Solistja legjendare e këngës “Veleshtare” Mirdita Hani-Doko
Zonja, Mirdita Hani-Doko, është solistja legjendare e këngës së mirënjohur “Veleshtare”, që është një lloj identiteti i Veleshtës në këngët popullore shqiptare, që tani këndohet në gjithë hapsirën shqiptare. Këngë që ka një histori të veçantë dhe karakteristike dhe është shëndërruar në legjendë.
E takuam në promovimin e librit të autorit Remzi Nushi, “Veleshtare 100 këngë dhe valle për fizarmonikë” dhe i shkëputëm pak minuta për një bisedë rasti, lidhur me këngën e lartëpërmendur mjaft të popullarizuar anekënd gjeografisë shqiptare. Zonja Mirdita Hani-Doko, pa hezitim iu përgjegj me gatishmëri për të rrëfyer hapat dhe ditët e para në skenën muzikore që do ta bëjë të njohur dhe të popullarizuar.
Radio Rrapi: Zonja Mirdita, jeni sot në Veleshtë, ndër veleshtarët në promovimin e librit që mban titullin e këngës që ju e keni kënduar për herë të parë para mikrofonit në skenat artistike. Si ndiheni sot këtu në këtë mes?
Mirdita Hani-Doko: Unë sot vërtetë ndihem shumë shumë e lumtur. Pas 45 vjetësh, që kur unë e kam kënduar këtë këngë, po shof një numër të madh të veleshtarëve që me nostalgji e kujtojnë atë këngë, sepse kënga “Veleshtare” nuk është këngë që këndohet vetëm në Veleshtë, por kjo këngë tani këndohet në të gjitha trojet shqiptare. Më vjen mirë që të gjithë ata dhe ato këngëtar e këngëtare që e këndojnë këngën “Veleshtare” e këndojnë mirë e më mirë. E ky fakt mua shumë më gëzon. Sot e kësaj dite, dihet mirfilli se ai ose ajo që e këndon për herë të parë mbetet si vulë për atë këngë. Edhe diçka desha me thënë për Veleshtën, se unë jam veleshtare, por Veleshta ka pasë, ka dhe do të ketë tradita të jashtëzakonshme . Veleshta gjithmonë ka këndua. Ka këndua dhe e ka pasë në shpirt këngënm, vallen, zakonet,traditat shqiptare shumë të forta e të brumosura kombëtarisht. Kjo mbase edhe të gjithë veleshtarët dhe veleshtaret i bënë krenare.
Radio Rrapi: Teksti i këngës “Veleshtare” që këndohet gjithandej, sipas vlerësimeve ka pësuar shumë ndryshime të mos thuhet deformime por stilizime?
Mirdita Hani-Doko: Kënga “Veleshtare” është këngë pa autor, nuk ka autor sepse buron nga populli, e ka kënduar populli dhe kjo këngë 100% është këngë popullore që gjithmonë është kënduar nëpër dasma dhe si valle e kënduar për nuset e reja, që kur kercenin për herë të parë në ndonjë dasëm, vallen e fillonin me “Veleshtaren”. Kjo ka qënë edhe si këngë identiteti edhe për nusen që e udhëhiqte vallen, por edhe për nuset tjera që ishin nga fshatrat tjera, sepse ato edhe krenoheshin se bëheshin nuse Veleshte.
Radio Rrapi: Pra sipas jush kënga nuk ka autor?
Mirdita Hani-Doko: Kjo këngë nuk ka autor. Por ama, sipas të dhënave që kam dëgjuar unë nga më të vjetrit, kjo këngë është kënduar nga një grua e cila të shoqin e ka pasë kaçak në Shqipëri dhe nuk ka guxuar me kalua këtej, por ajo është takuar me të shoqin diku afër kufirit. Ajo sipas të dhënave ka qënë shumë bukuroshe dhe I shoqi ia ka kushtuar këtë këngë. Prandaj kjo këngë është bërë si hymn dhe këndohet në të gjitha trevat.
Radio Rrapi: E keni dëgjuar të kënduar nga të tjerët?
Mirdita Hani-Doko: Po kam dëgjuar kur e këndojnë edhe të tjerët, madje e kam dëgjuar të kënduar nga një këngëtare shumë e mirënjohur nga Shkodra, e cila tani nuk e këndon “Veleshtare moj kokone..” por e këndon “Moj shkodrane moj kokone”. Por edhe ajo e këndon shumë bukur.
Radio Rrapi: E paska përvetësua këngën, por ritmi?
Mirdita Hani-Doko: E ka përvetësuar por kjo megjithate mbetet këngë veleshtare me atë ritëm që e ka pasë dhe e ka.
Radio Rrapi: Megjithate, autore legjendare, ose solistja e parë që e ka nxjerrë në skenë jeni Ju?
Mirdita Hani-Doko: Si autor i parë, i melodisë së parë jam unë, duke iu faleminderuar z. Syreja Imamit të ndjerë, profesorit tim të nderuar në normalen e Shkupit, sepse ai ma ka zbuluar talentin sepse kam qënë katër vjet nxënëse e tij në normalen e Shkupit. Pasi kam mbaruar normalen, në vitin e parë të punës si mësuese, më kanë bërë një ftesë nga Televizioni i Shkupit dhe atëhere unë kënëgn “Veleshtare”, por jo vetëm “Veleshtaren”, por edhe dy këngë të tjera.
Radio Rrapi: Kjo ka qënë koha kur kanë kënduar edhe Fatbardha Ago, Qerimane Imami etj?
Mirdita Hani-Doko: Qerimane Imami ka qënë shumë përpara meje dhe nuk e kam pasë në normale atëhere, por struganët e kanë pasë në gjak këngën dhe gjithmonë kanë kënduar bukur dhe njëkohësisht e kanë pasuruar fondin muzikor të Radio Shkupit. Ka qënë kohë e vështirë dhe sidomos që të dale femra të këndon në radio ose television, por duke pasë parasysh se unë rrjedh nga një familje e cila e ka pasë traditë me e dashtë këngën dhe familje shumë artëdashëse ndaj dhe kam shumë respect për këtë. Babai im nuk ka kursyer asgjë që në të bëhemi e të jemi të pavarur dhe të ecim në hap me kohën, e prandaj jemi ata që jemi sot.
Radio Rrapi: Zonja Mirdita, a ekziston mundësia që të jetë ndokund incizimi i Juaj i parë kur Ju e keni kënduar “Veleshtaren”?
Mirdita Hani-Doko: Po. Unë jam interesuar për këtë, por nuk kam pasë njerëz në Radio Televizionin e Shkupit që të më bëjnë një kopje, por kasha dashtë që ta kem mundësinë që ti marr ato inçizimet e para të miat. Për fat të mirë, unë sot takova Gafur Rexhepin dhe iu drejtova me një lutje të tillë, që të më sigurojë atë inçizim dhe ai më ka premtuar se do ti gjejë dhe do të mi sjellë.
Radio Rrapi: A keni pasë oferta për ta vazhduar karrierën tuaj si këngëtare?
Mirdita Hani-Doko: Po, unë atëhere kam pasë edhe oferta tjera nga Radio Televizioni i Prishtinës, por unë më nuk desha të merrem me këngën, e kasha passion, e kasha hobi dhe e pata mundësinë që ti lë diçka të mirë Veleshtës, dhe besoj se i kam lënë një nam të mirë, sepse Veleshta më shumë është njohur përmes këngës “Veleshtare moj kokone”. Kjo është një vulë për Veleshtën dhe pasi nuk bëra asgjë tjetër, së paku ua lash këtë vulë që e kam për krenari që jam veleshtare.
Radio Rrapi: Nëse ju bie në dorë inçizimi, të mbetemi me shpresë se do të kemi mundësi ta dëgjojmë përsëri origjinalin e “Veleshtares”?
Mirdita Hani-Doko: Me kënaqësinë më të madhe, me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt, sepse Gafur Rexhepi më ka premtuar dhe unë shpresoj…
U ndamë më znjën Mirdita Hani-Doko, duke i dëshiruar shëndet dhe jetë të gjatë, pas rrëfimit të sajë për historinë e këngës “Veleshtare moj kokone” dhe zërin e sajë karakteristik, historisë së interpretimit të parë si soliste që mbetet si vulë origjinaliteti, dhe sado që ndonjëri ose ndonjëra ta këndojë bukur, dhe sado që origjinali të jetë i dobët, origjinali mbetet origjinal, sepse kopja më e mirë është gjithmonë më e dobët se origjinali më i dobët.
Interviste e realizuar ne vitin- 2014 nga gazetari tashme i ndjer Mehmet Latifi