer Selmanit, Demokracia e Re, dhe që përçanë lëvizjen Besa, e cila arriti rezultat të mirë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe, forcimi i së cilës rrezikonte seriozisht, si asnjë tjetër, BDI-në e Ali Ahmetit.
Sipas të gjitha gjasave, del se përmes të komanduarit të tij në krye të Ministrisë së Jashtme, z. Cakaj, Edi Rama kishte ftuar në Tiranë drejtuesit e partive opozitare të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me qëllim vazhdimin e “misionit” të dobësimit të partive që do të rrezikonin BDI-në e Ali Ahmetit. Pra, me një lëvizje të tillë, Rama provon që, duke i bërë pjesë të opozitës edhe “misionarët” e Ali Ahmetit, ata të bëjnë atë që kanë bërë vite me radhë: të përçajnë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe partitë e tyre opozitare.
Nuk dihet sa dhe si do të ndikojë takimi i tyre në Tiranë, por njohësit e situatës politike në Shkup besojnë se bashkimi i tentuar nga Rama do të mbetet thjesht në tentativë. Zëra pranë Selës, që kryeson Aleancën për Shqiptarët, rrëfejnë se ai e ka refuzuar një dirigjim të bashkimit sipas versionit që i leverdis vetëm Ali Ahmetit që të mbajë fituese sërish BDI-në. Ndaj besohet se Sela do t’i qëndrojë krijimit të një fronti opozitar krejtësisht tjetër nga ai që i është kërkuar në Tiranë.
Megjithatë, kur kanë mbetur vetëm dy muaj për zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut, komentuesit politikë atje nuk e kanë fshehur frikën për faktin se mënyra se si do të koordinohet faktori shqiptar, do të vendosë shumë për fituesit e zgjedhjeve të 12 prillit në Shkup