Mr. Arbana AJDINI |
Një vit para se të mbahej Kongresi i Alfabetit të shqipes në Manastir, gazeta “Kombi” në Boston të Amerikës (1907), shkruante:
. . . Sido që jemi të varfët e që na ndjek qeveria dhe s’na le të çelim mësonjëtore, gjuha shqipe dhe nga gurët e rrugëve do të shkruhet dhe do të këndohet…[1]
Që nga këto rreshta të zgjedhura për hyrjen e kësaj teme, kuptohet rëndësia dhe pesha e madhe që kishte alfabeti i përbashkët për mbarë popullin shqiptar nëpër shekuj. Kongresi i Manastirit ishte dhe mbeti për jetë të jetëve një vlerë e pamohueshme që hapi rrugët e perspektivës kombëtare në tërësi, prandaj edhe ky ishte motivi që e nxiti prof. Ali Vishkon që ta 1ëvroj dhe të zbardhi sa me shume punën e Kongresi te Manastirit.
Angazhimi i profesor Ali Vishkos rreth Kongresit të Manastirit dhe mësonjëtoreve të para të shkollave shqipe, i dhuruan dritë në pavdekësinë e tij. Për këtë, ai mbeti emër i veçantë
në plejadën e figurave të merituara intelektuale të pas Luftës së Dytë Botërore në Maqedoni e më gjerë. Ishte nga historianët e shquar, i cili punoi me pasion në fushën historike të periudhës së Rilindjes Kombëtare, duke u mbështetur me saktësi në përdorimin e dokumenteve osmane, nga të cilat hodhi dritë në shumë probleme të kësaj fushe me interes për historinë tonë dhe më gjerë. Për këtë më së miri flasin monografitë si: “Manastiri me rrethinë në gjysmën e dytë të shek. XIX sipas burimeve osmane dhe diplomatike” (që e ka pasur edhe temë disertacioni në Shkup në 1997), “Monografia për Arabati Baba Teqen”, “Kongreset e Alfabetit dhe të shkollës shqipe”, Shkup 1992 etj.
Zëri kumbues i këtyre studimeve gjithmonë është mirëpritur nga opinioni ynë, jo vetëm nga qarqet intelektuale, por nga të gjithë entuziastët dhe dashamirët e dijes. Mund të thuhet se profesor Vishko mbeti një nga figurat e larta admiruese të mendimit intelektual dhe shkencor, i cili diti t’i japi atë më të shtrenjtën, shkencën dhe dijen që i kërkoi koha dhe rrethanat shoqërore historike e kulturore. Megjithatë, edhe pse ishte kohë e keqe për shkencën shqiptare, profesor Aliu arriti që shoqërisë shqiptare dhe shkencës në përgjithësi t’i lë një trashëgimi të begatë shkencor për të kaluarën tonë historike, e cila sot e kësaj dite dhe gjithherë do mbetet, padyshim një bazë e fortë argumentuese për studiuesit e tashëm dhe ato që do të vijnë.
Temën për të cilën flasim në këtë kumtesë e kemi mbështetur, thuaja se plotësisht në librin studimor të prof. Ali Vishkos, “ Kongreset e Alfabetit dhe të Shkollës Shqipe” , botuar më 1992 në Shkup. Ku gati gjysma e librit i dedikohet vetëm Kongresit të Manastirit, si pjesa më e rëndësishme historike e tërë qenies sonë kombëtare, kuptohet pas Lidhjes së Prizrenit 1878.
Me daljen në dritë të këtij studimi të thuktë shkencor, u plotësuan shumë dilema të mbetura deri me rastin e botimit të këtij libri. Si për çudi, kjo ngjarje kaq e madhe në historinë e kulturës shqiptare, sikur kalonte pa bërë ndonjë bujë të veçantë gjatë kohës së komunizmit, kurse me daljen e këtij studimi të profesor Aliut, popullata, veçmas rinia përparimtare, filloi shpesh e më shpesh që ta kujtojnë dhe të organizojë manifestime kulturore, simpoziume shkencore e etj, sa që sot kjo datë e rëndësishme e kombit tonë është ngulitur thellësisht në zemrat e çdo banori shqiptar, kuptohet, përveç atyre që nuk kanë arritur ta kultivojnë ende shijen e ndjesisë kombëtare.
Në libër, përveç tjerash, dëshmohen edhe rrethanat e një okupimi e sundimi shumë shekullore osman dhe nga ana tjetër, shqiptarët gjithandej botës u detyruan ta shkruajnë gjuhën e tyre sipas mundësive dhe dedikimeve në rrethana të caktuara me alfabete të ndryshme si :me shkronja latine, sllave, e me shkronja të përziera, e pastaj me shkronja arabo – turk dhe me shkronja të veçanta, prandaj, moszgjidhja e këtij problemi dëmtonte kulturën, arsimin dhe unitetin kombëtar në tërësi. Kjo kishte bërë që lëvizja për çlirimin kombëtar të çoj në rritje dhe rilindësit tanë parashtruan kërkesat për jetësimin e alfabetit si objektiv parësor për gjuhën, kulturën dhe arsimin shqip, pasi “…alfabeti është një vegël e fuqishme për përparimin e shqiptarëve. Çdo komb ka të drejtë të zgjedhë alfabetin që i përshtatet më së miri gjuhës së tij, prandaj shqiptarët zgjodhën alfabetin shqiptar”.[2]
Librit në fjalë, rreth Kongresit të Manastirit, i japin forcë shkencore faktet e shumta të vërtetuara shkencërisht, plot argumente, faksimile origjinale, literaturë të bollshme etj. Për argumentimin shkencorë flasin mbi nëntëdhjetë fusnota nga më të ndryshmet, pastaj bibliografia e pasur: me nëntë burime arkivore të pa publikuara deri atëherë, një burim arkivor i publikuar, 24 revista periodike, prej të cilave 20 në gjuhën shqipe dhe 4 në gjuhë të huaja, turqisht, serbisht, bullgarisht dhe greqisht dhe me një literaturë tejet të pasur shkencore me 50 tituj librash të ndryshëm shkencorë, nga të cilët 14 janë në gjuhë të huaja, kryesisht në osmanishte dhe serbisht.
Në këtë libër të ndarë në katër pjesë, puna serioze shkencore dëshmohet edhe përmes indeksit të madh të emrave të shumtë, ku më së tepërmi përmenden: Dervish Hima, Gjergj Qiriazi, Konsulli italian në manastir-Bernardi, Mid’hat Bej Frashëri, Stavro Skendi, Shaban Demiraj, Dibra, Elbasani, Veçmas Manastiri, Perandoria osmane, Prishtina, Selaniku, Stambolli, Shkodra, Shkupi, Shqipëria, etj. Nga materialet e përfshira në këtë libër edhe më bindës janë edhe mbi 15 faksimilet e paraqitura, të panjohura deri atëherë për lexuesin shqiptarë dhe vlen të përmendim raportin e konsullit italian në manastir, në Durrës, Pastaj i legatës italiane në Sofje, i atij të Shkupit, konsullit italian në Stamboll, atij anglez në Selanik, dhe ambasadorit anglez në Stamboll etj.
Trajtimi i problemeve është bërë me shumë përpikmëri dhe argumente të bollshme shkencore, sa që të jep përshtypjen se studiuesi në fjalë, ka marrë pjesë drejtpërdrejtë në kongres dhe sikur bën një rrëfim origjinal të ngjarjeve dhe situatave. Ai në asnjë moment nuk është i njëanshëm, pasi tregon edhe revoltën e shqiptare në Shkup, Tetovë e gjetiu, të cilët e kundërshtonin dhe e protestonin kongresin duke kërkuar të shkruhet në alfabetin arabo-turk, pasi kishin bindjen se latinishtja është alfabet për të krishterët, e osmanishtja për myslimanët. Për vërtetësinë shkencore për Kongresin e Manastirit e plotësojnë edhe një numër i konsiderueshëm i fotografive origjinale , marrë nga figurat dhe situatat e kohës kur u mbajt dhe u zhvillua kjo ngjarje nga ma të rëndësishmet e historisë dhe të kulturës shqiptare, pastaj edhe një pasthënie në gjuhën angleze dhe kështu libri në esencë i rrumbullakon të gjitha parametrat e një teksti serioz shkencore, që i bënë nderë, jo vetëm autorit, por edhe çështjes sonë kombëtare në përgjithësi.
Se sa ishte i rëndësishëm ky kongres për shqiptarët dhe për të tjerët dëshmon interesimi i madh i konsujve dhe ambasadorëve të shumë shteteve që bënin pjesë në Manastir dhe në disa qendra tjera ballkanike. Duket qartë se shtetet mike të Shqipërisë prisnin me padurim që ky kongres të jetë fatlum, kurse armiqtë e Shqipërisë prisnin që atë ditë të bëhet përçarja më e madhe historike midis shqiptarëve dhe të mos kenë forcë për tu bashkuar asnjëherë, pasi ishin përgatitur terrenet se kush dhe ku do i sundoj shqiptarët dhe tokat e tyre sipas parcelave të interesit. Por fati i mirë i shqiptarëve kësaj radhe nuk deshi të veproj sipas dëshirës ogurzezë të armiqve shqiptarë dhe pikërisht fati më i madh historik ndodhi pikërisht në këtë kongres, i cili i bashkoj shqiptarët si kurë më parë, pasi me atë udhëheqshin kokat më të mëdha dhe më të ndriturat e historisë kombëtare si Gjergj Fishta, Mit’hat Bej Frashëri etj.
Duhet theksuar se ,,jehonë pati thirrja e Kongresit të Manastirit edhe në shtypin evropian, si në atë të Zvicrës, të Italisë etj., që njoftonin lexuesin se “shqiptarët do të mblidheshin në një kongres për qëllime politike, se kishin ndërmend të diskutonin çështjen e pavarësisë dhe se problemet e kulturës ishin vetëm pretekst”.Ndërsa shtypi i shteteve fqinje, që kërkonte gjithnjë të ruante ndikimin e vet në vendin tonë, si në politik, ashtu edhe në kulturë,volli vrer kundër Kongresit të Manastirit, duke i karakterizuar shqiptarët me epitete më të këqija. “[3]
E veçanta e librit Kongreset e Alfabetit dhe te shkollës shqipe të Ali Vishkos është se për herë të parë na i sjell në një tekst të veçantë shkencor të katër Kongreset: atë të alfabetit në Manastir, Kongresi i Dibrës, Kongresi i Elbasanit dhe Kongresi i Dytë i Manastirit, përmes të cilave bën rrumbullakimin e tërësishëm të kësaj lëvizje të madhe kombëtare për qëllimin final të alfabetit dhe rrugën pa kompromis drejt hapjes së shkollave shqipe me orientim bashkëkohor evropian. Ky alfabet, të cilit i kushtoi shumë rendësi prof. Ali Vishko, i dha shqipes mundësinë që sot të bëhet gjuhë e artit, e shkencës, e radios, e shkollës, e filmit, e këngës, të bëhet gjuhë zyrtare, gjuhë e universitetit, e parlamentit, e gazetave dhe e shumë institucioneve të tjera. Sot kemi një gjuhë shqipe standarde me vlera të mëdha krijuese e komunikuese, që na bën krenar të gjithë neve , por që zgjoi interesim edhe tek shumë studiues të huaj.
[1] ,,Kombi “e përkohshme periodike nr. 31, Boston 28 mars, 1907
[2] Ali Vishko, Kongreset e Alfabetit dhe të shkollës shqipe, Shkup,1992, f. 46
[3] Tomor Osmani, Udha e shkronjave shqipe, Tiranë, 2008, f. 508